Kushtetuesja i jep të drejtë Thaçit për emërimet e anëtarëve në KQZ
Gjykata Kushtetuese ka treguar se ka shqyrtuar kërkesën e deputetit Bilall Sherifi, dhe 29 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në lidhje me vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për emërimin e anëtarëve në KQZ-së.
Përmes një njoftimi për medie, Kushtetuesja ka bërë me dije se veprimi i presidenti Thaçi i datës 28 mars të këtij viti nuk ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Sipas Kushtetueses objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të presidentit të Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës: 1. Vendimi nr. 57/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Čemajl Kurtiši si anëtar i KQZ-së nga komuniteti boshnjak;
2. Vendimi nr. 58/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Stevan Veselinović si anëtar i KQZ-së nga komuniteti serb;
3. Vendimi nr. 59/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Ercan Şpat si anëtar i KQZ-së nga komuniteti turk;
4. Vendimi nr. 60/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Alfred Kinolli si anëtar i KQZ-së, si përfaqësues i komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian;
5. Vendimi nr. 61/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e znj. Nazlie Bala si anëtare e KQZ-së;
6. Vendimi nr. 62/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Adnan Rrustemi si anëtar i KQZ-së;
7. Vendimi nr. 63/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Florian Dushi si anëtar i KQZ-së;
8. Vendimi nr. 65/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Sami Hamiti si anëtar i KQZ-së.
Sipas njoftimit të Kushtetueses, parashtruesit e kërkesës pretendonin se këto vendime nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Gjykata, në mbështetje të nenit 113, paragrafi 2 nënparagrafit 1 të Kushtetutës, të neneve 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në mbështetje të rregullave 59 (a) dhe 67 të Rregullores së punës, vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme për shqyrtim në merita;
II. TË KONSTATOJË se Vendimi nr. 57/2019, Vendimi nr. 58/2019, Vendimi nr. 59/2019, Vendimi nr. 60/2019, Vendimi nr. 61/2019, Vendimi nr. 62/2019, Vendimi nr. 63/2019, Vendimi nr. 65/2019, të 28 marsit 2019 të presidentit të Republikës së Kosovës, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për medie.
/Epoka e re/