Kushtetuta, autoriteti dhe përvoja tri fuqitë e presidentit Meta
Prof. Lisen Bashkurti
Prej më shumë se një viti z. Ilir Meta ushtron detyrën e presidentit të Republikës së Shqipërisë. Është një detyrë e vështirë në një moment shumë delikat. Pas reformës kushtetuese të vitit 2016 vendi përballet me një tranzicion konstitucional në sistemin e reformës në drejtësi. Disa institucione kushtetuese janë suprimuar, të tjerë të rinj janë krijuar ose janë në proces krijimi e sipër.
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese për shkaqe të njohura e kanë vënë shpesh presidentin në pozicione të vështira për mjaft aspekte të interpretimeve kushtetuese. Mbi të gjitha tradita e dobët e tranzicionit shqiptar e karakterizuar nga mungesat e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përplasjet institucionale, duke anashkaluar frymën dhe germat e kushtetutës, në tërësi kanë krijuar një mjedis problematik edhe për institucionin e presidentit të Republikës.
Pavarësisht këtyre faktorëve mjedisorë të brendshëm problematik mund të thuhet që institucioni i presidentit të Republikës, nën drejtimin e z. Meta ka funksionuar në mënyrë kushtetuese, ligjore, bashkëpunuese dhe transparente. Tendencat konjukturale, prirjet për ta anësuar, forcat goditëse dhe tërheqëse nuk kanë mundur të ‘tundojnë’ mendimet, qëndrimet dhe veprimet e presidentit Meta nga pozitat e tij institucionale.
Këtë pozicion institucional presidenti Meta e ka përmbushur jo në mënyrë të mbyllur dhe pasive, siç kemi vërejtur tek disa paraardhës në postin e tij presidencial gjatë tranzicionit, por në mënyrë shumë të hapur dhe mjaft aktive. Presidenti Meta ka hapur dyert për të gjithë aktorët shtetëror dhe joshtetëror, për dimensionet e brendshme dhe ndërkombëtare, për fushat politike, ekonomike, sociale, kulturore, shkencore, sportive e humanitare. Nga ana tjetër, presidenti Meta është treguar tejet aktiv në politikën e jashtme shqiptare, rajonale dhe ndërkombëtare. Aq sa mund të thuhet se ka qenë aktori kryesor në iniciativat e veprimtaritë e tij ndërkombëtare në Ballkan, Evropë, ShBA dhe në mbarë diasporën shqiptare thuajse kudo në botë. Kjo performancë po e bën presidentin Meta profilin më të spikatur presidencial gjatë tërë periudhës së tranzicionit shqiptar. Këtë tipar individual, si rrallë herë po e vlerësojnë thuajse te faktorët politikë dhe shoqëror në vend. Ku qëndron ky sukses presidencial i z. Ilir Meta?
- Pushteti kushtetues
Themeli i pushtetit të presidentit qëndron në bazat kushtetuese të funksionit të tij. Akti unik publik, kushtetuta e vendos në krye të shtetit dhe përfaqësues të unitetit të popullit. Me përjashtim të limitimit të pushteteve në sistemin e drejtësisë, që u bë pas amandamentimeve të Kushtetutës në korrik 2016, kompetencat e tjera të presidentit janë qartësisht të parashikuara në aktin unik publik, sikundër edhe në ligje të veçanta.
Pushteti kushtetues dhe ligjor, i respektuar rigorozisht, në mënyrë të vazhdueshme, të përgjegjshme dhe profesionale i ka dhënë pushtetin kryesor presidentit Meta. Në mendimet, qëndrimet dhe veprimet e tij, z. Meta ka ruajtur frymën kushtetuese dhe germat e saj, kompetencat dhe detyrimet ligjore. Meta as nuk është ngutur dhe as nuk është vonuar në mendimet, qëndrimet dhe veprimet e tij. Meta as nuk ka limituar dhe as nuk ka tejkaluar kompetencat kushtetuese dhe detyrimet ligjore. Meta nuk ka qenë as i mbyllur, as konspirativ dhe as përjashtues. Meta ka qenë i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrjet e tij.
Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një vështirësi pa precedent për Presidentin Meta. Por, kjo mangësi serioze institucionale e vendit ka rritur dy dimensione të pushtetit të presidentit: përgjegjësitë dhe profesionalitetin. Përgjegjësitë vërehen në rritjen e përpjekjeve serioze të presidentit për të ruajtur dhe forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional. Në kushtet kur institucioni i presidentit nuk mund ta zëvendësojë gjykatën kushtetuese, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional është mënyra më e mirë dhe e vetme për të shmangur çdo lloj arbitraritet të mundshëm antikushtetues.
Profesionaliteti vërehet në ngritjen e cilësisë së argumentimit dhe të interpretimit të konstitueshmërisë dhe të ligjshmërisë të të gjitha veprimeve dhe qëndrimeve të Presidentit lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale.
Rastet e kredencialeve të ekipit negociator për bisedimet me Greqinë, rasti i vonesës së dekretimit të ministrit të Brendshëm, Lleshaj, rasti i mosdekretimit të ministrit të Punëve Evropiane dhe të Jashtme, Cakaj etj., janë shoqëruar nga presidenti Meta me argumentim kushtetues dhe ligjor, ndërinstitucional, publik dhe transparent.
Gjatë tranzicionit nuk keni ndeshur bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional nën autoritetin e presidentit të Republikës, sesa presidenti Meta, pavarësisht vështirësive të tranzicionit. Gjithashtu, gjatë tranzicionit nuk kemi parë një përpjekje kaq serioze si të presidentit Meta për argumentim të mirë, të plotë, formal dhe publik mbi konstitutshmërisë dhe ligjshmërinë e çdo qëndrimi, vendimi e veprimi të tij. Çdo veprim e mosveprim, çdo dakordësim dhe kundërshtim, nga presidenti Meta është shoqëruar me argumentim të përgjegjshëm dhe mjaft profesional. Ky fakt e ka bërë presidentin Meta dhe presidencën si institucion më të fuqishëm dhe autoritar, më të besueshëm e me pritshmëri të larta, e njëkohësisht aspak imponues dhe autoritarist.
- Pushteti i personalitetit
Kushtetuta dhe ligjet i japin presidentit pushtet konstituiv, ligjor dhe institucional. Por ushtrimi i këtij pushteti është kushtimisht i varur nga personaliteti individual i vetë personit që është në postin e presidentit. Edhe në demokracitë më të konsoliduara, edhe në republikat presidenciale apo gjysmë presidenciale pushteti i presidentit ka qenë dhe është ngushtësisht i lidhur me personalitetin e individit që e ushtron këtë pushtet.
Individualiteti i Ilir Metës është karakterizuar gjatë tërë kohës dhe në të gjitha pozicionet që ka ushtruar për fuqi të brendshme, për iniciativa të forta, për vendim-marrje të guximshme, për ballafaqime publike, për operacionalitet dinamik, për mbajtje fjale edhe me sakrifica individuale dhe institucionale. Meta i ri, Meta i FRESH-së, Meta i politikës LSI-së, i ekzekutivit, i parlamentit ka një tipar individual – personalitetin e fortë, modest, etik dhe imponues. Kjo është fuqi personale.
Por tranzicionet po na dëshmojnë se fuqia personale mund të përdoret, shpërdoret dhe abuzohet nga individët në pushtet. Kur fuqia individuale shpërdorohet dhe abuzohet nga pushtetmbajtësit ajo të shpie në autoritarizëm, në mungesë etike, në shpërfillje dhe arrogancë, në qëndrime dhe veprime antikushtetuese dhe antiligjore, në kundërshtim me interesat kombëtare dhe publike, sikundër edhe në qëndrime dhe veprime me rrezikshmëri rajonale dhe ndërkombëtare.
Në rastin e z. Meta, fuqia personale ushtrohet brenda kuadrit kushtetues, ligjor dhe institucional, ushtrohet në përputhje me interesin kombëtar dhe publik dhe në dobi rajonale e ndërkombëtare. Prandaj në këtë rast pushteti individual i z. Meta ose i thënë ndryshe autoriteti personal i tij ndihmon në ushtrimin e pushtetit kushtetues e ligjor, kombëtar dhe publik, rajonal e ndërkombëtar.
