Kushtet e përkeqësuara të motit, pezullohet lundrimi në Vlorë
Lundrimi detar për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit është pezulluar në Vlorë. Shkak janë bërë kushtet hidrometeorologjike detare të përkeqësura gjatë kësaj të diele.
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë ditës së sotme, duke filluar nga ora 22:00 e së shtunës, kushtet hidrometeorologjike do të jenë në drejtimin jug-jug-perëndim në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.00 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, Kapiteneria Vlorë kërkoi bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht.