Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Haxhi Shalës lidhur me paraburgimin

11 mars 2025 | 12:31

Me arsyetimin se janë shkelur të drejtat e tij themelore me mbajtjen e tij në paraburgim, Haxhi Shala kishte bërë ankesë në Apel dhe Supreme, por që të dyja vendosën kundër tij. Vendim të ngjashëm ka marrë së fundi edhe Gjykata Kushtetuese.

Shala kishte argumentuar se gjyqtari i procedurës paraprake nuk kishte shqyrtuar ligjshmërinë dhe themelësinë e paraburgimit gjatë paraqitjes së tij të parë më 13 dhjetor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai gjithashtu kishte argumentuar se kjo ishte shkelje e të drejtave të tij për liri e siguri sipas Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

Paneli e konstatoi kërkesën referuese të pranueshme, por megjithatë arriti në përfundim se paraqitja e parë e Shalës ishte kryer në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

Paneli ka theksuar se Shala ishte informuar mjaftueshëm për arsyetimin e gjykatësit të procedurës paraprake lidhur me paraburgimin dhe iu dha mundësia të shprehte mendimin e tij.

Duke specifikuar që gjyqtari i procedurës paraprake mund të ishte shprehur më qartë, megjithatë thuhet se vendimi i tij nuk sugjeron se ai anashkaloi aspekte të ligjshmërisë dhe themelësisë së paraburgimit të Shalës.

Ndryshe, më 4 shkurt 2025, është shpallur aktgjykimi ndaj Shalës dhe ndaj dy bashkë të akuzuarve tjerë (Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit), me ç’rast trupi gjykues i pranoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Si rrjedhojë, Haxhi Shala u dënua me tri vite burgim dhe Bahtijari e Januzi me nga dy vite.

Trupi gjykues urdhëroi Shalën që të paguajë 400 euro për viktimën 1, ndërsa Januzin me 100 euro. Obligime financiare nuk u përcaktuan për Bahtijarin. Ky obligim është kryer dhe viktimës më 17 shkurt 2025 i janë dorëzuar mjetet.

Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit përmes një marrëveshje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kjo marrëveshje u arrit pak ditë para se të nisë gjykimi ndaj tyre në nëntor të 2024-ës.

Gjatë seancave për ndryshim të deklaratave të fajësisë, Bahtijari dhe Januzi ishin shprehur të penduar për veprat për të cilat e pranuan që i kanë kryer.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sa i takon aspektit procedural, më 8 shkurt 2024, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou kishte miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale, duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se, vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike. Si rrjedhojë, u vendos që çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Megjithatë, akuza të reja u shtuan edhe për Bahtijarin dhe Januzin për frikësim përmes premtimit apo dhuratës. Këto akuza u përfshinë në aktakuzën e përbashkët ndaj tre të akuzuarve si dhe ndryshimet në atë u konfirmuan më 8 korrik 2024. Si rrjedhojë, ZPS-ja kishte dorëzuar më 10 korrik aktakuzën e përbashkët së bashku me ndryshimet përkatëse.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak,…