Kush është Dafina Gexha-Bunjaku që do ta zëvendësojë Arben Vitinë?
Ministria e Shëndetësisë (MSh), pas dorëheqjes së Arben Vitisë do të udhëhiqet nga Dafina Gexha-Bunjaku.
Vitia të premten ka bërë me dije dorëheqjen e tij nga pozita e ministrit, derisa ka shtuar se ushtruese e detyrës së ministrit të Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku, e cila deri tani ka ushtuar pozitën e zëvendësministres.
Arben Vitia është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Kush është Dafina Gexha-Bunjaku?
Dafina Gexha Bunjaku ka lindur në Gjakovë. E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka vazhduar studimet post-diplomike në fushën e menaxhmentit shëndetësor – program i përbashkët i Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Vjenës, Austri.
Është specialiste e epidemiologjisë, dhe ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Departamentin e Epidemiologjisë. Gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit të IKShPK-së për fazën përgatitore dhe menaxhuese për Covid-19.
Gexha-Bunjaku është koordinatore për Kosovën në ECDC (Qendra Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve Ngjitëse), për raportim dhe bashkëpunim në disa fusha. Ka punuar në Programin e Mjekësisë Familjare të zhvilluar dhe përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm, Mbretëria e Bashkuar.