Kush është i riu që u plagos në Prishtinë: ‘Canki’ ka të kaluar kriminale
Incidenti me të shtëna me armë zjarri sonte në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, përfundoi me një person të plagosur, i cili tashmë ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. I riu u qëllua dy herë nga të dyshuarit – që akoma nuk janë identifikuar. Hetimet kanë nisur, ndërkohë që tashmë janë zbuluar detaje të reja.
Siç merr vesh Sinjali, i riu që u plagos, është Veton Gashi – i njohur me nofkën “Canki” (rreth 25-vjeçar) është emër i njohur për organet e rendit, si pasojë e të kaluarës së tij kriminale.
‘Canki’ ishte bashkë me një person tjetër në afërsi të shtëpisë tij, në momentin që të dyshuarit gjuajtën me armë dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.
Sipas informacioneve, i riu është plagosur dy herë, në këmbë e në kofshë, por gjendja e tij shëndetësore është stabile – jashtë rrezikut për jetë.
Në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast janë sekuestruar dy gëzhoja, e po ashtu është kontrolluar një automjet që dyshohet se është i përfshirë në incident.
Kurse personi që ndodhej bashkë me të lënduarin ka dëshmuar para hetuesve policorë për atë që ka ndodhur.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia dhe kanë bërë me dije se po ndërmerren veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.
“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë një person ka marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.