Kush ishte Madeleine Albright

23 mars 2022 | 21:14

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur të mërkurën, në moshën 84-vjeçare.

Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.

“Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, u tha në deklaratën e familjes Albright.

Madeleine Albright u lind në Pragë të Çekosllovakisë së atëhershme më 15 maj 1937. Së bashku me familjen e saj shpërngul në SHBA më 1948.

Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clintonit.

Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

Albright vizitoi Kosovën në korrik të vitit 1999, një muaj pas përfundimit të luftës.

“Duke u ngritur kundër [ish-liderit serb, Sllobodan]Millosheviqit, i kemi ulur gjasat për një vullnet të ri të Millosheviqit. Duke ndërtuar paqen në Kosovë, ne do të ndihmojmë në stabilizimin e Ballkanit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë në një Evropë të tërë dhe të lirë”, ka thënë atëbotë Albright.

Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, në Prishtinë u zbulua busti për nder të saj.

Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë.

Gjatë fjalimit në Prishtinë, më 12 qershor të vitit 2019, Albright deklaroi se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”.

“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave”, ishte shprehur ish-sekretarja Albright.

Albright ishte figurë qendrore në administratën e presidentit Bill Clinton. Në mandatin e parë të presidentit Clinton, ajo shërbeu si ambasadore në Kombet e Bashkuara, ndërkaq në mandatin e dytë u emërua sekretarja e 64-të e Shtetit.

Përveç që shtyri përpara ndërhyrjen e aleancës ushtarake të NATO-s në Kosovë, gjatë mandatit të saj si sekretare ajo ka avokuar për zgjerimin e kësaj aleance, ka punuar në reduktimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe ka punuar në të drejtat e njeriut dhe demokracinë në mbarë botën.

Për shkak të punës së saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 ishte nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Shaip Zeka, vëllai…