Kushtet e punës te sektori privat, problematike mbesin pushimet vjetore dhe ai i lehonisë
Organizata “Çohu” përmes një tryeze ka prezantuar dy hulumtime që kanë të bëjnë me kushtet e punës të punëtorëve të sektorit privat. Hulumtimet janë fokusuar në dy tema, kontratat e punës dhe obligimet që dalin nga këto kontrata siç janë pushimet.
Për të dy hulumtimet janë realizuar dy pyetësorë të cilëve u janë përgjigjur mbi 270 respodentë ku janë marrë opinionet e qytetarëve për kushtet e tyre të punës dhe marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës.
Sipas përgjigjeve të qytetarëve pajisja e punëtorëve me kontrata të punës është rritur, por sfidë mbetet respektimi i saj.
Më shumë se 20 për qind të respodentëve që i janë përgjigjur pyetësorit kanë thënë se kanë një vend pune, por nuk kanë kontratë pune.
Se a respektohet kontrata e punës nga punëdhënësit 54.90 për qind kanë thënë që po, ndërsa 45 për qind kanë thënë që jo.
Kontrata e punës nuk respektohet më së shumti te pushimet.
Shumica e respodentëve mendojnë se në Kosovë nuk u respektohen pushimet punëtorëve që punojnë në sektorin privat. 33.66 për qind prej tyre kanë thënë se pushimet nuk u respektohen aspak punëtorëve, pak kanë thënë 29.21 për qind, 20.30 për qind kanë thënë mesatarisht, ndërsa shumë vetëm 16.83 për qind.
Sipas këtij hulumtimi, problematike në zbatim mbesin pushimet vjetore dhe të lehonisë.
Sa i përket pushimit vjetor 22.28 për qind e respodentëve që i janë përgjigjur pyetësorit, kanë thënë se atyre nuk u është dhënë kurrë pushimi vjetor, 44.55 përqind e tyre kanë thënë se u është dhënë nganjëherë dhe 33.17 për qind janë përgjigjur se ky pushim u është dhënë gjithnjë. Sa i përket faktit se a janë paguar pas shfrytëzimit të pushimit vjetor, 80 për qind prej tyre kanë thënë po dhe 20 për qind jo.
Te pushimi i lehonisë statistikat tregojnë që ky pushim deri diku u respektohet punëtorëve nga punëdhënësit. 49.44 për qind e respodentëve në pyetësorin e
Preportr, kanë thënë se nuk u është dhënë ky pushim, ndërsa 50.66 për qind që u është dhënë.
Preportr i ka pyetur respodentët se në rast që u është dhënë pushimi a u është kompensuar ashtu siç parashihet me ligj. Më shumë se 73 për qind kanë thënë se u kompensohet, 26.67 për qind kanë thënë se jo. Nëse nuk janë kompensuar nga punëdhënësit, respodentët kanë thënë se nuk janë ankuar në asnjë institucion.
Edhe kur u është mohuar ky pushim shumë pak prej tyre janë ankuar në ndonjë institucion. Vetëm 4.55 për qind e tyre kanë thënë se janë ankuar, ndërsa 95.45 për qind se nuk janë ankuar. Edhe në rastet kur janë marrë vendimet nga institucionet në favor të punëtorëve, ato nuk janë respektuar nga punëdhënësit.
Në tryezën e mbajtur ku u prezantuan këto të dhëna, kanë marrë pjesë Johan Schmidt, udhëheqësi i ekipit për Evropë i Olaf Palme International Centre, Vesel Zhinipotoku nga Inspektorati i Punës dhe disa organizata të shoqërisë civile.
Schmidt ndër të tjera tha se do të duhej që dialogun social ta kuptojmë në një formë më gjithëpërfshirëse ku mbrojtja e të drejtave të punëtorëve nuk shkon vetëm në interes të tyre, por është thelbësore edhe për funksionimin dhe zhvillimin e vetë bizneseve.
Në tryezë u diskutua për domosdoshmërinë e plotësim-ndryshimit të Ligjit të Punës, rritjen e numrit të inspektimeve dhe përfshirjen e akterëve relevant në dialogun social.