Kush ia hoqi aparatin Bilal Xhaferit që e mbante në jetë në spital?
Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorëshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, deri në krijimin e familjes së re dhe jeta e puna në atë vend të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit, nga Shqipëria, që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorëshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar kohë më parë prej tij për Memorie.al
Takim im me Bilal Xhaferrin, pas 15 vitesh!
Ishte 6 nëntor 1985. Një javë që jetoja në Amerikë, i kërkova kushëririt tim, Rexhep Hoxhës, në se ishte e mundur të më gjente një punë. Dëshira ime ishte të shkoja në shkollë, ai më regjistroi në kolegjin “Truman”. Djali i Rexhepit, Abdullai, e dëgjoi bisedën tonë që unë isha i interesuar të punoja dhe ai merrte në kontakt më tepër punë ndërtimi, gjë që më pëlqente edhe mua ta bëja. Më tha nëse kisha dëshirë ta ndihmoja ditën tjetër, pasi të mbaroja nga shkolla për të ç’montuar disa tabela në një ndërtesë 3-4 katëshe?
Pranova, ashtu bëmë, vamë nga ora 2 pas mesditës filluam punën. Binte një shi i hollë dhe i ftohtë, sidoqoftë unë fillova punën megjithëse nipi im, Abdullahu, m’u lut ta linim për një ditë tjetër. “Jo’ i thashë unë, ‘do ta mbarojë sot”. Pas më tepër se dy orë punë unë pothuaj isha në vidat e fundit, kur dëgjoj dikush më fliste poshtë në rrugë! Ktheva kokën për të shikuar se kush ishte ai që më fliste shqip! Megjithëse kishin kaluar më tepër se 15 vite, e njoha nga zëri.
Ishte Bilal Xhaferi, i vetmi nga bashkëfshatarët që s’kisha takuar, pasi në të gjitha darkat që më shtruan të afërmit e mi, ky nuk u duk! Cilindo që pyeta: “Ku është Bilali dhe si i ka punët”, përgjigja ishte e ftohtë, thjeshtë: “s’dimë gjë”!
Kur dëgjova atë zë sa nuk kërceva nga shkalla. Unë zbrita shpejt e shpejt dhe e përqafova heroin tim, ndërsa ai më thotë:
-“Mos mendo se nuk çava kokën për ardhjen tënde, më beso, e mora lajmin e ardhjes tënd nga Skënderi para dy ditësh. Sot shkova në shtëpinë e Rexhepit. Difua, më dha adresën se ku punoje, dhe ja, jam këtu Kaso vëllai”.
-“Të faleminderit Bilal, nuk di si ta shpreh kënaqësinë që more mundimin të vish të më takosh, kam aq shumë për të treguar, besoj se një ditë do ulemi të pimë një kafe bashkë”, ja ktheva Bilalit duke i shtrënguar dorën.
-“Po, po për atë erdha, dua të di se çfar ore je i lirë që të bisedojmë, kam aq shumë pyetje”, vazhdoi Bilali.
-“Nga e hëna deri të premten prej orës 9:00 të mëngjesit deri në orën 14:00 jam në shkollë, pasdite, nëqoftëse gjej ndonjë punë, punoj. Të shtunave dhe të dielave jam i lirë”, i’u përgjigja.
-“Athere të shtunën në mëngjes ora 9:00 mund të vish tek qoshja “Western Ave” dhe “Lawrenc Ave”, është një kafe që e quajnë: ”Hollywood”, më pyeti Bilali.
-“Megjithë qejf”,- iu përgjigja.
-“Athere po të lë të mbarosh punën, do shihemi të shtunën në orën 9:00, natën e mirë” – tha Bilali dhe u largua.
Selfos dhe Rexhepit s’u erdhi mirë që do takohesha me Bilalin!
I thashë Selfos se të shtunën që vjen do të takohem me Bilalin, më ka ftuar për kafe. Selfos dhe Rexhepit nuk i erdhi mirë?! Unë e dija, pasi Selfua nuk fliste me Bilalin dhe kisha dëgjuar plotë thashetheme nga të gjithë të afërmit e mi. Rëfimet e Selfos më kishin tronditur dhe tani unë doja të dëgjoja anën tjetër, atë të Bilalit. Me sa kisha kuptuar, fajtor ishte vet Selfua, i cili u dorëzua agjentëve të Tiranës.
