Kush është Edmond Dushi, kandidat për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate
Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, Edmond Dushi është kandidati për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga koalicioni Nisma-AKR-PD, dhe garon me numrin 89.
Nisma Socialdemokrate dega në Gjakovë në faqen e saj zyrtare në “Facebook” ka postuar biografinë e Dushit.
“Edmond Dushi ka lindur me 4 shtator 1965 në Gjakovë. Edukimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje, kurse edukimin superior e vazhdoi në Prishtinë, në kohën kur jeta e studentëve rrezikohej në çdo hap nga forcat policore të regjimit të asaj kohe. Ishte pjesëmarrës në shumë demonstrata dhe protesta të studentëve të cilët kërkonin drejtësi dhe liri më të madhe. Për shkak të represionit dhe përndjekjes së studentëve nga institucionet edukativo-arsimore në atë kohë, Edmondi, si shumë studentë tjerë, u detyrua t’i ndërpresë studimet si absolvent dhe të fillojë të punojë për të siguruar të hyra për veten dhe familjen”, është thënë në këtë njoftim.
Fillimi i luftës në vitin 1998-1999 Edmondin e gjen në vendlindje, por duke dhënë edhe ai kontributin e tij në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Me fillimin e bombardimeve të NATO-s Edmondi me familjen e tij dhe me shokët e lagjes i dhanë ndihmë logjistike pjesëtarëve të UÇK-së dhe banorëve të cilët ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre të djegura nga pjesë të ndryshme të qytetit dhe fshatrat përreth, duke iu hapur “prallazat” dhe duke bërë roje në rastet kur forcat policore dhe paramilitare iu afroheshin shtëpive dhe lagjes. Kështu vazhdoi deri më 10 maj 1999 kur forcat policore-ushtarake serbe i dëbojnë në rrugë Edmondin bashkë me pjesëtarët tjerë të familjes dhe të gjithë ata që ishin strehuar në shtëpinë e tyre. Me atë rast, në qytet arrestohen Edmondi së bashku me dy vëllezërit e tij dhe dërgohen në një qendër grumbullimi në periferi të qytetit të Gjakovës, ku për pesë ditë grumbullohen rreth 300 të arrestuar, që të gjithë shqiptar nga qyteti dhe rrethina”, theksohet në biografinë e kandidatit për deputet Edmond Dushi.
“Pas pesë ditë qëndrimi në atë vend, Edmondin dhe afër 150 të burgosurë tjerë i dërgojnë në burgun e Dubravës ku e përjetojnë tmerrin e bombardimit dhe masakrës të kryer nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, me ç’rast edhe plagoset rëndë.
Ai ishte pjesë e “Grupi të Gjakovës” të cilët Gjykata serbe e Nishit i dënoi me gjithsej 1632 vite burgim, ndërsa Edmondin me 12 vite. “Megjithatë, ai dhe shokët e grupit u liruan pas dy viteve, pas intervenimit të Bashkësisë Ndërkombëtare, dhe me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar i kthehet familjes, shoqërisë dhe qytetit më 25 prill 2001”, thuhet në këtë njoftim.
Pasi që lirohet nga burgu, Edmondi vendos të japë kontributin e tij në zhvillimin e demokracisë dhe organizimin e institucioneve vendore, duke u inkuadruar në OSBE, fillimisht në Departamentin e Zgjedhjeve, si trajner e më vonë si specialist i zgjedhjeve.
“Nga viti 2006 Edmondi inkuadrohet në Sektorin e Qeverisjes Lokale, në kuadër të OSBE-së ku ndër përgjegjësitë kryesore kishte monitorimin e institucioneve lokale në zbatimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e standardeve të qeverisjes së mirë. Gjatë kësaj periudhe ai punoi në komunat e Malishevës, Rahovecit, Junikut dhe së fundmi në Gjakovë. Në ndërkohë, Edmondi u diplomua në nivelin bachelor në programin “Administratë Publike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane” si dhe në vitin 2015 arriti të mbrojë titullin Master i Arteve në drejtimin “Menaxhim i Përgjithshëm” me tezën “Ndikimi i Integrimit Ekonomik në Politikat Fiskale dhe Pritjet për Kosovën””, thuhet në njoftimin e Nismës Socialdemokrate dega në Gjakovë.
Pas 17 vitesh përvojë pune në një organizatë ndërkombëtare me renome, Edmondi vendos të ndërrojë kahjen e karrierës duke u inkuadruar në parti politike dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017 siguron ulëse në Kuvendin Komunal të Gjakovës, ku edhe sot e kësaj dite është ndër asamblistët më aktivë dhe më të zëshëm në adresimin e çështjeve të përgjithshme si dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.