Kushdo që e ka pranuar Asociacionin e ka vulosur fatin e vet politik
Qeveria e Kosovës po përballet me presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare e që ka të bëjë me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Themelimi i Asociacioni u bë kusht nga fuqitë perëndimore ndaj Kosovës për pranimin e saj në Këshillin e Evropës.
Qeveria e Albin Kurtit refuzoi ta dërgojë në Kushtetuese Draft-Statusin për Asociacionin të propozuar nga Miroslav Lajçak. Ky refuzim bëri që shtetet anëtare të KiE-së të mos e fusin në agjendën diskutimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm në takimin e Këshillit të Ministrave të mbajtur më 17 maj.
Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, në Kanal10 ka thënë se Bashkimi Evropian nuk po e bën si duhet punën në dialogun Kosovë – Serbi.
“BE dialogun nuk po e bën paanshmërisht, nuk po e bën parimisht dhe nuk po e bën ndershmërisht. Derisa vazhdohet kështu, nuk do të ketë dialog të mirëfilltë”, ka thënë Baraliu.
Ai ka theksuar se kushdo që e ka pranuar Asociacionin e ka vulosur edhe fatin e vet politik.