Kush është Arbër Bullakaj, shqiptari i parë që tenton të hyjë në parlamentin zviceran
Arbër Bullakaj ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare në vendlindjen e tij në Suharekë. Dy ditë pasi Arbri i kishte mbushur 8 vjet, së bashku me nënën, dy vëllezërit dhe motrën e tij kishin marrë rrugën e migrimit drejt Zvicrës. Në St.Gallen iu bashkuan babait të tij i cili punonte në Zvicër që nga vitet e 80-ta, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.
Në vitin 1994, në Kosovë ende nuk kishte filluar lufta por Arbri tregon se familja e tij e dinin që nuk kishin zgjidhje tjetër pos migrimit pasi në Kosovë kishte filluar të vinte era luftë.
“Ne e dinim se në Kosovë do të fillonte lufta por nuk e dinim kohën e saktë, në atë kohë patën filluar edhe demonstratat, pra i kam përjetuar edhe demonstratat e para, e kam pa se çka do të thotë me jetu nën represion ushtarak dhe politik”, ka rrëfyer Bullakaj për Gazetën Jeta në Kosovë.
Natyra, ngrohtësia e familjes, shoqëria, janë imazhet e bukura që ai kujton nga fëmijëria e shkurtër që ka kaluar në qytetin e Suharekës.
“Unë e kam përjetuar jetën qysh është me u rritë në Kosovë, e kam parë se si është me u rritë afër natyrës, ka qenë një anë shumë pozitive, domethënë me pas një hapësirë, me pas një jetë bashkë me familjen”, ka thënë Bullakaj.
Ndërsa ana tjetër e medaljes, e cila ka lënë gjurmë në personalitetin e Arbër Bullakajt dhe ka qenë një ndër faktorët kryesor që ai sot është aktiv në politikën e Zvicrës, është liria e munguar në Kosovë.
“Mirëpo e kam parë edhe anën e keqe, në atë kohë kur nuk ishim të lirë, në atë kohë kur Kosova ishte nën ndikimin e Serbisë e kam parë se çka do të thotë mos me i pas disa të drejta demokratike. Edhe kjo normalisht që ka ndikuar shumë edhe në personalitetin tim edhe besoj se është njëra prej pikave më të rëndësishme pse unë sot merrem me politikë në Zvicër”, ka treguar Bullakaj.
“Si ka me qenë në Zvicër, a do të më pëlqej mua, a do të gjej shokë siç i kam lënë në vendlindje, a do ta mësoj gjuhën”, kanë qenë pyetjet që ai ka bluar në mendje si një nxënës i klasës së dytë, kur kishte marrë rrugën për në Zvicër.
Por të gjitha këto pyetje që Arbri ia kishte shtruar vetes kanë marrë përgjigje posa ai kishte arritur në St.Gallen. St.Gallen ishte shndërruar në strehë për shumë familje shqiptare që kishin ikur nga Kosova.
Edhe pse Arbri nuk dinte asnjë fjalë të gjuhës gjermane, sa për fillim ai e kishte mundësinë të fliste shqip me fëmijët e tjerë shqiptarë që ndanin të njëjtën histori e dhimbje me të.
“Kur erdha, ishte një vend ku kishte shumë shqiptarë, në fakt kjo ma lehtësoi pak sepse në fillim mund të kuptoheshim edhe në gjuhën shqipe me disa persona, se atëherë kishte shumë emigrantë shqiptarë ne nuk ishim të vetmit por kishte edhe shumë familje të tjera që kishin migruar nga Kosova”, është shprehur Bullakaj.
Pas 8 muajve që kishte ndjekur kurse të gjuhës dhe kishte qenë pjesë e një klase integruese, Arbri kishte filluar të ndiqte mësimin në një klasë së bashku me nxënësit zviceranë.
Partner i kompanive me 100 mijë punëtorë.
Arbër Bullakaj kishte filluar praktikën si kontabilist në një kompani në Zvicër, në të cilën pas tri viteve kishte arritur të bëhej shef i financave. Pas disa viteve si i punësuar në kompani të tjera, Bullakaj ka vendosur ta hapë kompaninë e tij, “A&O Consulting”, që merret me implementimin e njërit prej programeve më të mëdha në botë për kontabilitet, SAP.
Po bëhen 8 vite që kur Bullakaj udhëheqë një kompani në Zvicër që numëron deri në 10 punëtorë.
“Aty e fillova dhe qe 8 vite jam konsultues i kompanive të mëdha, bankave të mëdha ose të disa kompanive me 3 ose 4 mijë punëtorë deri në 100 mijë punëtorë”, ka thënë shqiptaro – zvicerani Bullakaj për Gazetën JnK, përcjell Albinfo.ch.
Kosova përsëri është kthyer në radarin e Bullakajt, pasi ai ka vendosur para 3 viteve për të hapur edhe një zyrë në Kosovë, ku janë të punësuar 30 persona.
“Mirëpo nuk e lash me aq, jam duke u marrë edhe me informatikën, jam partner i një kompanie për IT Consulting, e aty kemi edhe një zyre në Kosovë”, ka shpjeguar ai.