Kushtetuesja i dha dritë të gjelbër Ligjit për KPK-në, Haxhiu: Fitore e madhe

23 prill 2025 | 16:57

Deputetes së Vetëvendosjes dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kësaj radhe i ka pëlqyer aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial (KPK), e cila ia ka dhënë dritën e gjelbër Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Angazhimi dhe përpjekja jonë për një reformë rrënjësore në sistemin prokurorial, më në fund po merr drejtimin e merituar. Pas një përpjekjeje e rruge tejet të gjatë, të ballafaquar me jo pak sfida e pengesa, me bojkotime e vonesa, sot Gjykata Kushtetuese ka njoftuar dhe ka validuar ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial”.

“Kjo është një fitore e madhe, një fitore për reformën dhe për tërë sistemin e drejtësisë. Rrjedhimisht KPK nuk do të funksionojë tutje bazuar në interesat grupore, politike e klanore, dhe nuk do ta ketë përbërjen korporatiste dhe të pabalancuar e të dominuar pothuajse 100% me prokurorë, e të cilat, vetëm dëme të pa-riparusheme i sollën vet sistemit”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.

Haxhiu ka thënë se “KPK-ja do të funksionojë e ri-organizuar, me përbërje sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe profesionale, por gjithashtu, me kriteret profesionale të përbërjes e llogaridhënies”.

“Ndryshimet e tilla, përveçse do ta eliminojnë këtë lloj të funksionimit, te keqmenaxhimit e korporatizmit në KPK, ato gjithashtu sistemit do t’i sjellin profesionalizëm e integritet, transparencë dhe llogaridhënie, me synimin e rritjes së efikasitetit profesional,  rritjes së integritetit dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, ka shkruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që ta shfuqizojë Ligjin për…