Kush janë teologët dhe historianët shqiptarë në shërbim të propagandës serbe (1)

09 qershor 2018 | 16:37

Bardhyl Mahmuti

A e pushtuan shqiptarët Kosovën?

Edhe pse janë me dhjetëra teologë myslimanë shqiptarë që përhapin gënjeshtrat e sajuara nga ata që nuk ia duan të mirën popullit shqiptar, kam bindjen se shumica e teologëve myslimanë shqiptarë janë kundër kësaj qasjeje të dëmshme për kombin tonë.

Pas tërheqjes së pushtetit politik, forcave të armatosura, strukturave policore dhe atyre të sigurisë serbe nga Kosova, Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar. Dimensionin politik të këtij procesi e kam trajtuar hollësisht në librin tim dhe nuk do të ndalem aspak rreth kësaj çështjeje.

Ajo që vlen të theksohet në lidhje me temën tonë, ka të bëjë me faktin se tërë arsenali propagandistik i Beogradit u mobilizua për ta paraqitur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe detyrimin e tërheqjes së forcave të tyre nga Kosova si “tragjedi e dytë kombëtare”, duke e krahasuar me humbjen e vitit 1389 në betejën e famshme në Fushë-Kosovë nga

Perandoria Otomane, që e paraqesin si “tragjedi e parë kombëtare serbe”.
Në kontekstin e ri historik të krijuar pas vendosjes së Kosovës nën administrim civil dhe ushtarak ndërkombëtar, i cili duhej të mbyllej me përcaktimin e statusit final të Kosovës, shteti i Serbisë i orientoi të gjitha veprimtaritë propagandistike në funksion të paraqitjes së Kosovës si gjoja “vend i tyre i shenjtë” i ripushtuar nga shqiptarët myslimanë. Në arsenalin e tyre propagandistik u rikthyen të gjitha mitet për gjoja “Kosovën si djep të civilizimit serb”, “dëbimin e serbëve nga Kosova”, “pushtimin e Kosovës nga shqiptarët” e të ngjashme me këto, që kishin për qëllim ta paraqesin strukturën aktuale të popullsisë së Kosovës, me rreth 90% shqiptarë, gjoja si rezultat i pushtimit të huaj. Me një fjalë, përmes kësaj propagande ata synonin të gjenin mbështetje ndërkombëtare për pretendimet e tyre për “të drejtën historike të Serbisë mbi Kosovën”.

Në funksion të kësaj strategjie, propaganda serbe përhapi lajmin se gjoja “një dokument zyrtar i Perandorisë Otomane i vitit 1455, që gjendet në arkivin historik të Stambollit, dëshmon se në shekull XV, në hapësirën e Kosovës dhe Dukagjinit nuk ka pasur shqiptarë. Në tërë hapësirën nga Bjeshkët e Nemuna e deri në Kopaonik kishte vetëm 46 familje shqiptare” (Ovajturski dokument je dokaz: Kosovo 1455 je bilobezAlbanaca (Ky dokument turk është dëshmi: Kosova në vitin 1455 ishte pa shqiptarë) https://www.a1info.net/ovaj-turski-dokument-je-dokaz-kosovo-1455-je-bilo-bez-albanaca/).

Për të qenë sa më bindës në shpërndarjen e këtij “zbulimi”, shërbimet sekrete të Serbisë e orientuan luftën e tyre në gjetjen e ndonjë shqiptari, që do të pohonte publikisht përmbajtjen e këtij “dokumenti”. Nuk e di se përmes cilave mjete, cilave forma dhe me ndërmjetësimin e kujt u arrit, që në mesin e shqiptarëve të gjenden “dijetarë” të tillë që pohojnë se para ardhjes së Perandorisë Otomane në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë. Duke u mbështetur në Memoaret e Sulejman Rexhepit mund të supozoj se ky qëllim ka mundur të arrihet edhe përmes teknikës së korrupsionit me mjete financiare. Ftoj lexuesin të rikujtojë memoarin nr.32 të cituar në shkrimin e mëparshëm: “me vete merrja edhe një shumë të konsiderueshme të dinarëve që m’i jepte me bollëk Kiroja, sepse hasja në shumë xhemat që kishin probleme të rënda sociale. Dhënia e një dinari e shtonte simpatinë për Jugosllavinë. Natyrisht, një dinar atyre e dhjetë për vete”.

