KUSH MUND TË QËNDROJË (Thaçi) PAS MOSMARRËVESHJEVE LV – LDK?

29 dhjetor 2019 | 17:17

Bedri ISLAMI

Si duket, koalicioni aq i pritur deri më tani për qeverisjen e Kosovës, mes LV-së të prirë nga Albin Kurti dhe LDK-së së Isa Mustafës, do të ketë vështirësi të mëdha, të cilat , edhe pse duken se kanë të bëjnë thjeshtë me postin e presidentit, janë shumë më tepër se kaq.

Një koalicion që mund të krijohej , më shumë nga inati se nga arsyeja, nuk paska qenë edhe aq i lehtë. Probleme të mëdha, të vjetra e të reja, që ishin e janë mes tyre, po rizgjohen.

Mendimi politik i shpallur i Kurtit është ndryshe në disa raste dhe e kundërt në shumë raste të tjera me mendimin politik të LDK-së.

Fillesat e dy forcave politike janë të ndryshme, devotshmëria është e ndryshme, sprova në pushtet është, po ashtu , e ndryshme.

LV-ja është një forcë politike militante, ku janë në shumicë të rinjtë dhe shumë prej tyre vijnë nga familje me një traditë të njohur çlirimtare.

LDK-ja është një forcë politike oportuniste, ku në shumicë ishin të ardhur nga Lidhja Komuniste e Kosovës dhe ku vizioni dhe idetë janë shndërruar në pazare politike.

Por, e gjitha është çështje e forcave politike, të cilat kishin përballë tyre një qeveri që duhej larguar dhe e larguan, por, si duket, pa mundur të formojnë një qeveri të veten.

Kurti paralajmëron, si është pritur , se qeverinë e re nuk e mandaton dhe as nuk e pret rrugëhapjen nga presidenti, por nga LDK-ja.

Isa Mustafa i kthen përgjigjen ekuivoke, “bëje qeverinë nëse ke numrat”, por votat nuk ka ndër mend të ia delegojë.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, i bën ftesë dy herë në një ditë liderit që ka fituar zgjedhjet dhe pritet të jetë shefi i qeverisë së ardhshme dhe, ai futet në lojë.

Njeriu që bëjnë sikur nuk e llogaritin dhe për vendin e të cilit duket se po prishen ujditë, e njeh lojën e filluar dhe, nuk do të habitesha, nëse pas murit të lojës, është vetë ai.

Kurti nuk mund të bëjë asgjë, as qeveri, as pushtet, as të realizojë idetë e tij , nëse kabineti i tij nuk kalon në parlamentin e Kosovës. Kështu si janë punët, nuk do të kalojë.

Tre muaj pas votimeve figura e tij nuk është më e para…loja përtej saj ka ndikuar në imazh dhe kjo nuk po ndodh rastësisht.

Kërkesa e LV-së për numërimin e votave të ardhura nga Serbia , po ashtu, nuk është shenjë e mirë në mendimin politik të shqiptarëve të Kosovës. Duket si një shenjë kompromisi.

Nga ana tjetër, LDK-ja, e dyta, me një deputet më pak, e njeh lojën e Thaçit, se ka qenë vetë pjesë. I shton edhe lojën e saj që rrugë ka përtej Kosovës dhe bën bllokadën e saj.

LV-ja tregoi një akt force – zgjodhi kryetarin e parlamentit. Konjufca është emër i mirë, babai i Glaukut, Sherif Konjufca është ndër atdhetarët e njohur në Kosovë, por kjo nuk do të thotë se ishte zgjidhja më e mirë e mundshme.

I hap rrugë pazareve të tjera, po aq sa sjell në skenë presidentin. Jo më kot ai ftoi Kurtin për të nisur mandatimin. Në 15 ditë Kurti ose do të dështoj, ose do të bëjë lëshime të mëdha në krijimin e qeverisë.

Në rastin e parë do të jetë përsëri në opozitë.

Në rastin e dytë do të humbë shumë nga idealizmi i tij.

Të vjetrit thonin dikur: “Mos e thaj burimin e vjetër, pa të nxjerrë ujë burimi i ri”.

Kurti i mbylli të gjithë rrugët e tjera, duke menduar se LDK-ja ishte rrugë e mirë.

Është shpejt për t’u penduar, por më mirë tani se shumë më vonë.

Paternalizmi në politikë është i dëmshëm.

Njeriu që nuk e llogarit kundërshtarin e tij, shpejt do e kuptojë se ka nxituar.

Të gjithë po shpejtojnë drejt presidencës dhe, duke shpejtuar, harrojnë se njeriu që është atje, sa do i prapshtë të jetë, nuk e ka ndër mend të ikë pa e luajtur lojën e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea ka mposhtur me rezultatin 2-1 Arsenalin në derbin e…