Kush është baba i kombit dhe për cilin komb e keni fjalën!?
Sylejman Krasniqi
Nocioni “baba i kombit” kohët e fundit shumë po përmendet tek ne. Sidomos nëpër raste përkujtimi në përvjetorë të ndryshëm të figurave me peshë në historinë tonë të bujshme, në artin dhe kulturën tonë të pasur dhe në të arriturat e tjera të shkencës dhe të dijes në përgjithësi, nga shqiptarët përgjatë shekujve. Nocioni “baba” u atribuohet edhe njerëzve me të arritura të veçanta në lëmenj të ndryshëm të shkencave dhe të arteve. Por atyre u thuhet shembull: baba i historisë shqiptare; baba i gjuhësisë shqiptare; baba i mjekësisë, i muzikës, i koreografisë dhe i shumë e shumë fushave të tjera të dijes.
Kemi dëgjuar shpeshherë të thuhet se baba i kombit shqiptar është Gjergj Kastrioti. Disa të tjerë thonë se është Ismail Qemali. Të tretët thonë për Enver Hoxhën. Dy-tre dhjetëvjetëshat e fundit disa e përmendin edhe Rexhep Qosen për baba të kombit. Është një rregull i pashkruar se njeriut nuk është e udhës që t’i jepen tituj dhe epitete për së gjalli sepse jetës nuk i dihet. Secili shprehet sipas shijes dhe orientimit politik e partiak të tij. Por rrallëkush e vret mendjen se “babai” nuk është pronë partiake e as prodhim i shijes së individit.
Në 20-vjetorin e zhdukjes së ideologut dhe vizionarit të pashembullt të çështjes kombëtare shqiptare, Ukshin Hotit, u mbajt një akademi politike dhe shkencore. Atë ditë të gjitha shtëpitë televizive dhanë reportazhe nga ai tubim. Në shumicën e televizioneve, ndër të tjera, u tha se Ukshin Hoti është “baba” i kombit. Mbeta i habitur nga këto që i dëgjova. Të nesërmen i hapa gazetat dhe atë çka e kisha dëgjuar dje e lexova në shtypin e ditës. “Andin, baba yt është baba i kombit tonë këtu në Kosovë…”, ishte shprehur kryetari i Kuvendit të Kosovës (“Epoka e re” dt. 17 maj 2019 faqe 7). Përnjëherë më shkoi mendja se po të kishim pasur ndonjë rregullore për t’i shpallur baballarët e kombit, sa baballarë do të na u kishin bërë deri sot? Nga fjalia e thënë më lartë vetvetiu del pyetja se baba i cilit komb duhet të jetë Ukshin Hoti? Baba i pjesës së kombit shqiptar këtu në Kosovë apo baba i “kombit kosovar”? Pse kemi nevojë, ne shqiptarët, të kemi baba në të dy anët e kufirit artificial? Mos edhe kjo e thënë paraqet një sinjal sado të vogël, por zhbirues dhe depërtues, për vazhdimësinë, gati në heshtje për “kombin kosovar”…?! Një gjë është shumë e sigurt: se për të gjallë të Ukshin Hotit, ai kurrë nuk do të pranonte të ishte “baba” i “kombit kosovar”. Ndoshta tani është koha të caktohet “babai i kombit” sepse më vonë lehtë mund të plotësohet edhe ky “vend pune”. E nëse unë e kam keqkuptuar fjalinë, nëse është menduar për babanë e kombit shqiptar atëherë ky “emërim” bëhet me gjykimin-vlerësimin e të gjitha gjymtyrëve të kombit e jo, kurrsesi, nga individi, i cilit do nivel qoftë ai. Për këtë duhet ta thotë fjalën shkenca e nivelit akademik dhe shumëdimensional, bile pas një analize së paku pesëdhjetëvjeçare dhe në një ambient tepër të qetë politik e duke i pasur parasysh të gjitha ngjyrat politike, pa asnjë dallim. Bile me këtë përcaktim nuk munden të merren akademitë e tashme shqiptare të copëtuara dhe të ideologjizuara skajshmërisht, por një akademi e vetme shqiptare e mirëfilltë dhe jashtë çdo ndikimi partiak dhe pushtetar.