E prita me pa durim të shtunën. Kur arrita tek restoranti nuk ishte akoma ora 9:00 e mëngjesit, hyra brënda dhe i kërkova kamarjerit të më jepte një tavolinë nëse ishte e mundur, në një qoshe, për dy persona. Për çudi Bilali ishte aty më parë se unë dhe më foli të shkoja te tavolina e tij. Hëngrëm mëngjesin së bashku dhe i’u përgjigja të gjitha pyetjeve që Bilali më bënte, duke i dhënë një informacion të gjatë për gjëndjen në Shqipëri. Pasi i tregova gjithë odisenë time nëpër burgjet e rregjimit komunist, i thashë se e dija çfarë po ndodhte në Chicago, sipas thënieve, të agjentit K. A.
Bilali u shtang nga të gjitha çfar i tregova dhe u bind se unë nuk isha një spiun. Bilali më bëri një rrëfim si vëllai- vëllait dhe ai më tha me gojën e tij, se: shkak i gjithë hasmërisë ndërmjet shqipëtarëve, ishte puna e agjentëve dhe e spiunëve të Tiranës. Kur më tha se: “Selfua është kushëriri tënd, por është edhe kunati im, më vjen keq që po ta them se është, armiku im, kemi vite që nuk flasim dhe as dua ta shoh me sy kurrën e kurrës, vetëm të të them një gjë: ki kujdes, ti ke vuajtur shumë në jetën tënde, ke nevojë të ç’lodhesh”!
E lamë të takohemi përsëri të nesërmen në të njëjtën orë, dhe që nga ai takim, ne takoheshim çdo të shtunë e të diel. Bilali punonte në një depo grumbullimi materialesh të riqarkullimit. Më tha se nuk kishte shtëpi dhe se flinte në një barakë të depos, pasi pronari ishte çifut i mirë”, siç thoshte Bilali.
Pasi u largova nga Chicago, Bilali erdhi disa herë të më vizitonte në Aurora, një qytet i vogël, 150 km. larg nga Chicago. Bilali më premtoi se do të botonte përmbledhjen me kujtime pjesë – pjesë në revistën “Krahu Shqiponjës”.
Telefonata që më bëri Bilali se ishte shtruar në spital!
Por fatkeqësia goditi, lajmi i hidhur nga vet goja e Bilalit! Ishte java e dytë e tetorit 1986, në mëngjes sapo kisha filluar punën, kur padroni i restorantit, Stefan Hajazi, më tha:
-”Dikush do të flasë me ty”.
-”Alo kush është”? – i përgjigjem!
-”Jam unë Bilali, Kaso”!
-“Mirëmëngjes Bilal, si jeni”?
-“Nuk jam mirë Kaso, jam në spital”, – m’u përgjigj.
-“Si the”? – e pyeta i tronditur.
-“Jam i sëmurë Kaso, analizat që bënë tregojnë se kam tumor në kokë”, – më tha me gjysmë zëri.
-“Në cilin spital je, Bilal? Do të vij sa më shpejt të jetë e mundur!”
-“Jam në spitalin “Masonic 836” W Wellington Ave”, ti mos u mundo të vish, se do të hyj në sallën e operacionit dhe ti nuk do të mund të më shohësh. Hajde më mirë, nesër”, – më këshilloi Bilali.
Mora në telefon të gjithë fshatarët e mi që ndodheshin aty, nëse dinin diçka për shëndetin e Bilalit. Bilali njoftoi edhe Skënder Shuaipin, të vetmin njeri me të cilin flisnin. Shkova të nesërmen në spital bashkë me Rexhep Hoxhën. Në dhomën e Bilalit gjetëm Skënder Shuaipin me gruan dhe nënën e tij. Bilali ishte akoma në gjendje kome, ai nuk kuptonte asgjë çfar♪7 ndodhte për rreth tij, ku infermieret shikonin herë pas here aparaturat.
