Kushtetuesja shfuqizon vendimin për shkarkim e pesë anëtarëve të KPMSHCK-së
Gjykata Kushtetuesja ka shfuqizuar vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në njoftimin për media thuhet se Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e 10 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej, në njoftim thuhet se në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv) të shfuqizojë Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit 2021; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore.
“Gjykata rikujton që më 30 qershor 2021, duke u bazuar në rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike, Kuvendi votoi për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Duke kontestuar kushtetutshmërinë e këtij akti, parashtruesit e kërkesës, ndër të tjera, pretenduan para Gjykatës se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe me nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, duke theksuar se Këshilli, si organ i pavarur kushtetues, nuk mund t’i
nënshtrohet ndërhyrjeve nga ana e Kuvendit dhe se për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, nuk janë përmbushur asnjë nga kriteret e përcaktuara përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Pretendimet e dorëzuara në Gjykatë nga një deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, ndër të tjera, theksojnë se Kuvendi në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar ka vepruar në përputhshmëri me funksionin e tij mbikëqyrës, ndërsa rasti i ngritur para Gjykatës, nuk ngërthen çështje kushtetuese”, vijon njoftimi.
Paraprakisht, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pas vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit, për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, më 27 tetor 2021 kishte vendosur masën e pezullimit të përkohshëm të këtij vendimi deri më 15 dhjetor të këtij viti.