Kush janë fituesit e kontratës milionëshe të MPB-së për pasaporta?
Kompania gjermane AUGENTIC GmbH, me drejtor ekzekutiv shqiptarin nga Kosova, Labinot Carretin, është shpallur të hënën fituese e tenderit 12 milionë euro të MPB-së për furnizim me material të pasaportave.
AUGENTIC GmbH është një kompani e cila ushtron veprimtari në fushën e teknologjisë informative.
Me seli në Mynih të Gjermanisë dhe me shtrirje të gjerë të shërbimeve në Evropë, kompania e ka fituar për herë të parë tenderin me peshë të pasaportave në Kosovë.
Të hënën, Zyra e Prokurimit të MPB-së njoftoi dhënien e kontratës për material për pajisje me dokumente personale. Oferta e konsorciumit të përbërë nga kompanitë AUGENTIC GmbH dhe In Groupe, me vlerë 12 milionë e 231 mijë euro, u zgjodh fituese e kontratës.
Për AUGENTIC GmbH, kjo do të jetë hera e parë që do ta furnizojë Kosovën me pasaporta. Por, jo për Labinot Carretin, shqiptarin që është drejtor ekzekutiv i kompanisë gjermane.
Carreti, ishte përfshirë edhe më parë në tenderin e pasaportave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë. Si përfaqësues i lartë i kompanisë tjetër gjermane, Veridos, ai kishte ndihmuar këtë biznes që ta fitonte tenderin paraprak, me procedurë të hapur, të MPB-së për furnizim me pasaporta.
Sikurse tenderi aktual, edhe ai i pesë viteve më parë nuk kishte kaluar pa hije dyshimi mbi dhënien e kontratës.
Paparaci, bazuar në të dhënat publike që figurojnë në uebfaqen e AUGENTIC GmbH, ka gjetur se faktor i rëndësishëm në ofertën e kompanisë fituese gjermane për pasaportat e kosovarëve, është edhe një rus me nënshtetësi gjermane.
Igor Baraz është bashkëpunëtori i Labinot Carretit në kompaninë AUGENTIC GmbH. Ai është zëvendësdrejtor në shitje globale të kompanisë.
Paparaci, raportoi sot se dy konsorciume private kanë ofertuar në tenderin për pasaporta të MPB-së, të iniciuar vitin e kaluar.
Kriter për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët, raporton Paparaci. Oferta e AUGENTIC GmbH dhe In Groupe ishte për rreth 100 mijë euro më e ulët sesa oferta e konkurrentit të saj, Muhlbauer ID Service GmbH dhe “YMALKO Sh.P.K..
Beteja në OSHP, dyshime për ofertën e fituesit të kontratës
Ministria e Punëve të Brendshme e ka rekomanduar disa muaj më parë ofertën e kompanive AUGENTIC GmbH dhe In Groupe për kontratën 12 milionë euro.
MPB-ja i shpalli të papërgjegjshme dhe i eliminoi nga gara të dy ofertat e dy konsorciumeve private në garë. Procesin e anuloi.
Ky vendim i hapi rrugë një beteje të gjatë administrative mes kompanive dhe MPB-së, i cili vazhdon dhe sot – më shumë se një vit pas hapjes së tenderit.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pas ankesës së konsorciumit privat “Muhlbauer ID Service GmbH & YMALKO shpk” kundër vendimit të MPB-së, e shpall të pavlefshëm vendimin e MPB-së për anulim të tenderit dhe lëndën e kthen në rivlerësim.
Vendimi i OSHP-së vlerësoi se MPB-ja kishte kryer shkelje gjatë vlerësimit të ofertave.
Në ri-vlerësim të ofertave, Komisioni për Ri-vlerësim i Ministrisë së Punëve të Brendshme e shpall fitues të kontratës ofertën e konsorciumit “AUGENTIC GmbH & In Groupe” në vlerë 12,329,261.27 euro.
Vendimi është publikuar më 30 shkurt të këtij viti.
Sipas vendimit të komisionit ri-vlerësues, të dy ofertat u shpallën të përgjegjshme por meqenëse kriter për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët, MPB-ja e rekomandoi për kontratë konsorciumin “AUGENTIC GmbH & In Groupe”.
Edhe oferta e konsorciumit të përbërë nga kompanitë “Muhlbauer ID Service GmbH” dhe “YMALKO Sh.P.K.” u shpall e përgjegjshme, por nuk u rekomandua për kontratë shkaku i çmimit të ofertës, rreth 100 mijë euro më të lartë sesa të rivalit të saj në garë.
Ky vendim i komisionit ri-vlerësues të MPB-së rezultoi të jetë i pjesërisht i pabazuar, raporton Paparaci.
Këtë e konstatoi ekspertiza e një eksperti shqyrtues të prokurimit, e publikuar më 8 maj.
Ekspertiza e OShP-së vlerësoi se vendimi i mëparshëm i OSHP-së, i datës 3 shkurt, “në asnjë rrethanë” nuk ka konstatuar se oferta e “AUGENTIC GmbH & In Groupe” është e përgjegjshme.
“Sa i përket pjesës tjetër të pretendimit se ‘në asnjë rrethanë dhe në asnjë paragraf nuk ka konstatuar OSHP se oferta e GOE të rekomanduar për dhënie të kontratës është e përgjegjshme’, kjo pjesë e pretendimit është e bazuar sepse as Ekspertët dhe as Paneli Shqyrtues nuk kanë konstatuar diçka të tillë”, thuhet në raportin e ekspertizës së OShP-së.
Dyshimet për favorizimin e ofertës së “AUGENTIC GmbH & In Groupe” nga MPB-ja, thellohen edhe me një vlerësim tjetër të ekspertizës së OSHP-së.
Ekspertiza vlerëson se MPB-ja shkeli dy nene të Ligjit për Prokurimin Publik kur rekomandoi për kontratë konsorciumin “AUGENTIC GmbH & In Groupe”, ndonëse i njëjti nuk e ka plotësuar në tërësi kërkesën për stafin profesional.
Konsorciumi privat i rekomanduar për kontratë e kishte përfshirë më vonë ekspertin teknik, Viktor Jermolonoks, në listën e stafit të saj. Emri i tij nuk ishte përfshirë në listë me rastin e dorëzimit të ofertës së saj më 10 qershor 2022.
Po ashtu, kompania e rekomanduar për kontratë nga MPB-ja ia huq datës së referencës për ekspertin teknik, Viktor Jermolonks, sepse referencën e dorëzon me datë 11.10.2022, e cila është datë pas hapjes së ofertave që shpallur më 10.06.2022.
Ndryshimi i listës së stafit të ekspertëve teknik është në kundërshtim me dy nene të Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe me njoftimin për kontratë dhe dosje të tenderit.
“Eksperti Shqyrtuese dhe Eksperti Teknik duke pasur parasysh që eksperti z.Viktors Jermolonoks nuk kishte qenë në listën e ekspertëve me rastin e dorëzimit të tenderit (10.06.2022), sqarojmë se pretendimi ankimor në këtë pikë është i bazuar”, thuhet në raportin e ekspertit të OSHP-së.
“Në lidhje me pikën ankimore të GOE ankues se as Ekspertët dhe as vendimi i OSHP-së nuk e ka trajtuar çështjen e ekspertit z.Viktors Jermolonoks, Eksperti shqyrtues dhe Eksperti teknik sqarojnë se as OE ankues dhe as vet AK nuk e kishin cekur asnjëherë çështjen se ky ekspert ishte futur në listën e ekspertëve pas datës së hapjes së ofertave, por e kishin pranuar si të mirëqenë certifikatën e tij”, thuhet në raport.