Kush përfiton nga procedura e shkarkimit të Trumpit?
Janusz Bugajski
Me përshpejtimin e hetimeve për shkarkimin e presidentit Donald Trump në Kongres, politikanë të ndryshëm mund të përfitojnë ose mund të humbin nga kriza. Më shumë se kushdo, pretendentët demokratë për president do të garojnë për çdo avantazh, ndërsa Trumpi dhe aleatët e tij republikanë do ta vënë në provë unitetin dhe popullaritetin e demokratëve.
Javët e ardhshme mund të rezultojnë vendimtare në garën për nominimin (kandidatin) e demokratëve që do të sfidojë Trumpin në zgjedhjet e nëntorit 2020, duke supozuar se ai do të jetë deri atëherë në detyrë. Skandali që shkaktoi hetimin zyrtar për shkarkim ishte një përpjekje e Trumpit për ta shkualifikuar (kandidatin) kryesues mes demokratëve, Joe Biden, sipas akuzave, duke i bërë presion qeverisë së Ukrainës për ta hetuar atë. Në të gjitha sondazhet e opinionit publik, Trump ndjek Bidenin me diferencë të konsiderueshme, veçanërisht në shtetet ‘e lëkundura’ të cilat duhet t’i fitojë për të mbetur si president.
Trumpi dhe shumë liderë republikanë janë të vendosur ta shndërrojnë procesin e hetimit për shkarkimin e tij në një ‘mjet’ me të cilin ta sulmojnë Bidenin. Ata po përdorin mediat konservatore për të përhapur akuza që janë konsideruar nga ekspertët si teori konspirative pa vlerë. Akuza kryesore, sipas së cilës Bideni kërkoi t’i mbyllte hetimet mbi lidhjet korruptive të biznesit të djalit të tij në Ukrainë, tashmë është hedhur poshtë. Por, ashtu si me sulmet ndaj Hilary Clintonit gjatë vitit 2016, shumë histori do të amplifikohen gjerësisht për t’u dhënë energji mbështetësve kryesorë të Trumpit.
Çështja është se cilët demokratë do të mundohen të përfitojnë nëse Trumpi vazhdon ta sulmojë Bidenin gjatë gjithë fushatës. Edhe pse shumica e demokratëve e mbështesin Bidenin në ‘betejën’ e tij me Trumpin, shumë janë të shqetësuar se ai mund të dobësohet ndjeshëm në sytë e publikut, ashtu si Hilary Clintoni pas akuzave pafund të Trumpit dhe zbulimeve në media.
Jo të gjithë demokratët do ta mbrojnë Bidenin nga sulmet e republikanëve, pasi ata nuk duan që zemërimi i publikut ndaj Trumpit të kanalizohet në mbështetje të plotë të emërimit të Bidenit (si kandidati demokrat). Për momentin, kandidatja e vetëshpallur “progresiste”, senatorja Elizabeth Warren, duket e vendosur të përfitojë nga kjo. Mbështetja për të midis demokratëve është rritur javët e fundit, madje ka eklipsuar zërin kryesor “progresiv” në zgjedhjet e fundit, senatorin Bernie Sanders.
Sidoqoftë, Warren ka pak mbështetje midis republikanëve, të pavarurve dhe votuesve të lëkundur, të cilët do t’i duhen në nëntor të 2020-s, nëse dëshiron të jetë gruaja e parë presidente. Edhe pse fushata do të vazhdojë edhe për më shumë se një vit, mundësia e Warrenit për t’u zgjedhur mbetet ende e diskutueshme.
Vetë Joe Biden mund të fitonte më shumë votues nëse ai do të bëhet më agresiv në ndjekjen e Trumpit në vend që thjesht të mbrohet kundër akuzave të korrupsionit. Në të vërtetë, nuk do të ishte shumë e vështirë që ‘shigjetat’ të ktheheshin kundër Trumpit kur merren parasysh raportimet e shumta për marrëveshje biznesi të errëta nga praktikisht të gjithë anëtarët e familjes së tij. Bideni, gjithashtu, mund të përfitojë nga procesi i hetimit për shkarkim, duke marrë mbështetje për Kushtetutën amerikane dhe për t’i dhënë fund ndërhyrjes së huaj në zgjedhje, të cilën Trumpi e ka mbështetur hapur.
Si një demokrat i qendrës, Bideni ka më shumë gjasa t’i bëjë për vete republikanët e moderuar dhe të pavarurit. Për më tepër, ai ka një të kaluar mbresëlënëse në kongres, qoftë në politikën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme. Vetë Trumpi ka ndërmarrë një ‘risk’, duke u përqendruar vetëm te Bideni, pasi shumë votues do të arrijnë në përfundimin se ish-zëvendëspresidenti është, në fakt, kandidati më i besueshëm për ta hequr Trumpin. Ajo që e penalizon më shumë Bidenin është mosha e tij, bazuar në perceptimin se ai nuk është aq energjik sa ishte kur shërbente në senat dhe Shtëpinë e Bardhë. Edhe pse Trumpi është vetëm tre vjet më i ri se Bideni, ai shpesh duket se është (fizikisht) më i fuqishëm.
Pasi kanë nisur hetimin zyrtar, demokratët do të jenë në ankth gjatë muajve në vazhdim. Në të vërtetë, Trumpi mund të fajësohet në Dhomën (e Përfaqësuesve), por të mos shkarkohet nga detyra në Senat. Një përfundim i tillë mund të shihej si një humbje thelbësore politike që mund ta penalizonte kandidatin demokrat në zgjedhjet e vitit 2020. Kjo mund t’i dekurajojë shumë demokratë nga votimi, ndërsa do t’i inkurajonte mbështetësit e Trumpit. Trumpi sigurisht se do të përfitonte nga një pjesëmarrje e ulët në votime.
Shumë gjëra varen nga zbulimet e sakta gjatë hetimit zyrtar për shkarkim dhe nga (mënyra) se si do të reagojnë republikanët e (rangut të) lartë. Republikanët kanë një shumicë (me një diferencë) të ngushtë në Senat dhe në nëntor të vitit 2020, 23 prej tyre do të përballen me rizgjedhje. Disa strategjistë republikanë besojnë se nëse vota e Senatit për shkarkim do të ishte e fshehtë, të paktën tridhjetë republikanë do të votonin për ta hequr Trumpin nga detyra dhe kështu shumica e nevojshme e dy të tretës (2/3) do të arrihej lehtësisht. Por, meqë votimi nuk do të jetë i fshehtë, do të duhet një ndryshim edhe më i madh në opinionin publik që ata t’i bashkojnë votat me demokratët. (Marrë nga gazeta Dita, Shqipëri)