- Pushteti i përvojës
Përvoja është një tjetër atribut që i jep individit dhe pozicionit të caktuar të tij pushtet. Rëndësia e përvojës është kudo e çmuar në botën Perëndimore të zhvilluar. Në ShBA kudo shkruhet si preferencë e standardizuar për poste publike dhe private: “education or experience only”, pra “arsim ose përvojë”. Rëndësia e përvojës është veçanërisht e çmuar në politikë.
Edhe vetë historia politike e lidershipit në botë dëshmon se liderë të mëdhenj kanë spikatur jo gjithaq nga arsimimi, sesa nga përvoja e madhe. Çurçilli, Stalini, Tito, Miterani, Trumani e shumë liderë të tjerë të shekullit të kaluar që kanë lënë gjurmë në histori kanë pasur kryesisht pushtetin e përvojës së tyre.
Në Shqipërinë e tranzicionit shqiptar z. Ilir Meta është ndër politikanët me më shumë përvojë. Ai përjetoi një përvojë të gjatë jete parlamentare qysh në moshë fare të re. Ai drejtoi funksionet më të larta ekzekutive, ministër, zëvendëskryeministër, kryeministër për një periudhë të konsiderueshme. Meta themeloi dhe krijoi vetë një parti nga e para, duke e ngritur në nivelin e forcës së tretë politike në vend, në rrethana elektorale shumë të vështira. Në jetën e Kuvendit Meta u shqua si një prej drejtuesve më të suksesshëm, që mbajti gjallë jetën, dialogun, debatin dhe që realizoi konsensusin më të madh në vend për amendamentet kushtetuese lidhur me reformën në drejtësi.
Këto funksione politike, parlamentare, institucionale kanë qenë shkolla të vërteta për Ilir Metën. Këto shkolla përvoje qëndrojnë në bekgraundin e mendimeve, qëndrimeve dhe vendimeve të tij edhe gjatë ushtrimit të funksionit të Presidentit të Republikës. Përvoja është busull orientuese. Përvoja është mësim për të mos gabuar. Përvoja është model për të garantuar suksesin. Përvoja është dije empirike. Dhe si çdo dije përvoja është pushtet i organizuar. Në tërësi përvoja është dije, vetorganizim, vetësiguri, qartësi, vizion e për rrjedhojë është pushtet i natyrshëm.
Ka kaluar më se një vit që z. Ilir Meta ushtron detyrën e presidentit të Republikës së Shqipërisë. Një detyrë e vështirë në një moment shumë të komplikuar. Mbas reformës kushtetuese të vitit 2016 disa institucione kushtetuese janë suprimuar, të tjerë të rinj janë krijuar ose janë në proces krijimi e sipër.
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese e ka vënë shpesh presidentin në pozicione delikate lidhur me aspekte të interpretimeve kushtetuese. E sidomos tradita e dobët e mungesës së bashkëpunimit ndër-institucional, e polarizimit politik dhe e përplasjeve institucionale kanë krijuar një mjedis problematik edhe për institucionin e presidentit të Republikës.
Por, pavarësisht këtyre faktorëve mjedisorë të brendshëm problematik mund të thuhet që institucioni i presidentit të Republikës, nën drejtimin e z. Meta, siç po tregojnë edhe krizat e fundit në vend, po funksionon në mënyrë kushtetuese, ligjore, bashkëpunuese dhe transparente. Dukuritë konjukturale, prirjet për ta atakuar politikisht, forcat goditëse apo tërheqëse nuk kanë mundur të lëkundin mendimet, qëndrimet dhe veprimet e Presidentit Meta nga pozitat e tij kushtetuese dhe institucionale.
Pushteti i presidentit Meta bazohet në tri kolona të fuqishme: te kushtetuta e ligji dhe vullneti tij për t’i respektuar ato me çdo çmim; te autoriteti personal i bazuar në përgjegjshmëri, transparencë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje; si dhe në përvojën e tij të gjatë në institucione politike, në institucione ekzekutive dhe parlamentare. Ja përse presidenti Meta është referencë kushtetutshmërie, është bazë uniteti popullor dhe pikë stabiliteti politik dhe ndërinstitucional në vend.