Kushtetuesja pezullon vendimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të KPMShCK-së
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për caktimin e masës së përkohshme ndaj vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).
Me këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli.
Kuvendi i Kosovës më 30 qershor të këtij viti ka shkarkuar nga pozita e anëtarit të KPMShCK-së, Jeton Kocën, Ardita Haxhinikajn, Malsore Gashi-Bjaraktarin, Arben Mehmetin dhe Eshref Shabanin. Jeton Koca gjatë procesit të vlerësimit ka qenë më i vlerësuari nga britanikët të cilët kishin marrë pjesë në intervistim.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese, pa ndërhyrje:
KO127/21, parashtrues, Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-029, të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës
KO127/21, Vendim për masë të përkohshme i miratuar më 21 tetor 2021
Fjalët kyçe: Kërkesë institucionale, Këshill i Pavarur Mbikëqyrës, vendim për masë të përkohshme, interes publik
Më 30 qershor 2021, Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes Vendimit [nr. 08-V-029], kishte miratuar rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Parashtruesit e kërkesës, përkatësisht numri i caktuar i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përmes kërkesës KO127/21, kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të lartcekur të Kuvendit. Në ndërkohë dhe me qëllim të vlerësimit të domosdoshmërisë për vendosjen e masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese kërkoi informacion nga Kuvendi për veprimet e ndërmarra pas Vendimit të kontestuar, dhe për pasojë, u njoftua nga Kuvendi, se i njëjti kishte shpallur konkurset për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit.
Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretendojnë, mes tjerash, se Vendim i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, andaj kërkojnë që i njëjti të anulohet. Parashtruesit e kërkesës, për më tepër, duke iu referuar paragrafit 2 të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, theksuan se, Vendimi i kontestuar i nënshtrohet efektit pezullues ex-lege lidhur me pasojat juridike, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të njoftojë Kuvendin që ndërmarrja e veprimeve për të zbatuar Vendimin e kontestuar është në kundërshtim me efektin pezullues të përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me masën e përkohshme dhe përgjigjen përkatëse të Kuvendit, dhe fillimisht, duke u referuar në praktikën e saj gjyqësore, sqaroi rrethanat kur aktet e Kuvendit kushtetutshmëria e të cilave kontestohet nga dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës para Gjykatës, i nënshtrohen efektit pezullues, siç është përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Gjykata gjithashtu sqaroi se duke pasur parasysh që Vendimi i kontestuar në aspekt procedural në mënyrë që të prodhojë pasoja juridike, nuk e parasheh dërgimin e tij tek Presidentja, i njëjti nuk i nënshtrohet efektit pezullues bazuar në nenin 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, dhe duke marrë parasysh që kërkesa para Gjykatës ngreh një sërë çështjesh lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e Këshillit, si një institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutë dhe i cili siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil, vlerësoi se ishte e nevojshme vendosja e masës së pakohshme sipas detyrës zyrtare, bazuar nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregullin 56 (Kërkesa për Masë të Përkohshme) të Rregullores së Punës.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Vendimin e publikuar, duke theksuar se vendosja e masës së përkohshme nuk paragjykon pranueshmërinë ose meritat e rastit, Gjykata vendosi masën e përkohshme deri më 15 dhjetor 2021, duke pezulluar menjëherë Vendimin e kontestuar, dhe duke përcaktuar që Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.