Kush negocioi për largimin e Raodiçiqit dhe terroristëve nga Banjska?
Më 24 shtator 2023 Banjska u bë qendra e një sulmi ndaj Policisë së Kosovës që tronditi komunitetin lokal dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.
Në këtë ngjarje tragjike, e cila përfshiu përleshje të armatosura midis forcave të sigurisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur të paidentifikuar, humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku si dhe tre prej sulmuesve serb.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës – pranoi përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi të armatosur.
Pasojat e këtij sulmi po vazhdojnë edhe sot, ndërsa autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare po hetojnë shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë akt të rëndë.
Së fundmi lidhur me këtë ngjarje International Crisis Group ka dalë me një draft-raport, ku theksohet se KFOR ka negociuar për tërheqjen e paramilitarëve serbë nga Banjska.
“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport, i cili u citua në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s të mbajtur dy ditë më parë.
E ndaj të gjeturave të këtij raporti ka reaguar misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.
KFOR-i në një reagim publik thotë se ky raportim është i pasaktë.
“Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, vijon komunikata.
Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i thotë se u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë.