Kushtetuesja e Çekisë rrëzon idenë e presidentit për tërheqjen e njohjes së Kosovës
Zyrtarët më të lartë kushtetues të Çekisë, refuzua të enjten mbrëma propozimin e presidentit Millosh Zeman për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti çek, ka thënë më 11 shtator në Beograd se do të diskutojë me ekspertët kushtetues të vendit të tij, mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, një veprim që nuk përkon me postin kryesisht ceremonial të tij.
Ai ka shtuar këtë çështje në një takim të zyrtarëve më të lartë kushtetues në mesin e të cilëve janë presidenti, kryeministri, kryetarja e dhomave të parlamentit, ministri i jashtëm, ai i brendshëm dhe i mbrojtjes.
Ministri i Jashtëm çek, Tomas Petricek, ka thënë se ishte përfundim i takimit që qëndrimi i Republikës Çeke kundrejt Kosovës, nuk ka ndryshuar.
Deklaratat e bëra në Beograd nga presidenti 74 vjeçar, që është i njohur për qëndrime kundërthënëse, kishin nxitur reagime në Çeki, ku idetë e tilla ishin cilësuar joreale.
Çekia e ka njohur Kosovën në maj të vitit 2008. Pavarësia e Kosovës e shpallur në shkurt të atij viti, vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në përpjekje për të nxitur tërheqjen e njohjeve për Kosovën.
Aspiratat e të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë të kushtëzuara me një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh ndërmjet tyre dhe së fundmi administrata amerikane është angazhuar për ripërtëritjen e procesit te bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve. /VoA/.