Kush janë Resnickët, miliarderët që akuzohen për mungesën e ujit për shuarjen e zjarreve në Los Angeles?
Hidranti në Los Angeles po thahet ndërsa zjarrfikësit po luftojnë me zjarret shkatërruese, koleksionistët e artit dhe miliarderët, Lynda dhe Stewart Resnick po përballen me kritika për zakonet e tyre të përdorimit të ujit dhe depozitave private të ujit. Shumë ekspertë thonë se kritikat janë të pabaza.
Resnickët janë pronarë të Wonderful Company, konglomerati që vlerësohet deri në gjashtë miliardë dollarë. Me një pasuri totale prej 13 miliardë dollarësh, Resnickët janë familja më e pasur bujqësore në Kaliforni.
Ata zotërojnë rreth 185 mijë hektarë tokë dhe janë pronarë të shumicës së aksioneve në Kern Water Bank, një rezervuar uji në rreth 20 mijë hektarë në Luginën San Joaquin, afërsisht dy orë me makinë në veri të Los Angelesit, shkruan artnet.
Që kur ndërtuan perandorinë e tyre bujqësore, ata u bënë të njohur edhe si mbështetës të mëdhenj të artit. Ata grumbullojnë vepra të artistëve evropianë, muret e shtëpisë së tyre në Beverly Hills janë të zbukuruara me punime të Picassos, Jean-Honore Fragonard dhe François Boucher, dhe Artnews i ka renditur ata mes 200 koleksionistëve më të mëdhenj të artit.
Ata gjithashtu janë donatorë bujarë për muzetë në Los Angeles. Muzeu Hammer ka marrë rreth 30 milionë dollarë nga Resnickët gjatë viteve, ndërsa Muzeu i Artit të Qarkut Los Angeles (LACMA) ka marrë rreth 90 milionë dollarë.
Pavilioni i Ekspozitës Resnick në LACMA është projektuar nga arkitekti i famshëm Renzo Piano. Ai u hap në vitin 2010 dhe ka një sipërfaqe prej një hektari, duke e bërë atë hapësirën më të madhe muzeale të ndërtuar veçmas dhe të ndriçuar natyrshëm në botë.
Resnickët gjithashtu dhurojnë rregullisht për qëllime ekologjike. Në vitin 2019, ata dhuruan 750 milionë dollarë për Caltech për kërkime klimaterike, transmeton Telegrafi.
Përkundër kësaj, Resnickët kanë qenë shpesh në qendër të kritikave për praktikat e tyre bujqësore dhe fitimet që kanë arritur që kur një hetim nga Mother Jones në vitin 2016 zbuloi se Wonderful Company përdor më shumë ujë se çdo kompani tjetër në Kaliforni. Në vitin 1994, Resnickët fituan 57 për qind të aksioneve në Kern, atëherë një rezervuar uji publik që ishte në prag të mbylljes, në këmbim të furnizimit me ujë për përdoruesit në Kaliforni.
Sot, Kern ofron Resnickëve një qasje të shkëlqyer në ujë, duke u mundësuar atyre të vadisin 130 mijë hektarë tokë bujqësore. Disa kritikë dhe aktivistë pretendojnë se negociatat e çiftit me zyrtarët shtetërorë dhe drejtuesit e rajonit të ujit ishin “sekrete.”
Meqenëse efektet e ndryshimeve klimatike janë bërë më të dukshme vitet e fundit, dhe thatësira në jug të Kalifornisë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, janë shfaqur protesta publike kundër filantropisë së Resnickëve në LACMA dhe Hammer. Pas zjarreve historike të javës së kaluar në Los Angeles, që shteruan hidrantët e zjarrfikësve, kritikuesit e ringjallën shqetësimin për sasinë e madhe të ujit që grumbullon dhe përdor Wonderful Company.
“Resnickët janë të fuqishëm dhe kontrolli i tyre mbi një kaq shumë ujë është absurde”, tha Yasha Levine, regjisori i dokumentarit të ardhshëm Pistachio Wars.
Collecteurs, platformë e artit online që prezantohet si “muzeu digjital kolektiv” i parë në botë, ka ndarë më 14 janar një postim në Instagram që përmend lidhjet e Resnickëve me botën e artit dhe pretendojnë se ata zotërojnë “gati të gjithë ujin në Kaliforni”. Postimi gjithashtu përfshin referenca për mbështetjen e tyre për Izraelin, veçanërisht në mes të luftës në Gazë.
Zjarret e fundit, që mendohet të jenë më shkatërruese në historinë e Los Angeles, kanë vrarë të paktën 24 persona, shkatërruar mijëra objekte dhe detyruar rreth 180 mijë njerëz të evakuohen. Zyrtarët thonë se reagimi ndaj zjarreve nuk është kushtëzuar nga mungesa e ujit, por nga sistemi i ujësjellësit që thjesht nuk ka kapacitet për të shpërndarë sasi kaq të mëdha uji në një kohë të shkurtër.
“Sistemi nuk është projektuar për të luftuar zjarret e pyjeve që prek komunitetin rezidencial”, tha Martin Adams, ish-drejtor i Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Angeles.
Të premten, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, urdhëroi një hetim të pavarur mbi humbjen e presionit të ujit dhe rezervuarin e zbrazur Santa Ynez në Pacific Palisades, ku zjarri më i madh ende nuk është lokalizuar plotësisht.