Kush është sulmuesi shqiptar Brajan Gruda fanellën e të cilit Thomas Muller e postoi në rrjetet sociale?

22 tetor 2023 | 10:53

Nuk është e lehtë fare të impresionosh një legjendë të futbollit siç është Thomas Muller, por këtë e arriti me shumë sukses talenti shqiptar që aktivizohet në radhët e Mainzit në Bundesliga, Brajan Gruda.

Gruda është djali i ish-futbollistit të njohur shqiptar Bujar Gruda, i cili në vitet e 80-ta veshi fanellën e Vllaznisë së Shkodrës. Në përgjithësi, familja Gruda është e njohur për kontributin e tyre për futbollin shkodran dhe atë shqiptar në përgjithësi.

Gruda u paraqit për 90 minuta në sfidën ndaj Bayernit dhe ndonëse nuk ia arritën qëllimit për të fituar, ai ishte lojtari më i mirë në fushë për ekipin e tij, duke asistuar në golin e vetëm të shënuar në atë takim.

Me të përfunduar ndeshja, Muller mori fanellën e Grudës dhe më pas përmes një postimi në rrjetin social Instagram e falënderoi atë dhe i bëri thirrje që të vazhdojë me këtë formë.

Gruda ka luajtur në shtatë ndeshje të Bundesligës në sezonin 2023/2024 duke grumbulluar 373 minuta në përgjithësi. Ai ka startuar në katër nga këto paraqitje në tetë ndeshjet e Mainzit dhe ka hyrë në fushë si zëvendësues në tri raste.

Golin e parë për këtë edicion të ri të garave, Gruda e ka shënuar në barazimin 2-2 ndaj Borussia M’Gladbach me datën 6 tetor.

Puna e palodhshme Grudës iu shpërblye me debutim në Bundesliga me fanellën e Mainzit, me datën 25 janar të këtij viti, kur ai si një 18-vjeçar u paraqit përballë Borussia Dortmund.

Gruda ka gjithsej nëntë paraqitje në elitën e futbollit gjerman deri më tash, teksa ka një gol të shënuar dhe një asistim.

Para se të bëj debutimin me ekipin e parë, Gruda ishte paraqitur për grupmoshat U19 të Mainzit, aty ku në sezonin 2022/23 arritën të shpallen kampion.

Kur kalojmë tek paraqitjet me kombëtare, Gruda ka veshur fanellën e Gjermanisë duke kaluar nëpër grupmosha të ndryshme.

Fillimisht, ai u paraqit për grupmoshat U15 ndërsa tani aktivizohet për ata të U21 me të cilët ka tri paraqitje por ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës.

Talentin 19-vjeçar do ta shohim së shpejti përsëri në fushën e lojës, kur Mainzi do të përballet me Bochum në udhëtim më datë 26 tetor, teksa Gruda shpreson që do vazhdojë të befasojë të gjithë me kualitetin që posedon në këmbët e tij./Telegrafi/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara njoftuan të dielën se do të dërgojë…