Kush është shefi i Kuvendit të Prishtinës, Kupina a Bajçinovci?
Kryesuesi i ri u votua, por i vjetri ligjërisht s’u shkarkua. Në këtë situatë është Kuvendi Komunal i Prishtinës, që të premten në këtë pozitë me 26 vota e emëroi Pëllumb Bajqinovcin.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pati konstatuar se shkarkimi i Fehmi Kupinës më 27 qershor ishte bërë pasi seanca u mbyll nga ky i fundit, andaj vendimi nuk ka efekt juridik.
Monitoruesit e nivelit lokal thonë se Kupina ka pasur mundësi të ndërmarrë veprime të tjera, para se ta mbyllte mbledhjen.
“Ka mundur që ata që e kanë prishur rendin dhe qetësinë t’u jepte vërejtje, ose të propozonte të largoheshin, e pika e fundit është ndërprerja e seancës”, deklaroi Valmir Ilazi nga INPO.
Ai shtoi se Ligji për vetëqeverisje lokale dhe rregullorja e punës së Kuvendit nuk e parashohin në mënyrë të qartë veprimin në këtë situatë, andaj qëndrimi i MAPL-së është me rëndësi.
Komuna zotohet ta ketë konsultuar zyrën ligjore për veprimet e ndërmarra pas letrës së Ministrisë, e edhe një avokat po mendon se u veprua drejtë.
“Ne vlerësojmë se ka qenë e ligjshme, aq më tepër kur për meritat e vendimit nuk ka kontestues sepse ka qenë shumica e votave. Edhe te pjesa procedurale ka qenë në rregull sepse zëvendësi e ka vazhduar mbledhjen”, deklaroi avokati Florim Shefqeti.
Klan Kosova ka dërguar pyetje në MAPL rreth kësaj çështjeje.