Kush është Vlora Hyseni që u propozua nga Rama për shefe të Shërbimit Informativ të Shqipërisë?
Ish-zëvendësdrejtoresha e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Vlora Hyseni, pritet të emërohet drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit (ShISh) shqiptar.
Kështu së paku bëri me dije kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se emrin e Vlora Hysenit ia ka paraqitur të premten presidentit të Republikës, Bajram Begajt.
Rama ka thënë se beson plotësisht se Hyseni ka përgatitjen e spikatur dhe përvojën shumëvjeçare.
Vlora Hyseni ishte shkarkuar nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së AKI-së më 30 qershor, 2021.
Në njoftimin e lëshuar nga presidenca dhe zyra e kryeministrit atëbotë, nuk ishte bërë e ditur arsyeja e shkarkimit të Vlora Hysenit.
Aty vetëm ishte thënë se “zëvendësdrejtoresha e deritashme e AKI-së obligohet që ta bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar dhe t’i ruajë të gjitha informacionet që i ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës”.
“Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, ishte thënë në njoftim.
Ndërsa pak muaj pas këtij vendimi, Hyseni ishte emëruar këshilltare e kryeministrit Rama.
Emërimi i Hysenit në pozitën e shefes së ShISh-it pret vetëm nënshkrimin e presidentit Begaj.
Vlora Hyseni propozohet nga Rama për drejtoreshë të ShISh-it