Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?
Më 02.04.2024 Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka vendosur për ulje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë për bllokun me konsum mbi 800 kWh dhe 3% për konsumatorët komercialë dhe industrialë.
Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRRE-së në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se ulja e tarifave vlen vetëm për konsumatorët të cilët shpenzojnë më shumë se 800 kWh energji elektrikë në muaj dhe për bizneset.
“Zbritja e energjisë elektrike vlen vetëm për konsumatorët me konsum mbi 800 kWh dhe për biznese”- tha ai.
Fejzullahu tha se konsumatorët shtëpiakë nuk përfitojnë zbritje por që ata paguajnë nën koston e furnizimit.
Kryesuesi i bordit të ZRRE-së tha se vendosja e bllok-tarifës prek vetëm 25% të konsumatorëve në Kosovë.
“Në çdo shqyrtim kompanitë kërkojnë rritje të energjisë meqenëse se ata synojnë rritjen e profitit për ne duhet ta reflektojmë koston me furnizim me energji elektrike. Në këtë vit është vendosur edhe bllok-tarifa. Bllok-tarifa i ka prekur rreth 25% të konsumatorëve kur është vendosur 70% janë të paprekur” – tha ai.
Fejzullahu kujtoi se heqja e bllok-tarifave në vitin 2017 u përcoll me rritje enorme të konsumit të energjisë elektrike.
“Kur është hequr bllok-tarifa në vitin 2017 kemi pasë një rritje të enorme të konsumit të energjisë që është në kundërshtim me direktivën e BE-së dhe për ambientin sepse kemi pasur nxitje enorme. 41% kemi pasur rritje në momentin që është hequr bllok-tarifa” – tha ai.
Kryesuesi i bordit të ZRRE-së tha se mbi 90% e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga termocentralet, jetëgjatësia teknike e të cilave është tejkaluar.
Ndërsa thekoi se kriza energjetike është në rënie duke reflektuar edhe në uljen e çmimit të importit të energjisë elektrike në Evropë.