Mirëpo një supozim i tillë mbetet hipotezë e mundshme, të cilën mund ta verifikojmë vetë nëse ndonjëri nga pjesëmarrësit e një veprimi të tillë do të dëshmonte publikisht. Vetëm ata që i kanë dhënë ose që i kanë pranuar mjete financiare, e dinë nëse kjo është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Serbia apo përmes shoqatave që vinin nga vendet arabe, të cilët, siç thekson autori i memoareve, “asgjë nuk dinin për shqiptarët, ndërsa për jugosllavët e për Titon ishin në gjendje të heqin dorë edhe prej fesë islame” (Memoari nr.8).

Duke mbetur si hipotezë, tani për tani nuk mund ta di se kush ka marrë dhe sa para ka marrë për xhepine vet, kush dhe sa para u ka dhënë të tjerëve e kush e ka bërë falas. Atë që mund ta dëshmoj me argumente të pakontestueshme ka të bëjë faktin se në mesin e teologëve myslimanë shqiptarë dhe historianëve shqiptarë u gjetën të tillë që pohojnë, njëlloj si propaganda serbe, se gjoja “shqiptarët e pushtuan Kosovën me ndihmën e Perandorisë Otomane”.
Mund të citoj me dhjetëra emra teologësh që pretendojnë se, para ardhjes së Perandorisë Otomane, në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë apo që numri i tyre ka qenë jashtëzakonisht i vogël dhe se gjoja “shqiptarët janë krijuar nga turqit”! Megjithatë, në këtë shkrim do të kufizohem vetëm në rastet, që më duken se përfshijnë në mënyrë më të plotë mohimin e historisë sonë kombëtare.

Po filloj me teologun Irfan Salihu. Pas ligjëratës së mbajtur nga ky imam i xhamisë në Prizren, gjatë së cilës pohoi se gjoja: “në vitin 1445, vetëm 1% e qytetarëve në Kosovë ishin shqiptarë, ndërsa turqit sollën shqiptarët në Kosovë dhe u dhanë toka atyre”, shpërthyen pakënaqësi të mëdha në opinionin publik të Kosovës. Kjo pakënaqësi shtrëngoi Bashkësinë Islame të Kosovës ta pezullojë nga puna për një afat njëvjeçar. Megjithatë, ndaj vendimit të BIK-ut për pezullimnga puna pati reagime të shumta. Vlen të veçohet qëndrimi i Forumit të të Rinjve Muslimanë i datës 3 prill 2015. Në komunikatën e tyre ky forum u dha mbështetje të plotë pohimeve të IrfanSalihut se gjoja “në Kosovë nuk kishte pasur shqiptarë para ardhjes së Turqisë”. Përmenda këtë forum, sepse është tregues që dëshmon se një pjesë e rinisë së besimit mysliman është viktimë e shtrembërimit të tillë të fakteve historike.

Në kohën kur nuk kemi kufij mes disiplinave të hulumtimit shkencor dhe askujt nuk mund t’i mohohet e drejta që, përveç titujve dhe funksioneve që ka, të perfeksionohet në fusha të ndryshme shkencore, rrjedhimisht nuk mund t’i mohohet e drejta teologut të hyjë në fushën e historisë, apo historianit në fushën e teologjisë. Mirëpo, këto tema trajtohen në hapësira të ndryshme, të veçanta për secilën fushë. Mendimet rreth temave historike apo teologjike trajtohen në kuadër të profesionistëve të këtyre disiplinave apo përmes publikimeve ku secili që e konsideron veten kompetent mund të futet në debat. Temat historike nuk duhet të shtrohen nga teologu përpara xhematit të vet gjatë kohës së ceremonive fetare e as nga historiani nuk trajtohen temat teologjike në kuadër të aktivitetit pedagogjik në institucionet arsimore.

