Kush ishte anëtari i parë i familjes Jashari që u vra dhe kur u shua komandati, Adem Jashari?
Xhevat Imeri, në një rrëfim për dokumentarin ‘Expose’ na tregon më gjerësisht se çfarë ndodhi me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në sulmin mbi familjen Jashari.
Imeri thotë se e para që ka rënë në betejë ka qenë, Adilja, gruaja e komandantit Adem Jashari.
Ai, thotë se e njëjta është vrarë në mesin e shkallëve të shtëpisë, me çantë në dorë dhe fishekët duke i bartur.
“Adem Jashari edhe familja Jashari, komplet ajo pjesë e lagjes, e vetmja sipas Besartës që ka ra në ditën e parë ka qenë Adilja. Ajo thotë është vrarë në mesin e shkallëve të shtëpisë, me çantë në dorë dhe fishekët duke i bajt. Kjo të jep me kuptu se edhe vajza edhe gra edhe djemë, të gjithë kanë qenë të bashkuar rreth Adem Jasharit. Ajo vritet e para prej familjes kurse pjesa tjetër e familjes kanë ra me kalimin e kohës. Fatkeqësisht, ajo që është pjesa më e vështirë për familje, është bodrumi i shpisë, ku vetëm në bodrumin poshtë, tani familja duke llogaritur sulmin e parë dhe të dytë që kanë qenë më të lehtë, tani sigurisht e kanë pritur një sulm të tretë më të rëndë, por kjo që ka ndodhur ishte një çmenduri. Forcat serbe, dhe këtu pasi hasin në rezistencë vijnë goditjet e rënda, topat dhe tanket që do të pozicionoheshin në pikat kulmore dhe ajo goditja e rëndë ishte ajo që vjen nga ana e pasme ku në atë dhomë ishin vendosur 14 anëtarë dhe prej atyre të 14 është e vetmja Besarta që mbijeton”, tregon ai.
Ciceroni i kompleksit tregon se sipas rrëfimit të Besartës, e njëjta e ka kuptuar, vrasjen e Adem Jasharit dhe anëtarëve të tjerë të familjes e pasi është ndalur kënga.
Sipas Besartës, komandanti Adem Jashari, ka rënë i parafundit në betejë.
“Ajo fillimisht ka qëndru në mesin e kufomave derisa kanë përfundu luftimet edhe kanë hyrë forcat serbe. Ajo e thotë, Ademi, nuk ka patur ndonjë pozicion të caktuar, edhe pse pozicioni kryesor i Ademit ka qenë kjo pjesa e përballë. Shihet përmes televizionit, kur hyjnë tanket duke rrënuar nga ana e pasme, dhe thotë se pozicioni i parë ka qenë i Ademit dhe i Osman Gecit, dajës nga Llausha. Atë natë kur ka ndodh ngjarja nga ora 12-01:00 e asaj nate, Adem Jashari, Nuredin Lushtaku dhe Osman Geci kanë ardhur nga fshati Ticë, fshati Ticë në atë kohë ishte Spitali Ushtarak, ishin për të vizituar ata që kanë të plagosur në Qirez dhe Likoshan. Gjatë luftimeve Osmani kalon në odë tek Shabani, ku gjatë luftimeve të dy vriten. Kurse Ademi nuk ka patur ndonjë pozicion të caktuar. Ka lëvizur sa në një pozicion në një pozicion tjetër. Po gjithmonë ka qenë ai që ka ardhur tek pjesa e grave dhe fëmijëve duke i’u dhënë frymëzim, pra në njëfarë forme duke i’u thënë forcat serbe do të tërhiqen, ne do të fitojmë”
“Në përfundim Besarta thotë se komandati ka ra i parafundit prej familjes. Vrasjen e Adem Jasharit edhe të anëtarëve të tjerë, Besarta, thotë e kam ditur kur e kanë ndalë këngën sepse Ademi, Hamza, daja Osman, pjesa tjetër e fëmijëve, Kushtrimi, Fitimi, e kam ditë kur janë vra, kur është ndal kënga. Sepse lufta është shoqëru me këngë dhe kur është ndal kënga kam llogarit se është vrarë edhe Ademi edhe familja”, deklaroi Imeri në rrëfimin e tij për dokumentarin ‘Expose’.