Koka e tij e mbështjellë me fasho dhe vetëm një pjesë e fytyrës ishte e zbuluar! Pyetëm doktorin se kur mund të përmendej nga ai gjumë i thellë? Na tha se: ”Besoj pas 24 orëve mund të flas”. Ne u larguam dhe e lamë që të vinim ditën tjetër që në mëngjes. E gjetëm Bilalin atë mëngjes të 15 tetorit të zgjuar. Bilali na njohu dhe sytë ju mbushën me lot. Duke i zënë dorën që ishte aq e ftohtë…
Bilali më tha: “Kaso, ky është fundi im”!
E unë i them: -”Të shkuara Bilal, kurajo. Ti je i fortë, do ta kalosh edhe këtë të keqe”!
-“Jo Kaso, prognozat nuk janë të mira, kam mbetur i paralizuar gjysma e trupit, nuk kam asnjë farë ndjenje. Me sa shoh, ky është fundi im”!
-“Jo, jo! Mos e mendo atë kurrë, kurajo Bilal”, – i dhashë kurajo.
Ai kishte nevojë për qetësi dhe unë e Rexhepi u larguam. Operacioni ishte shumë i vështirë, ndoshta i kishin dëmtuar sistemin nervor, dhe në qoftë se do të përmirësohej, ai do të mbetej në karrocë me rrota për atë jetë që i kish mbetur. U ktheva përsëri në fshatin ku punoja, me shpresë që të shkoja një tjetër ditë që ta vizitoja.
16 tetor 1985, herët në mëngjes më telefonoi Skënder Shuaipi i cili më dha lajmin e vdekjes së Bilalit. I thashë pronarit të restorantit, Stefan Hajazit: “Do më falësh, unë do shkoj në Chicago, Bilali vdiq”. Pronari nuk tha asnjë fjalë, me sa kuptova nuk i erdhi mirë, sepse nuk i bëhej puna dhe nuk kish punëtor të mjaftueshëm! Megjithëatë unë ika, u lidha me Rexhepin dhe Skënderin, për të diskutuar dhe për të parë nga ana ligjore se si ishte e mundur të vdiste në spital, kush ishte përgjegjës për vdekjen e tij?!
Skënderi kishte nënshkruar të gjitha dokumentat e Bilalit në spital, si i afërm i familjes. Sipas raportit të spitalit, Bilali u gjend i vdekur, të gjithë aparatet që kontrollonin dhe e mbanin të gjallë, ishin të hequra dhe plaga e operacionit kullonte gjak! Ishte Bilali në gjendje dhe kishte kaq forcë që t’i jepte fundë jetës së tij?! Shumë misterioze!…Kush vallë e bëri këtë…?! Pyetje që kërkon përgjigje…?!
Ramë dakord që funeralin ta bënim të nesërmen. Trupi i Bilalit u vendos në shtëpinë funerale ku erdhën shumë vizitor. Folëm shumë për jetën e tij, në fund thashë edhe unë dy fjalë: “Ne me hidhërim bëjmë homazhe për heroin tonë, kurse Tirana e feston këtë ditë, vdekjen e Bilalit, pena e tij dhe zëri i tij u kishte kallur frikë. Bilalin shumë e kanë dëgjuar e parë, por pak e njohin se kush është Bilali. Historia do të tregojë më mirë se sa i madh ishte Bilali, ai nuk ka vdekur, ai do mbetet i përjetshëm Hero i Kombit dhe i popullit të tij. Lamtumirë, Bilal”!
Të gjithë: Skënder Shuaipi, Romo Idrizi, Rexhep Hoxha, Sabel Hyso, Veiz Sulo, e Selfo Hoxha, që megjithëse nuk fliste me Bilalin, erdhi në funeral dhe patriot të tjerë ndihmuan për shpenzimet e varrimit.
Bilal Xhaferri, simbol i qëndresës kundër komunizmit
Duke u kthyer pas në kohë, do të shikojmë dëshirën e tij që të thyente vargonjt e komunizmit, duke vënë re përpara në një krijimtari të gjithanëshme letrare në gjuhën shqipe, shikojmë se Bilali qëndron si një ikonë suprime e kohës tonë. Refugjati mirëdashës që i shpëtoi komunizmit, flokë thinjur, sy vezullues, një njeri tërheqës dhe mëndje mprehtësi të jashtëzakonshme, e bëjnë këtë njeri, simbol të qëndresës kundër komunizmit dhe diktaturës së rregjimit komunist të Hoxhës.