Shtrimi i temave historike në mënyrën se si veproi IrfanSalihu është përpjekje për të manipuluar me besimtarët që vijnë për të kryer obligimet fetare. Cilat janë motivet e shpërndarjes së propagandës serbe dhe neo-otomane nga një numër i teologëve myslimanë që këmbëngulin për rishkrimin e historisë sonë,kjo është çështje që nuk mund të trajtohet në kuadër të një shkrimi. Ajo që mund të pohet pa asnjë mëdyshje, lidhet me hapësirën e madhe që u dha deklaratave të tilla nga makineria propagandistike e Beogradit. Të gjitha mediat serbe u vërshuan me titullin bombastik: “Të dhëna të reja historike!!! Hoxha Irfan Salihu: Në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë -ata i sollën turqit” ( tekstualisht në gjuhën serbe: Novi historijskipodaci!!!HodžaIrfanSalihu: Na KosovunijebiloAlbanaca – njih sudoveliTurci! Shih: http://www.info-ks.net/clanak/53849/hodza-irfan-salihu-na-kosovu-nije-bilo-albanaca-njih-su-doveli-turci-video).

Çdokush që shfleton mediat serbe rreth kësaj teme, do të bindet se teologu Irfan Salihu i ka bërë një shërbim shumë të madh strategjisë së propagandës serbe.
Në të njëjtën frymë rreshtohet edhe një numër jo i vogël teologësh dhe osmanologësh shqiptarë që pohojnë se gjoja Perandoria Otomane nuk ka pasur ambicie pushtimin e tokave të huaja, por përhapjen e fesë islame dhe, rrjedhimisht, ata nuk na kanë pushtuar! Madje shkohet deri aty, sa të pohohet se gjoja shqiptarë e kanë pritur ardhjen e Perandorisë Otomane siç e kemi pritur ardhjen e NATO-s në vitin 1999!

Përveç teologut Irfan Salihut në këtë kontekst mund të përmend qëndrimet e Dr. Shefqet Krasniqin, që ka reputacionin të jetë njëri prej personaliteteve më të shquara në Ligën Botërore të Dijetarëve Myslimanë (https://www.youtube.com/watch?v=1LBiMuNwMaY), sepse ai ka ndikim shumë të madh te besimtarët myslimanë shqiptarë. Ndërsa, për formën arrogante me të cilët fyhen intelektualët shqiptarë, që e konsiderojnë Perandorinë Otomane si pushtuese të trojeve tona, ju sugjeroj të shikoni videon e publikuar nga hoxhë Fatmir Latifi (https://www.youtube.com/watch?v=lZR61n_ecGA).

Nuk ka turp më të madh, kur një numër teologësh myslimanë shqiptarë, që nuk janë në të njëjtën kohë ekspertë të historisë, i japin argumente propagandës serbe, që të shpërndajë në botë se gjoja “të dhënat e reja historike për pushtimin e Kosovës nga shqiptarët vijnë nga teologë dhe historian shqiptarë”. Deklaratat e tilla të papërgjegjshme u shfrytëzuan me mjeshtri për të plasuar në opinionin e brendshëm publik dhe atë ndërkombëtar se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur shqiptar, të cilët e paskëshin pushtuar ’tokën e shenjtë serbe’ me ndihmën e Perandorisë otomane”!
Duke pohuar se gjoja “turqit i sollën shqiptarët në Kosovë”, strategjia serbe ka për qëllim të gjejë mbështetës për të ashtuquajturën “të drejtë historike të Serbisë mbi Kosovën”. Foto montazhi i mëposhtëm nxjerr në shesh se çka synon politika e Serbisë dhe në shërbim të kujt janë të gjithë ata që përhapin propagandën serbe.

