Kush janë gylenistët?
Turqia tash e një kohë të gjatë u është vënë pas mbështetësve të lëvizjes Hizmet të klerikut Fethullah Gulen, rivalit kryesor të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Mbështetësit e Gulenit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, konsiderohen terroristë nga Turqia, ndërkaq Lëvizja Hizmet, që ka miliona mbështetës, në Turqi është shpallur terroriste.
Erdogan ka fajësuar Gulenin se qëndron prapa grusht-shtetit të dështuar më 15 korrik të 2016-s në Turqi, dhe prej atëherë, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra persona dhe shumë të tjerë i kanë larguar nga puna, pas dyshimeve se janë “gylenistë”, apo ndjekës të klerikut Gulen.
Çfarë bën Lëvizja e Gulenit?
Kleriku Gulen fitoi famë në vitet ’60, si predikues në lutjet e së premtes. Përmes lëvizjes së tij Hizmet (Shërbim), ka financuar shkolla, media dhe organizata joqeveritare. Kjo lëvizje orperon në mbi 150 shtete të botës. Në këtë mes hyn edhe Kosova, në të cilën gjenden shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm “Mehmet Akif”.
Gulen proklamon se përqafon islamin e moderuar dhe tolerant. Megjithatë, disa qeveri e shohin lëvizjen e tij si kërcënim për shkak të rrjetit që ka në mesin e biznesmenëve të pasur dhe ndikimit që ushtron përmes qendrave arsimore.
Mbështetësit e Gulenit thonë se kjo lëvizje promovon altruizmin, punën dhe edukimin.
Raportet me Erdoganin
Rivaliteti në mes të Erdoganit dhe Gulenit nuk ka ekzistuar gjithmonë. Në fakt, lëvizja e Gulenit ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Erdoganit.
Gulen, përmes mediave që e kanë mbështetur atë dhe lëvizjes së tij, ka ndihmuar që partia e presidentit turk, Partia për Zhvillim dhe Djetësi, të vijë në pushtet më 2002.
Megjithatë, marrëdhëniet mes Erdoganit dhe Gulenit u prishën, për shkak të, siç është thënë, dallimeve në çështjen e ndarjes së pushtetit dhe për stilin autoritar të udhëheqjes së presidentit turk.
“Grup terrorist”
Në maj të vitit 2016, Turqia zyrtarisht e ka njohur lëvizjen e klerikut Gulen, si grup terrorist.
Erdogan për një kohë të gjatë ka akuzuar Gulenin dhe mbështetësit e tij, se dëshirojnë të bëjnë grusht-shtet.
“Ne nuk do t’i lëmë ata që përçajnë kombin”, kishte deklaruar Erdogan, në ditën kur zyrtarisht organizata e Gulenit u shpall si grup terrorist në Turqi, shtet në të cilin njihet me akronimin FETO (Organizata Terroriste Fethullaiste).
Akuza për grusht shtet ndaj gylenistëve, Erdogan kishte bërë pas një skandali të korrupsionit më 2013, ku ishin përfshirë disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Skandali kishte të bënte me akuzat ndaj zyrtarëve shtetërorë që ishin pasuruar duke përdorur fondet shtetërore për të blerë ari nga Irani, dhe për të ndihmuar Teheranin që të shmangë sanksionet ndërkombëtare mbi programin e tij bërthamor.
Turqia vazhdimisht ka kërkuar ekstradimin e Gulenit nga SHBA-ja. Pas tentim puçit më 2016, Ankaraja ka shtuar kërkesat për një ekstradim të tillë, por Uashingtoni zyrtar ka kërkuar prova që dëshmojnë për përfshirjen e Gulenit në puç. Ky i fundit, vazhdimisht ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin si organizatë terroriste Lëvizjen Hizmet.
Burimi: REL, BBC, CNN, Reuters