Kush ishte MEHMET DELIA nga Radisheva?
Shkruan: Albanez Tahiraj
Në epokën e Mehmet Delisë, të vetmet organizime të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit të atëhershëm serb ishin lëvizjet ilegale të njohura si lëvizja e çetave çlirimtare shqiptare apo organizimet komite, ndërsa të angazhuarit në këto lëvizje quheshin komit, cub apo kaçak.
Mehmet Delia ishte në mesin e luftëtarëve të shquar të kauzës kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.
Mehmeti e kishte të ndezur ndjenjën kombëtare që nga mosha e njomë dhe pikërisht për këtë fakt ishte i njohur edhe si Mehmeti i Vogël (këtë epitet e mori për shkak të angazhimit të tij që nga mosha e mitur 14 vjeçare në rezistencën komite), i cili ka lindur në vitin 1891 fshatin Radishevë të Komunës së Skenderajt, në një familje atdhetare, e cila ndikoi në formimin patriotik dhe atdhedashës edhe për të.
Angazhimet e tij të para për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare i filloi në kuadër të çetës së komitëve të Dan Derovcit, ku pas qëndrimit në një periudhë të shkurtë në këtë çetë, kaloi në lëvizjen kaçake të Azem Bejtës, mirëpo pas vrasjes së Azem Bejtës nga forcat serbe, udhëheqja e lëvizjes kaçake iu besua Mehmet Delisë.
Pasi që informohen autoritetet serbe për inkuadrimin e Mehmet Delisë në organizimet ilegale (çetat e komitëve shqiptarë), filloi presioni, persekutimi dhe tortura sistematike ndaj familjes së Mehmet Delisë, ku në vitin 1927 ia masakrojnë babain e tij (i njohur në atë kohë si Mixhë Delia), ndërsa një vit më vonë (më 1928) ia internojnë tërë familjen e tij në Nish të Jugosllavisë së atëhershme, ku në mënyrë të pandërprerë i keqtrajtojnë të gjithë anëtarët e familjes, si dhe në të njëjtën kohë ia djegin shtëpinë dhe tërë pasurinë, me qëllim të ushtrimit të presionit të vazhdueshëm për ta demoralizuar dhe dorëzuar Mehmet Delinë, si dhe për ta detyruar ndaljen e rezistencës së armatosur dhe dorëzimin e tij, por përkundër tërë këtij presioni të jashtëzakonshëm ndaj tij dhe familjes së tij, Mehmetit të Vogël i ngritët morali edhe më tepër dhe bëhet edhe më i vendosur dhe më këmbëngulës për vazhdimin e rezistencës së armatosur, deri në çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.
Gjatë udhëheqjes së lëvizjes kaçake, Mehmeti u hakmorr ndaj forcave serbe, duke ekzekutuar trembëdhjetë (13) oficerë dhe xhandarë serbë te vendi i quajtur “përroi i keq”, i cili gjendet në mes të fshatrave Qubrel dhe Klinë e Epërme e Skënderajt. Gjithashtu mori pjesë edhe në shumë aksione të armatosura kundër forcave çetnike serbe, në të cilat u vranë me qindra oficerë dhe xhandarë serbë, ku ndër më të njohurit ishin edhe oficeri i lartë Kos Vojvoda (famëkeqi, i cili kishte bërë krime të mëdha ndaj popullatës civile shqiptare), si dhe Komandanti i Stacionit Policor në Mitrovicë (të cilin e ekzekutoi në bashkëpunim me Shotë Galicën).
Pas rezistencës së armatosur 12 vjeçare në Kosovë, Mehmet Delia me bashkëluftëtarë ia mësyjnë kalimit ilegal të kufirit me Shqipërinë, dhe pas hyrjes në territorin e Shqipërisë, iu bashkëngjitën çetës së komitëve të Bajram Currit, i cili në atë kohë operonte në territorin e Shqipërisë. Pas një periudhe të shkurtë, Bajram Curri vritet, ndërsa Mehmet Delia me bashkëluftëtarët e tij kërkuan strehim tek Presidenti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, i cili pasi që u informua për Mehmet Delinë dhe bashkëluftëtarët e tij, si dhe pasi që vlerësoi trimërinë dhe guximin e Mehmet Delisë me shokë, të njëjtit me shumë dashamirësi i mirëpret, kurse Mehmet Delinë e nderon me gradën e majorit, dhe të njëjtin e angazhon me detyrë ushtarake shtetërore në Libohovë të Gjirokastrës.
Ndërsa në vitin 1938 e tërë familja e Mehmet Delisë detyrohet nga regjimi serbo-sllav që të largohet nga Kosova (si rezultat i presionit të jashtëzakonshëm) dhe migruan në Shqipëri, më konkretisht në fshatin Hasanaj të Fushë-Krujës, ku qëndruan për disa vite, për t’u kthyer më pas në Kosovë, në vendlindjen e familjes në fshatin Radishevë, ku kthehet vetëm Musli Delia, vëllai i vogël i Mehmet Delisë, kurse dy vëllezërit tjerë Mehmet dhe Qerim Delia vazhdojnë qëndrimin e tyre në Shqipëri. Mirëpo, kthimi i Musli Delisë në Radishevë nuk mirëpritet nga pushteti i atëhershëm serb, dhe fillojnë përsëri maltretimet dhe torturat e pandërprera çnjerëzore ndaj Musliut me familje, ku si rezultat i tyre, Musli Delia detyrohet ta ndërrojë mbiemrin nga Delia në Tahiraj, me të vetmin qëllim dhe shpresë për të “humbur” sado pak gjurmët e kaluara patriotike të familjes së tij (e cila nga regjimi serbo-sllav identifikohej lehtë përmes mbiemrit Delia), në mënyrë që pushteti serbo-sllav ta redukton presionin mbi të dhe familjen e tij.
Kurse, në vitin 1945 Mehmet Delia vritet në Bari të Italisë, ku edhe sot prehen eshtrat e tij.
P.S. Edhe pse në opinion shpeshherë ngatërrohen dhe dyshohet se janë të afërm me njëri-tjetrin për shkak të mbiemrit të njëjtë, vlen të sqarohet se nuk ekziston asnjë lidhje gjaku dhe as farefisnore në mes të Mehmet Delisë nga Radisheva dhe Ahmet Delisë nga Prekazi.