Kush është Eleonora Çeku-Kryeziu, kandidate për deputete
Eleonora Çeku-Kryeziu në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit është kandidate për deputete nga koalicioni AAK-PSD.
Çeku-Kryeziu është eksperte e turizmit dhe ushtrimin e këtij profesioni e ka filluar në Athinë të Greqisë në vitin 1988 ku ka udhëhequr grupe të organizuara të turistëve grekë dhe ndërkombëtarë si lidere e grupeve të turistëve.
Kurse në Kosovë nga nëntori i vitit 1999 deri në fund të vitit 2007 Çeku-Kryeziu ka punuar në disa agjenci të mëdha të turizmit në Prishtinë.
Ndërkaq që nga viti 2008 është pronare e agjencisë “Intours Travel” e cila është e fokusuar në sjelljen e grupeve turistike dhe profesionale në Kosovë.
Po ashtu, ajo është edhe bashkëpronare e kompanisë “TPD Consulting”, kompani konsulente për planifikimin dhe zhvillimin e turizmit.
“Jam autore e disa moduleve profesionale në kuadër të LUX Develompment dhe MAShT-it për klasë të larta në Qendrën e Kompetencës në Prizren. Jam partnere e World Learning nga Uashingtoni DC, për World Exchange Program të Organizatave nacionale Amerikane për Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Kroaci. Jam partnere e disa universiteteve në Evropë që sjellin studentë nga mbarë bota për vizita studiuese në Kosovë”, ka treguar Eleonora Çeku-Kryeziu.
Kandidatja nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Eleonora Çeku-Kryeziu, në një bisedë për “Epokën e re”, ka theksuar se më 6 tetor synon t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovën.
Ajo ka bërë me dije se i ka hyrë kësaj gare për të bërë më shumë për turizmin sepse sipas saj, deri më tani institucionet shtetërore nuk janë marrë seriozisht me këtë çështje.
“Duke parë që asnjëherë institucionet dhe Parlamenti i Kosovës nuk është marr seriozisht me zhvillimin e mirëfilltë të turizmit i cili është sektori më i fuqishëm në botë si dhe duke parë pozitën e pa lakmuar të bizneseve të turizmit, krahasuar me të gjitha vendet fqinje, kam vendosur që të pranoj propozimin për t’u kandiduar në kuadër të koalicionit AAK-PSD. Përkundër injorimit dhe neglizhimit institucional të sektorit të turizmit, falë angazhimit dhe interesimit të bizneseve turistike dhe disa donatorëve të gatshëm për të na përkrahur kam vendosur që të garoj për deputete”, ka deklaruar Çeku-Kryeziu.
Ajo ka bërë me dije se prioritet do ta ketë ndryshimin e politikave të turizmit, ngritjen e vetëdijes për rolin dhe rëndësinë e turizmit i cili kontribuon më shumë se çdo sektor tjetër ekonomik në zbutjen varfërisë, rritjen e punësisë, në fuqizimin e familjes, rritjen e punësimit të femrave dhe të rinjve si dhe në rritjen ekonomike të vendit.
“Do ta fuqizojmë zhvillimin ekonomik në zonat më të varfra të Kosovës përmes zhvillimit të integruar rural dhe turizmit të komunitetit si segment kryesor aty ku ka nevojë më së shumti. Brenga ime është mirëqenia e qytetareve të Kosovës e në veçanti mirëqenia e gruas dhe e të rinjve, shkollimi i mirëfilltë profesional dhe punësimi i tyre”, është shprehur Çeku-Kryeziu.
Në Kuvendin e Kosovës ajo ka thënë se do të jetë zë i fuqishëm për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve e sidomos të nënave vetushqyese, sepse ato kanë nevojë më se shumti për përkrahje ekonomike dhe morale.
/Epoka e re/