Turp dhe neveri! Historia e Ballkanit Perëndimor dhe e Kosovës nuk fillon as me ardhjen e sllavëve në këto hapësira e as me ardhjen e Perandorisë Otomane.
Për “t’i shpëtuar” nga ky shërbim që i bëjnë propagandës serbe, teologu Muhamed Kajolli pohon se “kur banorë të fiseve (ilire) pranuan islamin filluan t’i quajnë shqiptarë për t’i dalluar nga të tjerët p.sh. nga arbërit që ishin krishterë. Pra, kuptimi i shprehjes shqiptarët invaduan Kosovën do të thotë, shqipfolësit muslimanë kur invaduan Kosovën (kur u bënë shumicë), nga shqipfolësit ortodoks e jo nga serbët, ndonëse serbët ishin pushtues të tokave të shqipfolësve ortodoks e katolikë që njiheshin me emrin arbër ose me emra të tjerë”.

Foto-montazh që zhvesh qëllimin e strategjisë serbe

Nuk ka turp më të madh për një njeri, që pretendon të mbajë titullin akademik të “Doktorit të shkencave”, ta kufizojë procesin e identifikimit të emrit shqiptar me ardhjen e Perandorisë Otomane dhe ta ruajë si ekskluzivitet vetëm për shqiptarët e besimit islam!!! Këtë e bën vetëm një doktor i llojit të Muhamed Kajollit. Më duket tejet neveritëse të përpiqem t’i nxjerr në shesh të gjitha ndyrësirat që përmban ky paragraf i këtij teologu.
Të gjitha të dhënat shkencore dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme, se shqiptarët kurrë nuk e kanë invaduar (fjalë “invadim” në gjuhën shqipe do të thotë “pushtim”) Kosovën, sepse ata nuk mund ta pushtojnë tokën e tyre. Gjatë pushtimit otoman, një numër i madh shqiptarësh në të gjitha viset e tyre u konvertuan në fenë islame dhe kjo nuk i jep të drejtë askujt të pohojë se gjoja “shqipfolësit na qenkëshin vetëm ilirët e islamizuar për dallim nga arbërit dhe fiset tjera ilire të besimit ortodoks e katolik”.

Nuk i di arsyet pse veprojnë kështu dhe nëse janë të paguar për punën që e bëjnë. Atë që mund ta them me përgjegjësi të plotë, ka të bëjë me faktin se TË GJITHË ATA QË POHOJNË se gjoja “shqiptarët e kanë pushtuar Kosovën” i bëjnë një shërbim të madh politikës antishqiptare të Beogradit. TË GJITHË PA PËRJASHTIM! Qofshin me pagesë, qofshin falas! Qofshin të vetëdijshëm, qofshin të pavetëdijshëm!
Edhe pse janë me dhjetëra teologë myslimanë shqiptarë, që përhapin gënjeshtrat e sajuara nga ata që nuk ia duan të mirën popullit shqiptar, kam bindjen se shumica e teologëve myslimanë shqiptarë janë kundër kësaj qasjeje të dëmshme për kombin tonë.

Nuk do të citoj shkencëtarë shqiptarë, që argumentojnë në mënyrë bindëse se e vërteta është krejt ndryshe, për të mos u dhënë pretekst teologëve që akuzojnë shkencëtarët shqiptarë si “falsifikatorë të historisë”, por do ta përsëris konkluzionin e historianit francez, Alain Ducelier. Rreth pretendimeve serbe për gjoja pushtimin e Kosovës nga shqiptarët ky historian thotë: “Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe arkeologjisë dëshmojnë se ilirët janë, pa asnjë dyshim, paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Çdokush e di se sllavët janë populli indo-europian që kanë ardhur në Europë më vonë se popujt tjerë, sepse vala e PUSHTIMEVE të tyre shtrihet nga shekujt VI dhe VII të epokës sonë. Të gjitha argumentet e tipit “‘historik”’ kthehen kundër tezës serbe, sepse historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë PUSHTUES që kanë ardhur shumë vonë” (Fjala pushtim në citatin e mësipërm u shkrua me shkronja të mëdha nga unë; shih: Alain Ducellier, Les Albanaissont-ilsdesenvahisseursauKosovo ? (A janë shqiptarët pushtues në Kosovës?).

