Kush është grupi Hamas dhe nga kush mbështetet?
Mëngjesin e së shtunës mijëra raketa u hodhën nga Rripi i Gazës drejt Izraelit, derisa grupi palestinez Hamas mori përgjegjësinë për sulmin.
Ndërkohë, Izraeli ka nisur një kundërsulm ndaj caqeve të militantëve palestinezë.
Por, çfarë është Hamasi?
Hamasi është një grup militant islamik palestinez që sundon Rripin e Gazës. Hamasi është betuar për të shkatërruar Izraelin dhe ka zhvilluar disa luftëra me Izraelin që kur mori pushtetin në Gaza në vitin 2007, raporton BBC, përcjell Telegrafi.
Në mes të atyre luftërave, ka lansuar ose ka lejuar grupe të tjera të lansojnë mijëra raketa në Izrael dhe ka kryer sulme të tjera vdekjeprurëse.
Izraeli gjithashtu ka sulmuar vazhdimisht Hamasin me sulme ajrore dhe, së bashku me Egjiptin, ka bllokuar Rripin e Gazës që nga viti 2007, në atë që thotë se është për sigurinë e tij.
Hamasi në tërësi, ose në disa raste krahu i tij ushtarak, cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe fuqi të tjera. Hamasi mbështetet nga Irani, i cili e financon atë dhe ofron armë dhe trajnime.
Çfarë është Gaza?
Rripi i Gazës është një territor 41 kilometra i gjatë dhe 10 kilometra i gjerë midis Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe. Rajoni është shtëpia e rreth 1.6 milion njerëzve dhe ka një prej dendësive më të lartë të popullsisë në botë.
Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazën dhe vijën e saj bregdetare dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash lejohen të hyjnë dhe të dalin nëpër pikat e tij kufitare. Në mënyrë të ngjashme, Egjipti kontrollon se kush hyn dhe del përmes kufirit të tij me Gazën.
Rreth 80 për qind e popullsisë së Gazës varet nga ndihma ndërkombëtare, sipas OKB-së, dhe rreth një milion njerëz mbështeten në ndihmën e përditshme ushqimore.