Kushtetuta dhe vendimet gjyqësore ua njohin të drejtën e dy pensioneve, shteti i detyron të heqin dorë

05 janar 2025 | 10:12

Tash e sa vite të drejtat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës po shkelen, duke u mohuar atyre të drejtën për të marrë pensionin kontribut pagues, si dhe atë luftës, raporton Ekonomia Online.

Në lidhje me këtë Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Demokraci Plus (D+) kanë kërkuar nga Ministria e Financave dhe institucionet përkatëse të marrin masa urgjente për të rregulluar kornizën ligjore dhe për të garantuar se të drejtat e qytetarëve për përfitim nga dy skemat pensionale respektohen në përputhje me vendimet gjyqësore dhe me të drejtat kushtetuese.

Ata theksuan se e drejta për të marrë dy pensione është një e drejtë themelore e njeriut, e cila është e njohur edhe në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se kjo problematikë është identifikuar që në vitin 2018, kur institucioni i tij kishte rekomanduar ndryshimin e ligjit për skemat pensionale për të shmangur kufizimin e të drejtave të dyfishta.

“Avokati i popullit në vitin 2018 ka dal me një raport, me rekomandime ku i ka kërkuar qeverisë, ministrive përkatëse të ndryshohet ligji për skemat pensionale ku përfshihen edhe kategoritë e pensioneve, si pasojë e luftës për arsye se ky ligj ka një kufizim dhe ndalon gëzimin e të drejtave të dyfishta. Pra, nëse t’i gëzon një pension të pleqërisë nuk mund, ta gëzosh edhe pensionin e invalidit të luftës- veteranit, familjarit të dëshmorit, viktimave civile të luftës e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Avokati i Popullit ka thënë se shkelja në këtë çështje qëndron në atë që pensionet e rregulluar me ligj nuk e kanë bazën e njëjtë, përderisa pensioni i pleqërisë ka një bazë në ligjin për pensionet mbi moshën 65 vjeçare, pensionet tjera janë njohje dhe kontribute.

Ai tha se si shkak i kësaj, administrata pensionale e Kosovës tash e sa vite ka detyruar qytetarët të heqin dorë nga njëri prej pensioneve, duke u krijuar një zgjedhje të padrejtë mes mundësive për të marrë përfitime.

“Natyrshëm pastaj autoritetet, administrata pensionale e Kosovës për momentin kur qytetari paraqitet para tyre për të gëzuar pensionin e dytë e detyron që të heq dorë nga njëri. Pra, kërkon nga qytetari që të zgjedh se cilin pension do ta gëzoj. Ku ekziston shkelja, ekziston në atë që pensionet e rregulluara me ligj nuk e kanë bazën e njëjte, përderisa pensioni i pleqërisë ka një bazë në ligjin për pensionet mbi moshën 65 vjeçare, pensionet tjera janë njohje dhe kontribute, ose satisfaksion moral dhe material që u jepet familjeve, personave të cilët kanë pësuar si pasojëe luftës”, ka thënë Qelaj.

Ndërsa, Marigona Berisha, zyrtare e projekteve në Demokraci Plus (D+), prezantoi një raport që nxjerr në pah sfidat me të cilat përballen qytetarët në këtë drejtim, bazuar në dy raste të monitoruara në gjykata.

Ajo tha se në dy rastet, gjykata ka vendosur në mënyrë meritore në favor të qytetarëve, duke obliguar Ministrinë e Financave të kompensojë dëmin dhe të njoh të drejtat e këtyre individëve për të përfituar nga dy skema pensionale të financuara nga shteti.

Berisha ka theksuar se me këto raste përveç sfidave që po përballen qytetaret, është duke u dëmtuar edhe buxheti i shtetit.

“Raporti ynë bazohet në dy raste të monitoruara në gjykatë të cilat nxjerrin në pah sfidat me të cilat përballën qytetarët kur bëjnë kërkesa për pension të dyfishtë, është fjala për pension bazë të pleqërisë dhe pensionin që rrjedh nga ligji për kategoritë e dala nga lufta. Tashmë është krijuar një praktikë e qëndrueshme gjyqësore e vërtetuar deri në Gjykatën Supreme e cila thekson, do të thotë që ka vendosur standarde që rastet e tilla për pensione të dyfishta të trajtohen edhe nga instancat më të ulëta. Raporti i D+ përfshin dy raste të tilla ky gjykata ka vendosur në mënyrë meritore në favor të palëve paditëse duke e obliguar Ministrinë e Financave që të kompensoj për dëmin e shkaktuar, t’ua njoh të drejtën e këtyre personave për përfitim nga dy skema pensionale të financuar nga shteti, por përfshirë edhe një kamat ligjore që është 8 për qind e përcaktuar me ligj”, ka thënë ajo.

Ajo tha se problematika qëndron te konfliktet mes Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe Ligjit për Kategoritë e Dala nga Lufta. Ky i fundit u lejon përfituesve të pensionit bazë të realizojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara në të, por Ligji për Skemat e Financuara, që është më i vonshëm, ndalon përfitimin e dyfishtë.

Berisha deklaroi se kanë rekomanduar MFPT-në që të zbatoj në mënyrë të plotë dispozitat ligjore që rregullojnë pensionet bazë dhe pensionet që rrjedhin për kategoritë e dala nga lufta, si dhe kanë rekomanduar që të ndërmarrin masa urgjente që të rregullohet edhe korniza ligjore në lidhje me pensionet kontribut pagues edhe pensionet për Kategoritë e Dala nga Lufta, duke u bazuar në vendimet gjyqësore.

“Mos zbatimi i duhur nga ana e autoriteteve publike ka dërguar në mohimin e së drejtës së qytetarëve lidhur më këtë të drejtë, kjo pastaj e ka rënduar shumë situatën edhe për sistemin gjyqësor duke e ngarkuar atë edhe qytetarë janë detyruara që tu nënshtrohen procedurave të gjata gjyqësore që zakonisht po zgjasin me vite deri në realizmin e të drejtave të tyre. Problematike është ligji për shkak se autoritetet publike Ministria e Financave po thirret për Ligjin për Skemat e Financuara nga Shteti, i cili thotë se personat që janë përfitues të cilit do pension të financuar nga shteti në asnjë rrethanë nuk mund të jenë përfitues edhe të ndonjë pensioni tjetër. Mirëpo, është edhe ligji tjetër, është Ligji për Kategoritë e dala nga lufta i cili thotë që shfrytëzuesit e pensionit bazë mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe benificionet e përcaktuara me këtë ligj, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara. Ligji për Skemat e Financuara nga Shteti është ligj i më vonshëm, ka përparësi ligjore ndaj Ligjit për Kategoritë e Dala nga Lufta i cili është ligj i më hershem i cili nuk është shfuqizuar me ndonjë dispozitë ligjore me Ligjin për Skemat e Financuar nga Shteti”, tha Berisha për EO.

Ajo ka thënë se vendimet gjyqësore theksojnë që kjo është një e drejtë Kushtetuese themelore e njeriut, për më tepër mbështetët edhe në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, miliarderi George Soros, pjesëtari…