Bilal Xhaferi ishte truri dhe goja e revistës “Krahu Shqiponjës”. Bilal Xhaferi ishte “gurrë” i bekuar me imagjinatë të dhuruar nga Zoti. Frymëzimi i tij një testament i lidhjes ndërmjet krijimit dhe lirisë së fjalës, me të vërtetë mjeshtër i fjalës që e bëri gjuhën shqipe edhe më të pasur!
Tani që Hero Bilali nuk është më, njerëz që e njohën nga afër dhe njerëz që nuk e njohën, kritik të të gjitha kategorive, mundohen të nxjerrin në dritë anët që e bëjnë Hero dhe anët negative të jetës tij private, pa asnjë të metë në karakter. Instikti i tij si rebel kundër komunizmit dhe kurioziteti i tij, ishin pasioni i gërshetuar me pikëpamjet e tij politike.
Të dish mbi jetën e këtij Heroi, të ndihmon të kuptojmë veprat e tij letrare dhe anasjelltas. Jeta e Bilalit dhe puna reflektoi diskursin e një shoqërie të pa sigurt, në një atmosferë absolutisht komuniste, që ish në erë, duke i diktuar se çfar të shkruante Enver Hoxha dhe gjithë kalemxhinjtë e tij besnik!
Bilali, sidoqoftë, nuk është e vërtetë se ai ishte një disident real i regjimit në fuqi, për këtë arsye shkrimet e tij flasin për kohët e lashta të popullit të tij, për të qenë i gjallë, ai duhej të shkruante diçka për jetën socialiste!
Disa thonë, si A. N., se Bilali ishte një agjent i Sigurimit, që bashkëpunonte dhe i thurte Lavdi Partisë Komuniste të Enverit, në një kohë kur babanë e Bilalit e ekzekutuan komunistat dhe si mundi ky shkrimtar çam të arrijë deri atje lart, sa të bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku u bë i famshëm me kritikën që i bëri romanit të Kadaresë ”Dasma”?! Është e vërtetë që arriti atje lart, por mos harroni se kur u ekspozua biografia e tij, kalemxhinjtë e Enverit e përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Panë dritën e botimit vetëm pak vepra dhe shkrime, si: ”Rrugë dhe fate”, “Njerëz të rinj tokë e lashtë”. Bilali pati mundësi të arratisej me ndihmën e kunatit të tij Selfo Hoxhës, në fund të gushtit 1969. Pas një viti emigroi në SHBA-ve, nga viti 1970-1972, punoi redaktor në gazetën “Dielli”. Më 1972 në Prishtinë u botua romani “Ra Berati”.
Në vitin 1974 formoi organizatën “Lidhja çame”, me revistën ”Krahu Shqiponjës”, ku botonte artikuj të ndryshëm të autorëve shqiptarë që ndodheshin në mërgim. Botonte shkrimet e tij, artikuj, poezi, fragmente nga novela dhe libra të ndryshëm, botoi karikaturat e tij, skicat, fotografi dhe filma të shkurtër të bërë nga vet Bilali.
Bilali në dëshpërim më tregoi për humbjen e madhe të vitit 1981, kur agjentët e Tiranës, ndoshta në bashkëpunim me njerëz të tij të njohur i dogjën zyrën e redaksisë “Krahu Shqiponjës”. Ai dyshonte te kunati i tij, këtë ma tha vet Bilali.
Në vitin 1978 Bilali i shpëtoi një atentati në New York nga disa njerëz krejt të panjohur, të cilët e plagosën me thikë. Universi i Bilalit ish i pamasë, në hapësirë dhe kohë, qëllimi i tij të zbulonte historin e popullit të tij të lashtë, për ta përjetuar në veprat e tij. Ky ishte Bilali tim, ky ishte Bilali tonë, ky ishte heroi i kombit tonë…!/Memorie.al