Kush është ‘truri i Putinit’, të cilit ia vranë vajzën me bombë afër Moskës?
Vdekja e gazetares pro-Kremlinit, Daria Dugina disa ditë më parë ku iu vendos një bombë teksa udhëtonte në një makinë pranë Moskës, nxiti menjëherë spekulimet se objektivi i synuar i sulmit mund të ketë qenë babai i saj.
Aleksandr Dugin është një filozof dhe shkrimtar i shquar ultranacionalist që mbron një perandori të re të madhe ruse dhe është një mbështetës i zjarrtë i luftës në Ukrainë.
Sipas disa komentuesve, 60-vjeçari ka pasur një ndikim të madh te Vladimir Putin, megjithëse ai nuk ka lidhje zyrtare me Kremlinin, shkruan Euronews.
Dugin nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me politikën e jashtme ruse, por referencat e shumta për të në shtypin ndërkombëtar si “truri i Putinit” duket se janë të bazuara.
Për disa, ndikimi i figurës së ekstremit të djathtë te lideri rus ka qenë monumental dhe është kyç për të kuptuar pikëpamjen e Putinit për botën dhe vendin e Rusisë në të.
“Nevojitet një kuptim më i gjerë i ideve vdekjeprurëse të Duginit. Rusia ka përdorur librin e tij për 20 vitet e fundit dhe na ka sjellë këtu, në prag të një lufte tjetër botërore,” shkroi gazetari i Washington Post, David Von Drehle në një artikull të botuar në maj, duke e përshkruar atë si “një profet fashist i perandorisë maksimale ruse”.
Kremlini shpesh i bën jehonë retorikës nga shkrimet dhe paraqitjet e Duginit në televizionin shtetëror rus. Ai promovoi termin “Novorossiya”, ose “Rusia e Re”, që Moska e përdori për të justifikuar aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen e rebelëve separatistë në Ukrainën lindore në vitin 2014.
Sipas Duginit, Rusia përshkruhet si një vend i devotshmërisë, vlerave tradicionale dhe udhëheqjes autoritare.
Në librin e tij të botuar në vitin 1997 me titull “Themelet e gjeopolitikës: e ardhmja gjeopolitike e Rusisë”, Dugin ishte kritikues i ashpër ndaj ndikimit të SHBA në Euroazi. Ai bëri thirrje që Rusia të rindërtojë autoritetin e saj në rajon dhe mbrojti ndarjen e territorit të kombeve të tjera.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Dugin në vitin 2015 për shkak se ishte “përgjegjës ose bashkëpunëtor në veprime ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose sovranitetin ose integritetin territorial të Ukrainës”.
Administrata aktuale amerikane argumenton se Dugin vazhdon të luajë një rol keqdashës në çështjet perëndimore.
Një ditë para sulmit ku mbeti e vdekur vajza e tij, Aleksandr Dugin postoi një mesazh në kanalin e tij Telegram duke bërë thirrje që lufta e Rusisë në Ukrainë të marrë përmasa edhe më të mëdha.