Kushtetuesja ia rrezojë Ligjin për byronë, Haxhiu në konferencë për medie tregon ndryshimet
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se janë bërë përditësimet e nevojshme në Ligjin për byronë e pasurisë së pajustifikueshme, i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese javë më parë.
Haxhiu në një konferencë për medie ka bërë me dije se janë adresuar çështjet të cilat ishin në kundërshtim me Kushtetuesen.
“Çështja e parë, e retroaktivitetit të ligjit ka qenë temë e diskutuar dhe komplekse. Ka ngjallur debate. Nuk e ka kundërshtuar parimisht, duke lejuar aplikimin e tij kur është në interesin publik, megjithatë, sipas gjykatës, shtrirja e gjatë kohore mund të krijojë sfida për palët e përfshira, duke vendosur ato në pamundësi objektive për të siguruar prova për prejardhjen e pasurisë së tyre. Këtë koncept të pamundësisë objektive e ka adresuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Periudhat kohore për verifikimin e pasurisë. Ndryshimet e reja sigurojnë që periudha të lidhet vetëm me periudhën kur zyrtari ka qenë në funksion, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vite pas mandatit. Kjo masë siguron një balancë të drejtë”, ka thënë Haxhiu.
Më tutje, ajo ka thënë se “Komisioni Mbikëqyrës dhe ndarja e pushteteve, Kushtetuesja ka konfirmuar se kompetencat e tij nuk janë antikushtetuese, por ka identifikuar nevojën për ndryshimin e nevojës së tij për të respektuar ndarjen e pushteteve”.
“Versioni me ndryshime ka rikonstruktuar Komisionit Mbikëqyrës, duke përfshirë tre anëtarë të Kuvendit, pra drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe drejtorin e Inteligjencës Financiare”, ka thënë Haxhiu.
Sa i përket çështjet në lidhje me deklaratat financiare, Haxhiu para medieve ka deklaruar se janë në pritje të komenteve nga Ministria e Financave dhe zyra e kryeministrit.
Sipas saj, të njëjtat do të merren brenda kësaj jave dhe do të procedohen menjëherë në Qeverinë e Kosovës, e më pas në Kuvend.