Kush kujt po i lëshon pe?
Agron Hoti
Fraza se “jemi lodhur qe sa vite duke i lëshuar pe Serbisë” është gënjeshtra më e madhe, të cilën politika aktuale e ka instaluar vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet duke e kontaminuar kështu mjedisin politik në përmasa brutale ku as dy veta s’mund t’i bësh bashkë më për asgjë. E si të tillë këtë mega-gënjeshtër duhet dekonstruktuar vetëm duke e pyetur:
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur u çliruam në 1999, kur Serbia pas 100 vitesh efektivisht tërhiqet nga Kosova? Pse s’po i shohim më policët e ushtarët serbë në Kosovë? Kush lëshoi pe këtu, Kosova apo Serbia?
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur u pavarësuam në 2008, pavarësi kjo që u legalizua e legjitimua edhe në GJND në 2010, ku Serbia ishte ajo që lëshoi pe e jo Kosova?
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur morëm mbi 110 njohje të pavarësisë së Kosovës anekënd globit? Kush lëshoi pe këtu?
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur i hapëm ambasadat e konsullatat e Kosovës anekënd globit për herë të parë në histori? Dje i kishim ambasadat jugosllave/serbe ku goja pas veshit na dilte duke u qeshur me zor para serbëve me kravata që as për njerëz nuk na llogarisnin, kurse sot si zotni shkon në ambasada tua, kryen punë e ç’është më fatalja edhe i poshtëron duke i quajtur “shkatërrim 20 vjeçar”. Kush lëshoi pe këtu, Serbia apo Kosova?
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur nga 2008-2018 e kompletuam tërë infrastrukturën institucionale, më e fundit ishte ushtria? Janë 100% të njëjtat i institucione që pushteti aktual i gëzoi të gatshme derisa dje s’i njihte, i sulmonte me bomba e raketa, i poshtëronte, kurse sot të njëjtat po i lavdëron? Këtë polici që po e dërmon së enduri lartë e poshtë kush e bëri, pastaj FSK-në? A ishte krijimi i institucioneve nga A-Zh lëshuarje pe ndaj Serbisë?!
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur Kosova nga 1999 përfaqësohet në glob nga shqiptari e jo më nga Serbia sikur deri në 1999 kur kjo e fundit luante me ne si maca me miun? Deri në 1999 ishte Millosheviqi që fliste në botë në emër tonin, kurse pas 1999 u bëmë vetë zot të shtëpisë e tokës sonë, kush lëshoi pe këtu, Serbia apo Kosova?
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur nga 2008-2018 u integruam në tërë infrastrukturën globale sportive? Deri në 1999 ishte kombëtarja e Jugosllavisë/Serbisë që na përfaqësonte pa na pyetur fare, kurse sot Kosova e përfaqëson vetëveten. Sot sporti kosovar e shkel në çdo cep të botës me po atë flamurin “lara-lara”. Kush kujt i lëshoi pe këtu?
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur kemi plotësuar më së shpejti në rajon kriteret për nënshkrimin e MSA-së në 2016, pikërisht këtë MSA që pushteti aktual s’e votoi në Kuvend në 2015 se atëherë i duhej djegur e sulmuar Kuvendin, ndërsa kur ky pushtet aplikoi sot për anëtarësim në BE veç sa s’e tha “shyqyr që e patëm MSA-në për të mund aplikuar sot për anëtarësim në BE”. A ishte e tëra kjo lëshuarje pe ndaj Serbisë?
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur nga 1999 e deri në 2019 u integruam në të gjithë mekanizmat rajonalë gju me gju si të barabartë me Serbi, bile me përfitime të fondeve të BE-së edhe më shumë si Serbia?
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur sot edhe kryetari serb për t’u futur në Kosovë duhet të marrë leje nga shteti i Kosovës? Kush kujt i lëshoi pe këtu?
Si duket kemi harruar që SHBA për 45 vite e kishte mbajtur të ndarë Gjermaninë, kombin më të madh në Evropë. Vetëm kur SHBA ia doli ta dobësojë BRSS-në, atëherë e bashkoi Gjermaninë. Pikërisht në këtë rënie të BRSS-së edhe Kosova u çlirua nga Serbia. Prandaj, edhe ne në Kosovë, siç bënë gjermanët për 45 vite, e kemi jetike të koordinohemi me SHBA.
Kemi harruar si duket se pikërisht sivjet bëhen 70 vite që prej se është ndarë në dy pjesë Koreja, ndarje kjo kundër Kinës e Rusisë. E bashkimin e saj, sikurse atë të Gjermanisë, do ta bëjë vetëm SHBA varësisht se si do të lëvizin gjërat në Pacifik mes rivalitetit sino-japonez.
E do të jetë lodhja e Rusisë në Ukrainë, ajo që do ta bashkojë përfundimisht veriun e Kosovës me pjesën tjetër. Prandaj, ne duhet ta kryejmë punën tonë siç na thotë SHBA, e me çështje të mëdha merren ata, sepse ne s’kemi këllçe. Konfrontimi jonë me SHBA është dhurata më e bukur që mund t’ia japim Vuçiçit e Putinit, të cilët veçse po bëjnë sehir në këto raporte tensioni Kosovë-SHBA.