Kush do t’i mbajë trajnimet në Qendrën për siguri kibernetike që u hap sot?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se në Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, trajnimet do të mbahen nga trajnerë të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së, por edhe nga ata të jashtëm.
Kurti ka thënë se kjo qendër do t’i shërbejë institucioneve qeveritare publike por edhe entiteteve të infrastrukturës kritike në sektorin privat.
“Formimi i grupit punues për sigurinë kibernetike të infrastrukturës kritike me mbështetjen e programit të USAID-it, për digjitalizimin dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike është dhe një iniciativë tjetër përmes së cilës kemi theksuar qasjen tonë gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë kibernetike. Kjo nismë dëshmon bindjen tonë se mbrojtja kibernetike është një përpjekje kolektive, do të jemi të sigurt sepse jemi që të gjithë të sigurt e që kërkon pjesëmarrjen si të institucioneve qeveritare ashtu edhe të sektorit privat e të akademisë. Kjo qendër i adreson shumë nga këto objektiva dhe parime të politikave tona, kjo qendër është një nga institucionet kyçe të parapara me ligjin e ri krahas agjencisë për siguri kibernetike, rregulloren për themelimin e së cilës e kam nënshkruar javën e kaluar”.
“Trajnimet që do t’i ofrojë qendra do t’i adresojnë objektivat cilësore për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në siguri kibernetike dhe krijimin e vetëdijes kolektive për rreziqe kibernetike. Qendra do të shtyjë para parime të gjithëpërfshirjës, partneritetit dhe të bashkëpunimit, si nga aspekti i përfituesve të trajnimeve gjithashtu edhe nga aspekti i ofruesve të trajnimeve. Qendra do t’i shërbejë institucioneve qeveritare publike por edhe entiteteve të infrastrukturës kritike në sektorin privat. Trajnimet do të mbahen nga trajnerët e brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së, por edhe nga trajnerët e jashtëm”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kurti ka thënë se me hapjen e kësaj qendre, konfirmohet përkushtimi i qeverisë për një Kosovë të sigurt, të qëndrueshme dhe të gatshme për të kontribuuar në sigurinë kibernetike, rajonale, kontinentale dhe globale.