Kushtetuesja hedh poshtë ankesën e deputetit Etem Arifi

23 shtator 2020 | 14:35

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë ankesën e deputetit Etem Arifi, i cili pretendonte se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij, të garantuara me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese është thënë se kolegji që e ka shqyrtuar këtë lëndë ka propozuar që kërkesa të shpallet e papranueshme.

Ky është njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetueses:

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 380/2019], të datës 30 janar 2020, me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruesit të kërkesës, ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [PKR.nr.740/2016], të datës 20 prill 2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR.nr.328/19], të datës 20 gusht 2019.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme duke theksuar se: “Jemi afër datës e cila është caktuar që Parashtruesi të paraqitet në institucionin korrektues për mbajtjen e dënimit, e që është 04.05.2020. Caktimi i masës së përkohshme nga ana e Gjykatës Kushtetuese është i domosdoshëm dhe me rëndësi jetike për Parashtruesin e kërkesës”. Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masat e përkohshme] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është shënuar në Gjilan 20-vjetori i themelimit të Shoqatës së…