Kush është Ozkan Ulutas, komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë?
Nga e marta, zyrtarisht trupat e NATO-s në Kosovë do të udhëhiqen nga gjenerali turk, Ozkan Ulutas.
Por, kush është gjenerali Ulutas, nga vjen dhe cila është karriera e tij e deri tanishme?
Gjeneralmajor Ozkan Ulutas ka lindur në vitin 1967 në Salihli të Manisës. Ka mbaruar shkollën e mesme ushtarake Kuleli në vitin 1985 dhe Akademinë Ushtarake Turke në vitin 1989.
Në karrierën e tij ushtarake ka mbajtur poste të ndryshme të rëndësishme si komandant, shef shtabi, oficer shtabi dhe drejtues në shtabe dhe institucione të ndryshme.
Gjeneralmajor Ulutas ka diplomuar në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë në vitin 2002 dhe në Akademinë e Forcave të Armatosura në vitin 2012.
Gjithashtu, në vitin 2011 ai ka përfunduar një kurs të studimeve strategjike në Republikën Popullore të Kinës.
Ai është duke kryer studimet e doktoraturës në Departamentin e Historisë në Universitetin Ataturk si kandidat për doktoraturë.
Gjeneralmajor Ulutas, ka shërbyer si vëzhgues ushtarak i OKB-së për misionin UNIKOM në kufirin Kuvajt-Irak nga viti 1999 deri në vitin 2000.
Gjithashtu, ai ka punuar me NATO-n, duke përfshirë Komandën e Forcave të Përbashkëta (JFCNP) në Napoli, Itali nga 2005 deri në 2008, dhe Komandën Aleate të NATO-s Transformimi në Norfolk, ShBA nga 2015 në 2017.
Ai është promovuar në gradën e gjeneralbrigade në 2017 dhe shërbeu si shef i shtabit të Trupave të Shpejtë të Dislokueshme të NATO-s (NRDC-Turkiye) në Stamboll nga 2017 deri në 2021.
Së fundmi, ai ishte shef i Departamentit të strategjisë së shtabit të përgjithshëm turk nga 2021 deri në 2023 dhe u promovua në gradën gjeneralmajor në 2023.
Gjeneralmajor Ulutas është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai flet anglisht.
Ndryshe, gjenerali italian, Angelo Michele Ristucca të martën ia ka dorëzuar komandën e KFOR-it gjeneralit turk, në një ceremoni të mbajtur në kampin “Film City” në Prishtinë.
Mandati i komandantit të ri turk të KFOR-it do të jetë njëvjeçar.