Kush është Al-Jolani, ish-njeri i ISIS-it që u kthye në demokrat për të marrë kontrollin e Sirisë!

07 dhjetor 2024 | 12:27

Regjimi i Asadit ka përfunduar, të gjitha sektet fetare do të kenë të drejtën të bashkëjetojnë, Siria meriton një qeveri gjithëpërfshirëse, jo një autokrat që merr vendime i vetëm.”

Kështu shprehet Abu Mohammad al-Jolani, lideri i rebelëve që, pas marrjes së Aleppos, marshojnë drejt Damaskut.

Aspirata e tij është qartazi të bëhet pasuesi i Bashar al-Asadit, diktatorit që sundoi Sirinë me dorë të hekurt për një çerek shekulli, pasi babai i tij, Hafez, kishte bërë të njëjtën gjë për tre dekadat e mëparshme.

“Kam marrë vendime të gabuara në të kaluarën, por njerëzit bëhen më të urtë me moshën; kjo është në natyrën njerëzore,” shtoi Jolani në intervistën të dhënë dje për CNN-in, i vetëdijshëm për reputacionin e tij të kaluar, ndërsa një vend me 23 milionë banorë duket në prag të rënies në duart e tij.

Por kush është me të vërtetë lideri i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), lëvizja islamike e formuar prej tij gjatë luftës së gjatë civile siriane?

Grupi i tij ka lindur nga al-Kaeda dhe ISIS, dy organizata terroriste, por gjatë dekadës së fundit ka ndërprerë lidhjet me të dyja.

Për Shtetet e Bashkuara, të cilat e burgosën në Irak gjatë pushtimit për rrëzimin e Sadam Huseinit dhe më pas, pasi e liruan, vendosën një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e tij, ai mbetet një xhihadist, një ekstremist islamik.

Kurdët, të cilët deri vonë e konsideronin armik, tani shprehen të gatshëm të negociojnë me të, nëse ai u siguron hapësirën që ata kërkojnë.

Nga ana e tij, Jolani këto ditë është shprehur i hapur madje për marrëdhënie me Rusinë e Putinit, armikun e tij të betuar deri dje, si mbështetësi kryesor ushtarak i Asadit.

I lindur në Arabinë Saudite 42 vjet më parë, Jolani u zhvendos në Damask me familjen kur ishte fëmijë. Është rritur në një klasë të mesme, ka studiuar dhe ka aftësi të padiskutueshme karizmatike si dhe zotësi politike e ushtarake.

Ai tregon se është radikalizuar në kohën e Intifadës së Dytë Palestineze, në vitin 2000.

Është bashkuar me al-Kaedën gjatë luftës në Irak, por më pas ka braktisur ideologjinë e një lufte të shenjtë globale kundër Perëndimit, është distancuar edhe nga ISIS-i dhe ka ndjekur një rrugë nacionalizmi sirian, sigurisht në emër të Islamit, por pa deklarata xhihadiste.

Ai ka qeverisur Idlibin, qytetin e Sirisë që ka qenë bastioni i tij, me moderacion dhe pragmatizëm.

Gjatë pandemisë Covid, popullsia thoshte se ishte më mirë e administruar nga rebelët e Jolanit sesa nga qeveria e Asadit.

Ndërsa avancon drejt Damaskut, lideri i HTS-së shpall tolerancë fetare.

Këtë javë, përpara se të niste ofensivën nga Aleppo, duke folur si dikush që ndihet tashmë lider kombëtar, ai deklaroi se lëvizja e tij mund të shpërbëhet dhe se diversiteti shoqëror i Sirisë do të respektohet.

Ekspertët e çështjeve të Lindjes së Mesme paralajmërojnë se Jolani nuk është një liberal demokratik.

Gazetarja që e intervistoi për CNN-in mbante shami.

Por ai mund të mos jetë një fundamentalist i tipit të talebanëve, edhe sepse Siria nuk është Afganistani.

Nëse është ai pasuesi i Asadit, koha do të tregojë nëse sirianët dhe Lindja e Mesme kanë fituar apo humbur./CNN

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, ka reaguar ndaj…