Me këto pyetje dhe me këto hamendje që po i paraqes unë, pa as më të voglin dyshim, nuk e vë në pikëpyetje vlerën e pamatur intelektuale, politike, atdhetare, vizionin dhe trimërinë e Ukshin Hotit me i dalë zot shqiptarizmës, si rrallëkush tjetër në historinë më të re të Kosovës.
Është bërë zakon kohët e fundit që të ngrihemi në kurriz të vlerave të njerëzve të vdekur duke i përvetësua ato vlera me çdo kusht dhe pa asnjë kriter. Një pasuri që e ke, çfarëdo qoftë ajo, e që nuk ia din vlerën sa e ke në dorë, patjetër se do ta humbësh-thotë një fjalë e urtë e jona. Shembulli më i mirë për këtë thënie është vet Ukshin Hoti. Sa ishte mes nesh nuk ia ditëm vlerën dhe e përbuzëm me çdo kusht duke e lënë anash. Tani mundohemi të përfitojmë në kurriz të ti. Sa ishte mes nesh e lamë në duar të fatit, kur i kishim të gjitha mundësitë që ta shfrytëzonim, si kapital politik kombëtar që ishte. Bile as nuk e kishte shoqin ndër të gjallët. Dyshoj se edhe breza të tërë do të vijnë e do të shkojnë e nuk do ta kemi një kalibër të tillë politikani, mendimtari dhe veprimtari për çështjen kombëtare. Në viti 1981, kur e dënuan dhe në kohën sa e mbajtën në burg, ndoshta edhe nuk kemi pasur mundësi ta ndihmojmë e ta kishim afër, jo për hatër të ti por për nevojën tonë jetike, të kombit dhe të shtetit tonë Si intelektual kulminant që ishte dhe për mendjemprehtësinë dhe nuhatjen e tij të hollë politike që e dallonte nga të gjithë të tjerët bashkëkohanikë të tij, të çfarëdo niveli, por edhe për vizionin që e kishte për të ardhmen e shqiptarisë ai nuk pati mbështetje në asnjërin krah politik. Kur e them këtë mendoj në krahun “institucioanilst” dhe në pjesën e udhëheqjes së UÇK-së. Për të parët, besoj, nuk ka nevojë për sqarim…, kurse për të dytët e kam një bindje se po të kishin qenë pak më të vëmendshëm…do të gjenin një mënyrë për ta liruar nga burgu, bile Ukshin Hoti do të mund të ishte edhe pjesë e delegacionit në Rambuje! E pse klasa politiko- ushtarake e asaj kohe nuk e kushtëzojë shkuarjen në Rambuje me lirimin e Ukshin Hotit dhe me marrjen e ti në delegacion, këtë e dinë vetëm ata!? Mendoj se kjo ka qenë e realizueshme sepse, si rrallë herë në histori, Kosova ka qenë në qendër të vëmendjes dhe e përkrahur nga faktori i jashtëm.
Po pas lufte a kemi bërë diçka për Ukshin Hotin? Apo për te po na bije ndërmend vetëm kur na duhen votat. Sa herë është kushtëzua Serbia me gjetjen e trupit, të gjallë ose të pajetë, të Ukshin Hotit në këto bisedimet gati dhjetëvjeçare për normalizim të marrëdhënieve? Opinioni nuk ka dëgjua që ndonjëherë është përmend emri i Ukshin Hotit në këto bisedime. Edhe tani kemi pasur mundësi që ta kushtëzojmë Serbinë për shumë gjëra. E pra edhe për gjetjen e trupit të Ukshin Hotit, të gjallë apo të vdekur. Të gjitha këto tregojnë që për fatin e tij nuk kemi shfaqur fare interesim. Na interesojnë vetëm grumbullimi i poenëve politik dhe votat nga fama e tij e fituar me punë, djersë dhe sakrificë, deri në përjetësi, për Kosovën shqiptare dhe për bashkimin shqiptar. E çka po ofrojmë ne pas marrjes së këtyre votave…? Deri tani nuk kemi vërejt ndonjë përparim në cilësinë e asnjë lëmie të jetës…! E mos të flasim për porosinë dhe vizionin filozofik të “babait të kombit” rreth bashkimit kombëtar.
Athua ky është babai i kombit tonë a? Sa shumë po u dashka të kujdesemi për babanë e kombit…! Aq sa nuk dimë gjë për fatin e tij! Dhe kjo nuk ka ndodhur në mesjetë, por në ditët tona!