Kush e nisi Luftën e Madhe?
Nga: Simon Heffer / The Daily Telegraph
Historia është një fushë shumë popullore; por, ka më pak interesim publik për interpretimet e ndryshme të saj ose për mënyrat e ndryshme të shkrimit të saj – studimi i historiografisë. Perry Anderson, tani në të tetëdhjetat, një polimat dhe profesor historie për një kohë të gjatë në UCLA, ka shkruar një libër jashtëzakonisht erudit për historiografinë, duke trajtuar se si burra të ndryshëm (të gjithë janë burra) nga kombe të ndryshme kanë shkruar për arsyet e shpërthimit të Luftës së Madhe [Luftës së Parë Botërore].
Një ose dy nga temat e [veprës] Disputing Disaster janë pak të njohura edhe për ne që jemi pjesë e profesionit të historianit; shumica janë ose ishin të famshëm vetëm në vendet e tyre. Megjithatë, kjo ka pak rëndësi: është divergjenca e arsyetuar mirë e këndvështrimeve për një konflikt, shkaqet e të cilit, sigurisht, në Britani – në mesin e një publiku të gjerë që pëlqen të lexojë për Luftën e Madhe – janë përcaktuar prej kohësh, me bindjen se për gjithçka ishte faji i Gjermanisë dhe se Rajhu i Dytë mori atë që meritoi. Faktet janë zakonisht të padiskutueshme; por jo edhe mënyra se si janë të tilla.
Skesteti i Andersonit përbëhet nga francezi Pierre Renouvin, italiani Luigi Albertini, gjermani Fritz Fischer, anglezi Keith Wilson, australiani Christopher Clark dhe amerikani Paul Schroeder. Të gjithë vijnë nga kombet që luftuan në luftë; vetëm Clarku nuk është i lidhur drejtpërdrejt me ndonjë nga ndërluftuesit evropianë, pasi vendi i tij ishte i angazhuar në luftë kur Britania e shpalli atë, jo vetëm në emër të saj, por në emër të gjithë perandorisë së saj. Esetë mbi Clarkun dhe Schroederin janë më të gjata, jo vetëm sepse Andersoni del jashtë temës për të shkruar për librin e shkëlqyer të Clarkut mbi revolucionet evropiane të viteve 1848-‘49, por edhe për qëndrimin e Schroederit ndaj politikave të brendshme dhe të jashtme amerikane në vitet e fundit të jetës së tij (Schroeder vdiq në vitin 2020). Andersoni mbështetet gjerësisht në punën e tyre – te Clarku në librin e tij të jashtëzakonshëm Sleepwalkers (2012) dhe te Schroederi në një seri artikujsh në revista të njohura (ai botoi pak libra) – për të theksuar pikën që ai beson si më të rëndësishme: jo pse ndodhi lufta, por si ndodhi?
Renouvin, që kishte luftuar vetë në Luftën e Madhe, ishte si shumë historianë të tjerë më i shqetësuar me pyetjen “pse”? Ai fajësonte Fuqitë Qendrore që, siç thotë Anderson, ia kishin “imponuar” luftën Evropës. Albertini ishte një historian i pazakontë: kishte qenë gazetar dhe më pas pronar i Corriere della Sera, një post nga i cili u largua nga Mussolini, pavarësisht se kishte qenë mbështetës i hershëm i fashizmit. Sipas Renouvinit, Italia luftoi në Luftën e Madhe për t’i dëshmuar Evropës se ishte me të vërtetë një nga Fuqitë e Mëdha; por, sigurisht që nuk ishte, dhe një kosto e tmerrshme në jetë, para dhe reputacion u kërkua në përpjekjen e Italisë për të pretenduar të kundërtën.
Fischer, ndërkohë, u lavdërua nga një brez i tërë gjermanësh dhe ndikoi te shumë historianë të mëvonshëm, duke argumentuar se faji për luftën ishte kryesisht i vendit të tij. Megjithatë, reputacioni i tij u dëmtua nga anëtarësia e tij në partinë naziste – për çka Anderson pranon se Fischer u bashkua sepse karriera e tij përndryshe do të kishte qenë e bllokuar – si dhe nga shërbimi i tij si paramilitar dhe flirtet e tij me antisemitizmin. Andersoni mendon se Fischeri nuk i fshehu mirë këto fakte për të kaluarën e tij. Megjithatë, kjo nuk ndikoi në fuqinë e analizës së tij për shkaqet e luftës; Fischer pretendoi (dhe Anderson lë të kuptohet se Fischer po thoshte të vërtetën) se nuk dinte asgjë për mizoritë e nazizmit derisa ato u zbuluan pas luftës. Kjo e bëri atë t’ia kthente shpinën regjimit që dikur kishte mbështetur dhe doktrinës kulturore të bindjes, të rrënjosur fillimisht te prusianët dhe më pas te Perandoria Gjermane e krijuar nga Prusia.
Kapitulli mbi Wilsonin i shërben Andersonit për të vënë në pah një kundërvënie që ai admiron, duke sugjeruar se imperializmi ishte faktori kryesor që çoi në luftë – një qëndrim kundër argumentit se dëshira e Gjermanisë për dominim botëror ishte shkaku kryesor, dhe se vendi kërkonte gjithmonë rrethana për të lehtësuar këtë qëllim që nga epoka e Bismarckut e tutje.
Anderson argumenton se Lufta e Madhe do të ndodhte gjithsesi, për shkak të tensioneve të pazgjidhura në Evropë pas Kongresit të Berlinit më 1878 dhe krijimit të Perandorisë Gjermane pas fitores prusiane mbi Francën më 1871. Ai pyet: “Nëse Gavrilo Principi do të kishte dështuar në Sarajevë, a do të kishte hequr dorë Serbia nga synimi i saj për shpërbërjen e Perandorisë Habsburge, apo Austro-Hungaria do të kishte pushuar përpjekjet për të shkatërruar Serbinë apo Rusia hakmarrjen ndaj Austrisë? A do të kishte ndaluar Gjermania përpjekjet e saj për Politikën Botërore [Weltpolitik], Franca për t’u hakmarrë për Alsas-Lorenën, dhe Britania për dominimin e deteve”? Anderson përfundon duke thënë se këto “nuk janë kundërfakte të besueshme”.
Anderson herë pas here është i stërgjatur; në raste të rralla, madje gabon. (Për shembull, kajzeri Wilhelm II nuk ishte në të njëzetat kur largoi Bismarckun; ai ishte 31 vjeç.) Por, Disputing Disaster mbetet një libër jashtëzakonisht i mirë dhe me interes të madh, që duhet lexuar nga të gjithë ata që interesohen për historinë e Luftës së Madhe – dhe do të sigurojë që diskutimi i shëndetshëm për origjinën e saj të vazhdojë. /Telegrafi/