Kush ishte 26 vjeçari që vdiq dje në Qendrën e Studentëve në Prishtinë
Një rast tragjik ndodhi pasditen e djeshme që mori vëmendjen e të gjithëve. 26 vjeçari Agon Musliu humbi jetën pasi u hodh nga kati i pestë i konviktit numër 7 te Qendra e Studentëve. Musliu, për fat të keq, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë me të arritur në Qendrën Emergjente, pavarësisht që mjekët kujdestarë tentuan ta mbanin në jetë përmes reaminacionit.
Sipas raportimeve të para, thuhet se i riu gjilanas kishte dëshmuar se ka probleme shëndetësore me të arritur në Kosovë pas kërkesës së bërë nga familjarët e tij, por që, pavarësisht kësaj, i ishte kërkuar të futej në karantinë. Madje dëshmitarë të cilët qëndruan me të e thanë të njëjtën gjë, duke shtuar se ai ua kishte vërtetuar institucioneve përgjegjëse këtë gjë.
Lidhur me e rastin tragjik të ndodhur dje reaguan thuajse të gjithë krerët e shtetit, të cilët kërkuan hetimin e këtij rasti. Por tek reagimet duhet përjashtuar ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, ministren e Drejtësisë dhe personalisht ministrin e Shëndetësisë (duke mos përfshirë këtu një njoftim të përgjithësuar pa shumë të dhëna nga ministria e Shëndetësisë).
Për dallim nga kryeministri në detyrë, presidenti, kryetarët partiakë e shumë njerëz të tjerë të rëndësishëm të vendit, tre nga ministrat kyçë nuk thanë as edhe një fjalë mbrëmë lidhur me këtë.
Familjarët e të ndjerit, por edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, deklaruan se Agon Musliu ishte student i dalluar i nivelit Master në Gjermani, shkruan Indeksonline.
Por jo vetëm kaq, Agoni ishte i tillë edhe gjatë ndjekjes së shkollimit në Kosovë, sa ndiqte mësimet fillore në fshatin Livoç i Epërm e më pas në gjimnazin ‘Zenel Hajdini’ në drejtimin Matematikë-Informatikë.
Madje i njëjti ishte zgjedhur edhe ‘Lexues i Dalluar i Bibliotekës Fan S. Noli’ në Gjilan.
Ai kishte udhëtuar për në Gjermani për t’i ndjekur studimet, por me të ndryshuar situata lidhur me pandeminë, më pas ato u ndërprenë.
Agon Musliu ishte fëmija i vetëm i familjes. Lidhur me vdekjen e tij ngushëllime shprehën shumë udhëheqës institucionesh, familjarë e qytetarë të vendit që, pa dyshim, me shumë dhimbje pranuan lajmin për vdekjen e tij.