Kush provokoi në ndeshjen Serbi-Zvicër?

23 qershor 2018 | 22:43

REAGIM

Bardhyl Mahmuti

Nëse u hidhet një sy medieve serbe, shihet qartë se humbjen nga ekipi i Zvicrës në këtë Botëror e kanë përjetuar shumë më rëndë, për arsye se dy shënuesit e golave ishin me origjinë shqiptare nga Kosova. Në pamundësi ta gëlltisin këtë humbje, gazetarët serbë e përqendruan vëmendjen në simbolin e shqiponjës, që bënë me duar Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, pas shënimit të golave. Ky gjest i lojtarëve me origjinë shqiptare “u përjetua si provokim i rëndë ndaj serbëve, gjest për të cilin, sipas tyre, duhet të ndërhyjë edhe FIFA”!

Qëndrime të tilla dhe të ngjashme me të vërshuan në shumicën e medieve elektronike serbe. Dhe jo vetëm serbe! Fjala “provokim” zuri vend edhe në disa medie të huaja!

Simboli me duar, si aluzion për shqiponjën dykrenore, nuk përmban asnjë element provokues ndaj askujt. Është shenjë, të cilën rinia shqiptare e ka shndërruar në simbol identifikimi në momente të veçanta. Ajo nuk i drejtohet si provokim askujt, e hiç më pak në një ndeshje sportive.

A mund të konsiderohet si provokim ndaj dikujt, kur pas shënimit të golit, një numër futbollistësh bëjnë simbolin e kryqit dhe ngrenë gishtat drejt qiellit, apo kur dikush tjetër përkulet në tokë dhe bie në “sexhde” sipas ritit islam?! Lojtari që e përdor këtë simbol për të shprehur gëzimin e vet nuk përmban asnjë provokim ndaj askujt! E njëjta gjë vlen edhe për simbolin e shqiponjës me duar,  me të cilën identifikohen sportistët shqiptarë, dhe jo vetëm ata.

Në ndeshjen Serbi-Zvicër pati provokime, madje provokime shumë të mëdha! Dhe jo vetëm ndaj shqiptarëve!

Fillimisht duhet të reagohet ashpër kundër ndalimit të flamurit tonë kombëtar dhe atij të Kosovës, në një ndeshje ndërkombëtare, sepse kjo përbën provokimin më të madh që na bëhet ne si shqiptarë të këtyre dy shteteve të pavarura. Nuk është provokim flamuri i Kosovës në këpucët e futbollit të Xherdan Shaqirit, por ndalesa e flamujve tanë.

Gjatë gjithë ndeshjes tifozët serbë brohoritnin refrenin “Ubi, Zakoli, dok Shipatar ne postoi” (Vra, pre, derisa të mos ekzistojnë shqiptarë!”. Ndaj cilit akt duhet të reagojë FIFA? Ndaj  brohoritjeve gjenocidare serbe, apo kundër Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, pse këta bënë simbolin e shqiponjës dykrenore?

Brohoritjet gjenocidare janë provokim ndaj mbarë njerëzimit dhe jo vetëm shqiptarëve!

Ata që u përkujdesën të mos futet në stadium asnjë flamur shqiptar apo i Kosovës, nuk u shqetësuan fare që një numër tifozësh serbë kishin hyrë në stadium me fanellat që kishin si portret Ratko Mlladiqin, kriminelin serb të dënuar për gjenocid në Bosnjë.

Dhe pas gjithë kësaj, kanë pafytyrësinë të flasin për provokim ndaj serbëve!

(Më poshtë: Foto ilustrim nga ndeshja Serbi-Zvicër)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mediet serbe vazhdojnë të publikojnë momente interesante nga ndeshja e…