Kush po fiton në Ukrainë?
Ish-koloneli i inteligjencës ushtarake britanike, Philip Ingram, ka shkruar për Sky News një analizë të situatës aktuale në fushëbetejë në Ukrainë.
Në korrik, ministri i atëhershëm ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, tha se besonte se Ukraina do ta fitonte luftën deri në verën e ardhshme dhe mund të pranohej në NATO në korrik 2024.
Situata aktuale në fushëbetejë dëshmon se ky ishte një vlerësim tepër optimist, dhe se përgjigja në pyetjen se kush e fiton luftën mbetet e paqartë, transmeton Telegrafi.
Në fillim të qershorit, Ukraina nisi kundërofensivën e saj të shumëpritur, pasi bëri fitime të rëndësishme në fund të vitit 2022 dhe rimori zona të gjera rreth Khersonit në verilindje.
Ata i rrethuan rusët rreth Bakhmutit, duke i lodhur aq shumë luftëtarët e Wagnerit, saqë u detyruan të tërhiqen nga vija e frontit.
Me dërgimin e trupave të freskëta të stërvitura nga perëndimi të pajisura me tanke Leopard dhe Challenger, mjete luftarake Bradley dhe Marder, HIMARS dhe artileri, pritej që brenda disa muajsh të depërtonte lehtësisht mbrojtjen ruse dhe të arrinte në brigjet e detit Azov.
Megjithatë, atyre u mungonte epërsia ajrore, helikopterët sulmues, mbrojtjet më të forta kundërajrore dhe, më e rëndësishmja, mjetet luftarake-inxhinierike për të mundësuar një depërtim të konsiderueshëm të mbrojtjes së gjerë të Rusisë. Ata nuk kishin as ushtarë të mjaftueshëm dhe as orari i dorëzimit të pajisjeve perëndimore nuk u përshtatej.
Mbrojtja ruse ngadalësoi me sukses ukrainasit. Përdorimi rus i helikopterëve sulmues dhe mbrojtjet e planifikuara mirë treguan cenueshmërinë e ukrainasve dhe ndaluan përparimin e rëndësishëm, që do të thotë se në fillimin e sezonit të baltës së vjeshtës, kushtet për fitore mbeten të pakapshme.
Rusia madje ndërmori një kundërsulm pranë Avdiyivka në rajonin e Donetskut, por vetëm pasi mori 1000 kontejnerë municionesh dhe pajisjesh nga Koreja e Veriut. A do të thotë kjo se Rusia po fiton? Thjesht – jo.