Kush është kompania ‘misterioze’ që ka marrë 42 milionë euro nga QKUK-ja dhe MSh-ja? Tahiri bën thirrje për hetime të thella
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se ka pranuar të enjten një material nga një qytetar që tregon se si një kompani për dy vite ka marrë rreth 59 kontrata nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK). Vlera e tyre, sipas Tahirit, shkon në 42 milionë euro.
Ai ka sqaruar se këto s’kanë qenë kontrata njëburimore, por ka thënë se e njëjta kompani ka marrë kontrata njëburimore në vlerë rreth 3 milionë euro për dy vite nga Ministria e Shëndetësisë (MSh).
Tahiri s’ka pranuar të tregojë se për cilën kompani bëhet fjalë.
“Në kohën sa po flisnim, një qytetar i Republikës së Kosovës ma dërgon një material jashtëzakonisht interesant dhe ma ofron një material se si një kompani për dy vjet merr rreth 59 kontrata nga Qendra Klinike Universitare dhe ShSKUK -ja në vlerë rreth 42 milionë euro. Pra, këtu jo kontrata njëburimore, por një kompani e vetme, të cilës sot s’po ia përmendi emrin sepse besoj paska nevojë për një hulumtim më të thellë, i merr rreth 59 kontrata, jo në Ministrinë e Shëndetësisë, në ShSKUK dhe klinika tjera, që vlera e tyre shkon në 42 milionë euro. E njëjta kompani merr kontrata njëburimore nga Ministria e Shëndetësisë për dy vjet rreth 3 milionë euro, pra siç duket ky qenka një supermen që ofron shërbime që vështirë e kanë me i ofruar dikush në Evropë e le më në rajonin tonë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka thënë se Komisioni Hetimor parlamentar për këto kontrata është jashtëzakonisht i rëndësishëm.