Ju citova konkluzionet e një profesori universitar të Francës, sepse në gjuhën e disa “dijetarëve” tanë dominon shablloni se “Franca është pro-serbe”. Kush është duke i bërë shërbim Serbisë? Për mua është e qartë: ata që u përhapin shqiptarëve gënjeshtrat serbe dhe që u shërbejnë si referencë serbëve në fushatën propagandistike, që ky shtet ka ndërmarrë në skenën politike ndërkombëtare.

Me qëllim që ideja për gjoja “pushtimin e dytë të Kosovës nga shqiptarët në vitin 1999” të mbështetej në “argumente” që do të vinin nga jashtë kampit serb të “shkencëtarëve”, serbët dhe maqedonasit gjetën një “shkencëtar shqiptar”, për emrin dhe mbiemrin e të cilit nuk jam i sigurt si shkruhet. Fjala është për personin emrin e të cilit disa media në gjuhën shqipe e shkruajnë Olsi Jazexhi, përderisa ai vetë identifikohet në profilin e tij të Facebook-ut si Olsi Yazeji, ndërsa për serbët, që u shërben si burim reference, atë e prezantojnë si ОлсиЈахеџи (Olsi Jahexhi)! Ec e merre vesh!
Për dallim nga teologët e llojit të Irfan Salihut thëniet e të cilëve citohen, ndoshta edhe pa i pyetur, Olsi Jazexhi/Olsi  Yazeji/ ОлсиЈахеџи u dha intervistë të drejtpërdrejtë mediave sllave.

Nga intervista ekskluzive e tij dhënë portalit “Srbin.info” do të përmend vetëm disa nga konkluzionet e këtij “shkencëtari”, ndërsa ata që e kuptojnë serbishten kanë mundësi ta lexojnë intervistën e plotë në referencën e mëposhtme.

Olsi Jazexhi/Olsi Yazeji/ Олси Јахеџи pohoi se “që nga themelimi i shtetit shqiptar në vitin 1913 myslimanët kanë qenë të diskriminuar. Krijimi i shtetit shqiptar është komplot i Perëndimit kundër islamit dhe serbëve(…) Estat pashë Toptani u vra për arsye se ishte mysliman dhe mik i Serbisë (…). NATO-ja e shpartalloi Jugosllavinë shtet në të cilin serbët, kroatët, shqiptarët, boshnjakët dhe sllovenët jetonin të lumtur në PARAJSËN SOCIALISTE (…)”. Për këtë osmanolog “Kosova është koloni e NATO-s, ku myslimanët dhe serbët janë të diskriminuar. Myslimanet në Kosovë nuk kanë të drejtë të mbajnë ‘’’hixhab’” ndërsa serbët janë dhe më keq. Ata diskriminohen dyfish: prej shqiptarëve, për arsye të së kaluarës së dhunshme, dhe prej NATO-s, që i sheh si kolonë e pestë e Serbisë dhe Rusisë. Në Serbi dhe në Mitrovicë myslimanët i kanë të gjitha të drejtat…!(https://srbin.info/2016/02/15/albanski-istoricar-jahedzi-zapadne-sile-su-islamofobne-isto-kao-sto-mrz/).

Për të qenë edhe më provokues, Olsi Jazexhi/Olsi Yazeji/ Олси Јахеџи erdhi në Kosovë për të bërë edhe fotografi me simbolin e trinisë, që ortodoksët serbë e kanë ngritur në simbol identifikues gjatë luftërave në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Pas reagimeve të shumta dhe neverisë që shprehu opinioni publik në Kosovë dhe Maqedoni ndaj këtij provokimi, ai u përpoq të arsyetohet se gjoja në këtë foto është “tallur me simbolin e nacionalizmit serb”!

