KUSH PO IA VJEDH DRITËN KUJTESËS SONË?

22 nëntor 2019 | 15:41

Historia nuk shkruhet për t’u dukur si përrallë. Ajo kërkon një distancë kohore, për të dalë sa më objektive në prezantimin  e figurave kombëtare. Historia kërkon fakte, e jo përralla. Historia nuk është legjendë. Ajo është pjesë e gjallë e jetës së ndodhur të njerëzve.

Nga Mehmet PRISHTINA

Si kujtohet lavdia në Kosovë? Ose, me çfarë përgjegjësie institucionale e profesionale menaxhohet kujtesa jonë historike dhe sa ajo është në korrelacion me prirjet profesionale?
Këto pyetje prekin sensin e gjithë atyre që duan të kenë një raport më të drejt me të kaluarën, me ngjarjet dhe individët , por edhe një valorizim më objektiv mbi atë që paketohet si histori.

Ne jemi dëshmitarë të një mori librash që prezantohen si monografi dhe kemi një vistër ngjarjesh që kualifikohen si akademi përkujtimore dhe shumë e shumë objektesh që marrin atributin  e memorialëve, kullave, lapidarëve e përmendoreve.

Por, a e ka bërë dikush një analizë më të thuktë profesionale se çfarë literature po iu ofrojmë lexuesve, sidomos në çfarë mënyrë po e shkruajmë një pjesë të së kaluarës sonë jo shumë të largët dhe me çfarë objektesh po e materializojmë galerinë e personaliteteve tona që sot i kujtojmë ose si dëshmorë, ose si tribunë, ose si martirë.

Historia nuk shkruhet për t’u dukur si përrallë. Ajo kërkon një distancë kohore, për të dalë sa më objektive në prezantimin  e figurave kombëtare. Historia kërkon fakte, e jo përralla. Historia nuk është legjendë. Ajo është pjesë e gjallë e jetës së ndodhur të njerëzve. Historia nuk shkruhet me porosi, për hatër të dikujt, apo për motive tjera që lidhje nuk kanë me objektivitetin historiografik.

Te ne për historinë ndodhë që të shkruaj gati çdo njëri që e mendon veten intelektual. Profesionin e historianit e praktikon edhe një kategori njerëzish që në të kaluarën me historinë janë takuar vetëm kur kanë pa ndonjë ëndërr.

Të pajisur me njohuri gjysmake dhe me aparaturë të pamjaftueshme kërkimore-shkencore, kjo tufë njerëzish të vetëquajtur historian dalin pastaj të njëanshëm, sepse si çdo punë me porosi, edhe ata shkruajnë oreksit të atyre që paguajnë ‘menynë’. Shpesh ndodhë që asaj ‘menyje’ t’i mungojë kripa, apo salca, por kjo nuk mjafton për të mos u servuar haja.

Prandaj, jo rrallë këto vitet e fundit na ka ndodhur që të futemi në një zonë pa shije leximi të një mori librash, që për nga etiketa quheshin monografi, por për nga brendia nuk e tejkalojnë as nivelin amator të rrëfimtarisë.
Gjithashtu jemi dëshmitarë të ‘mbirjes’ së një mori lapidarësh e memorialësh anë e kënd Kosovës kushtuar personaliteteve të ndryshme, të cilët, sipas tekeve të njerëzve, shpallen heronj, dëshmorë, martirë, tribunë etj.

Te ne nuk ka një institucion apo komision kompetent që do të përcaktonte kriteret e qarta se kush mund të jetë hero, kush dëshmor, kush martir, kush tribun etj.
Nëse në të ardhmen nuk ndodhë që të definohen qartë këto kritere, atëherë brezat pas nesh do të kenë shumë problem ta perceptojnë drejt historinë. Do të krijohet shumë hapësirë për keqkuptime e manipulime, kurse mundësia për të ndarë të vërtetën nga ekzagjerimet, do të jetë minimale. Ashtu siç do të jenë minimale edhe shanset që të ndërtohet një ardhmëri e qartë, e liruar nga hijet e së kaluarës.

Popujt e civilizuar që moti i kanë pastruar këto dilema. Atje ku historia iu lihet atyre që kanë më së shumti kompetencë profesionale, emrat  rrugëve nuk shënohen me emra njerëzish që në të kaluarën kanë qenë prezent në procese e ngjarje të caktuara, por shënohen me numra.
Te ne të gjitha rrugët janë me emra njerëzish dhe kjo tregon për nevojën tonë që të shfaqim me çdo kusht egoizmin e shpifur familjar dhe bajraktarizmin primitiv.

Te ne çdo katund e lagje ka varreza dëshmorësh dhe pak kujt i shkon ndërmend që dëshmorëve t’iu rezervohet një copë tokë, ku bashkërisht do të preheshin, ashtu siç kanë luftuar bashkërisht.

Fragmentimi i kujtesës historike përmes këtyre veprave individuale, që shpërndahen nëpër vendbanimet tona, ta kujton natën pa hënë, e cila mundohet të bëjë dritë nga yjet e paktë, por janë retë e dendura ato që e pengojnë të duket drita.

A po bëhemi pa dashje edhe ne re të dendura që po e pengojmë dritën e historisë të ndriçojë të ardhmen tonë të përbashkët?

Prishtinë, 21 nëntor

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga takimi i parë, lidhja, Hana, karriera sëbashku e deri…