Kush do t’i homologojë homologuesit?
Albin Kurti
Ashtu sikurse që Glass Steagall Act nga viti 1933 në ShBA i ndante investimet nga bankat komerciale, në Kosovë sot kemi nevojë për ndarjen e qeverisjes publike nga tajkunët privatë. Sepse tashmë nuk kemi vetëm korrupsion në institucione, por edhe institucione në korrupsion.
Shteti i korporatës shpie në fashizëm. Këtë e kemi parë në Gjermani e Itali midis dy luftërave botërore. Ish Presidenti i ShBA-ve, Franklin Delano Roosevelt, në porosinë që ia dërgon Kongresit të ShBA-ve më 29 prill 1938 thotë: “Liria e demokracisë nuk është e sigurt nëse njerëzit e tolerojnë rritjen e pushtetit deri në pikën ku ai bëhet më i fortë sesa vetë shteti demokratik. Kjo, në esencë, është fashizëm – pronësi e qeverisë nga një individ, nga një grup apo nga cilado fuqi private kontrolluese”.
John Ralston Saul thekson tri qëllime të lëvizjes korporatiste në vitet e ’20-ta të shekullit të kaluar në tri shtete (Gjermani, Itali dhe Francë) të cilat kaluan nëpër fashizëm: 1) të zhvendoset pushteti direkt te grupet ekonomike ose shoqërore të interesit; 2) të shtyhet iniciativa biznesore në fushat që normalisht janë të rezervuara për organet publike; 3) të shlyhen kufijtë ndërmjet interesit publik dhe privat, pra, të sfidohet ideja e interesit publik.
Homologuesit duhet t’i homologojë shteti i së drejtës, kundër monopoleve në ekonomi, kundër korrupsionit në institucione, kundër dorëzimit të shtetit te privatët.