Olsi Jazexhi para përmendores së Car Llazarit serb në Gazimestan të Kosovës

Deklarata e tij, se gjoja është “tallur me simbolin e nacionalizmit serb”, duke ngritur tre gishtat, nuk është asgjë tjetër, pos tallje me opinionin publik shqiptar. Askush nuk i beson një historiani matrapaz, i cili përsërit si papagall propagandën serbe, se gjoja “Parajsa jugosllave është shkatërruar për shkak të komplotit të perëndimorëve, që janë kundër myslimanëve dhe kundër serbëve”. Çdo historian që ka dashur të dijë të vërtetën, ka pasur mundësi të bindet se “Parajsa jugosllave”, që propagandonin serbët dhe shërbëtorët e tyre, ishte shndërruar në ferr për shqiptarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Me dhjetëra mijëra shqiptarë ishin vrarë, torturuar, burgosur dhe dënuar në “Parajsën jugosllave”. Qindra mijëra të tjerë ishin dëbuar nga “Parajsa jugosllave” dhe ishin detyruar të shpërnguleshin në Turqi, me qëllim të realizimit të politikës serbe dhe maqedonase të gjenocidit kundër shqiptarëve dhe të spastrimit etnik të territoreve tona.

Nuk mund të ketë tallje më të madhe për shqiptarët, se ardhja në Kosovë e këtij “shkencëtari” dhe publikimi i fotove me tre gishtat që ishte shndërruar në simbol tëfondamentalizimit ortodoks serb gjatë krimeve që kryen ndaj shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Cili shqiptar mund t’i konsiderojë si serioze punimet e një njeriu të këtij lloji, që i ka vënë vetes titullin e “doktorit të shkencave” për ngjarjet që kanë ndodhur shumë shekuj më parë, përderisa  “krijimin e shtetit shqiptar e konsideron si komplot të Perëndimit kundër islamit dhe serbëve”. Shkenca dhe OlsiJazexhi/OlsiYazeji/ ОлсиЈахеџи janë dy nocione që përjashtojnë njëri-tjetrin!

Çfarë besueshmërie mund të kenë konkluzionet e një historiani për ngjarjet që kanë ndodhur pesëqind-gjashtëqind vjet më parë, kur për ngjarjet e kohës së tashme deklaron se “shteti i Kosovës është koloni e NATO-s, ku myslimanët dhe serbët janë të diskriminuar, ndërsa në Serbinë dhe në qytetin e Mitrovicës”, veriu i të cilit ende kontrollohet nga strukturat serbe, “myslimanët i kanë të gjitha të drejtat”. Në fjalimin e tij mungonte apeli që myslimanët dhe serbët të fillojnë një luftë anti-koloniale për t’iu bashkuar Serbisë!

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, që janë të përkatësisë fetare islame, janë populli më i shtypur dhe më i diskriminuar në Europë. Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët e kësaj Lugine, që padrejtësisht i është aneksuar Serbisë, të konsiderohen si qytetarë që i gëzojnë të gjitha të drejtat vetëm e vetëm pse Serbia ua mundëson femrave të mbajnë ‘hixhab’!

Kur e lexon apo dëgjon propagandën serbe në gojën e Olsi Jazexhi/Olsi Yazeji/ Олси Јахеџи e kupton arsyen pse serbët ia kanë shtuar shkronjën “h” mbiemrit të tij (Jahexhi). Kjo është bërë me të vetmin qëllim, që mbiemri i tij, si funksion, të ndërlidhet me foljen “Jaha”, që në gjuhën serbe do të thotë “kalëroj”. Shkencëtarët e mirëfilltë të disiplinave të ndryshme e kanë për obligim t’ua zbathin patkonjtë “kuajve të tillë të Trojës”, përmes të cilëve historiografia serbe dëshiron të kalërojë mbi të vërtetën historike të Kosovës.

Siç do të shohim në vijim, në përputhje të plotë me orientimin strategjik të propagandës serbe, për të mohuar historinë tonë kombëtare, u aktualizua propaganda shekullore serbe që mohon figurat kryesore të historisë sonë. Kush janë ata “historianë dhe teologë shqiptarë” që u futën, me apo pa vetëdije, në funksion të kësaj strategjie. Çka fshihet prapa diskurseve që mohojnë prejardhjen shqiptare të Skënderbeut, Gonxhe Bojaxhiut dhe në interes të kujt është përbaltja e figurave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare.

(Vijon…)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka propozuar që stadiumi i…