
Kush është tropojani me tre emra i arrestuar nga Interpol?
Përplasja e 4 tetorit në Bllok, me vrasjen në lokalin Monopol, nxori në media disa të dhëna që i dinin shumë pak njerëz në Tiranë.
Mes tyre edhe emrin e Eldi Dizdarit, shtetasi i arrestuar sot në Dubai.
Edhe pse duket i “panjohur” dhe nuk ka portretin tipik të njeriut të krimit, Dizdari është për Interpolin një emër i njohur prej vitesh.
Dizdari është nga Tropoja. Në vitin 1998 babai i tij Naim Dizdari dhe daja i tij u vranë në pritë nga fisi Haklaj. Pak kohë më vonë u vra nga e njëjta dorë dhe xhaxhai i tij Qazim Dizdari.
Që prej asaj kohe Dizdari emigroi dhe krijoi lidhje të forta me protagonistët amerikano-jugor të trafikut të kokainës.
Aktualisht Dizdari mban tre emra, dy prej të cilëve janë të njohur (Eldi Dizdari dhe Denis Matoshi), i treti nuk është bërë ende i ditur. Ai mban dy pasaporta kosovare dhe një shqiptare.
Dizdari është partneri i Suada Sherifi, një vajzë ekrani e shoubizit, ish Miss Shqipëria dhe kanë një fëmijë (foto).
Sipas portalit Alpenews, dosjet e drejtësisë shqiptare për Dizdarin, të mbetura pezull apo të mbyllura në mënyrë të pakuptueshme lidhen me emrin e ish Kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Sipas këtij portali Dizdari ka pasur një urdhër ndërkombëtar arresti të lëshuar vite më parë nga organet holandeze për të njëjtat akuza, por dosja u mbyll nga Adriatik Llalla me ndërhyrjen e një biznesmeni, përkundër shifrës marramendëse të 1.000.000 eurove.
Për këtë shifër citohet një burim që është shumë afër grupit që u përfshi në përplasjen e 4 tetorit në Bllok.
Sipas të njëjtit burim, pasi mori garanci se nuk prekej, Dizdari u rikthye në Tiranë, ku organizoi një grup trafiku dhe bleu prona dhe biznese vetëm dhe me ortakëri.
Por të gjitha lëvizjet e tij u interceptuan dhe prej tyre rezultuan lidhje trafiku nga Tirana në Spanjë, Belgjikë, Gjermani, Holandë dhe Irlandën e Veriut. Grupi u skedua ndërkombëtarisht dhe u fut në rrjetën e përgjimeve të specializuara. Shteti që e shpalli fillimisht në kërkim ndërkombëtar ishte Holanda.
Pas ngjarjes së 613 kg kokainë të sekuestruar në Maminas Arbër Çekaj, i cili ka lidhje familjare me Dizdarin, u arrestua në Gjermani.
Ngjarja e Bllokut forcoi edhe më shumë prozhektorët mbi Dizdarin, i cili u largua dhe u zhduk pa gjurmë, derisa sot mësohet lajmi i ndalimit të tij.
Ai u kap në Dubai në kuadër të maksi operacionit “Los Blancos”, ku u vunë në pranga 20 persona në disa shtete të Europës. Dizdari akuzohet se ishte “koka” e kartelit për pjesën e Shqipërisë. Goditja e grupit u finalizua pas 5 vitesh hetime nga disa agjenci ligj zbatuese në Europë. n.s./ dita