Kushtetuta duhet të ndryshohet në disa segmente
Arsim Bajrami, një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, ka bërë me dije se ka ardhur koha që ky dokument të rishikohet në disa segmente.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” me rastin e Ditës së Kushtetutës, ai ka thënë se në rast të një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rishikohet e drejta e shumicës së dyfishtë për komunitetet, e cila tani garantohet me Kushtetutë.
Sipas Bajramit, këtë të drejtë komuniteti serb e ka keqpërdorur gjatë këtyre 11 vjetëve, duke bllokuar miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese ka treguar se akti më i lartë juridik dhe politik në vend duhet të rishikohet edhe në disa aspekte të tjera
“Epoka e re”: Profesor, Kushtetua e Republikës së Kosovës po i mbush 11 vjet. Si një nga hartuesit e këtij akti, cili është vlerësimi juaj për këtë dokument? Sa është realizuar misioni i saj?
Bajrami: Përgjatë këtyre 11 vjetëve të zbatimit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka realizuar misionin për të cilin është nxjerr. Ka ndërtuar shtetasin e Kosovës, ka implementuar plotësisht Deklaratën e Pavarësisë dhe ka krijuar një shtet sovran dhe të pavarur, duke ndërtuar institucione të pavarura dhe duke mundësuar implementimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës.
“Epoka e re”: Gjatë kësaj kohe ky akt është kritikuar shumë dhe jo rrallë është shprehur nevoja e ndryshimit të saj. Si i keni parë këto pretendime?
Bajrami: Për këto vite Kushtetuta e Kosovës është sfiduar në shumë aspekte. Mendoj se ka ardhur koha të bisedohet dhe të shihet mundësia e rishikimit të saj, sidomos nëse arrihet një marrëveshje eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst do të mund të hapet edhe çështja e zbatimit të mëtejshme të planit të Ahtisarit i cili është brenda Kushtetutës së Kosovës dhe zbatimit të mëtejshëm të standardit të të drejtave të pakicave. Mendoj se në varësi nga kjo marrëveshje do të mund të hapet edhe procesi i një rishikimi pak më substancial i Kushtetutës së Kosovës.
“Epoka e re”: Pse mendoni se duhet të ndodhë ky ndryshim?
Bajrami: Nëse arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë atëherë Kosova ka të drejtë ta hapë temën e zbatimit të mëtejshëm të modeli të Ahtisarit në Kushtetutën e saj dhe zbatimin e mëtejshëm të diskriminimit pozitiv për minoritetet. Siç është parë në këta 11 vjet, pakicave, ani pse iu kanë garantuar të drejtat e avancuara me Kushtetutë, minoritetet bukur shpesh i kanë keqpërdorur këto të drejta, duke bllokuar sistemin kushtetues dhe duke pamundësuar nxjerrjen e ligjeve më të rëndësishme shtetërore dhe ndryshimet eventuale dhe kushtetuese.
“Epoka e re”: Gatishmërinë për ndryshimin e Kushtetutës, në rast të një marrëveshje Kosovë – Serbi, e ka shprehur edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Çfarë do të duhej të ndryshohej konkretisht në Kushtetutë?
Bajrami: Janë tri vlera të përhershme të Kushtetutës të cilat asnjëherë nuk duhet të ndryshohen. Ato janë sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës, integriteti territorial i Kosovës, si dhe sistemi unik kushtetues. Këto janë vlerat e përhershme të Kushtetutës të cilat çdo kushtetutë duhet t’i mbrojë dhe promovojë. Ndërsa në aspektet e tjera, nëse kemi marrëveshje historike në mes të dy vendeve, atëherë Kosova ka të drejtë të kërkojë që të ketë një Kushtetutë, ku pakicat do të kenë të drejta sipas standardeve evropiane. Pra, jo të kenë të drejta të dyfishta, por të drejta të cilat ua jep Konventa Evropiane për të Drejtat e Pakicave. Është parë që pakica serbe në vazhdimësi gjatë këtyre 11 vjetëve ka keqpërdorur të drejtat që ua ka dhënë pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës përmes votimit apo shumicës së dyfishtë. Përmes kësaj të drejte kjo pakicë ka penguar dhe ka mbajtur peng funksionalitetin e Kuvendit të Kosovës në vendimmarrje. Me anë të bojkotit kjo pakicë ka penguar jo vetëm nxjerrjen e ligjeve, por edhe themelimin e institucioneve të rëndësishme siç ka qenë transformimi i FSK-së në ushtri si dhe vendimet e tjera të rëndësishme. Kështu që, Kosova ka drejt legjitime të kërkojë që këto privilegje të cilat kenë qenë të arsyeshme në momentin e shpalljes së pavarësisë tani të relativizohen dhe t’i pamundësohet pakicës serbe që përmes votës së dyfishtë ta mbajë pengë Kosovën, aq më tepër kur duket se kjo pakicë është instrument i zgjatur i Qeverisë serbe në Prishtinë.
“Epoka e re”: Paralajmërimet e presidentit për ndryshimin e Kushtetutës janë kundërshtuar fuqishëm nga opozita?
Bajrami: Mendoj se kjo Kushtetutë ka qenë e suksesshme, sepse ka mundësuar një ndërtim të suksesshëm të shtetit të Kosovës, përkundër dobësive dhe krizave që janë shkaktuar nga shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës. Nëse me ndihmën e ShBA-së dhe të BE-së arrihet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, në të cilën përfshihet edhe trajtimi i pakicave, pse të mos ndodhë ndryshimi i Kushtetutës?! Por, kurrsesi pjesë e kësaj marrëveshje nuk duhet të jenë pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës. Pjesë e kësaj marrëveshje duhet të jetë fati i mëtejshëm i planit të Ahtisarit dhe se a duhet Kosova për kohë të pacaktuara ta mbajë diskriminimin pozitiv për minoritetet. Unë mendoj se nuk duhet që deri në pakufi të ndodhë kjo. Mendoj se ka ardhur koha që në rast të një marrëveshje të tillë, Kosova ta rishikojë pjesërisht Kushtetutën e vet në kuptimin e heqjes së bllokadës nga pakicat. Pra, duhet të hiqen pengesat që kanë shkaktuar jofunksionalitetin e saj, në radhë të parë këtu ka qenë shumica e dyfishtë dhe vota e dyfishtë e pakicës serbe, e cila në vazhdimësi në këta 11 vjet është dirigjuar nga Beogradi dhe ka mbajtur peng zbatimin e Kushtetutës.
“Epoka e re”: A duhet të shikohet ndryshimi i Kushtetutës edhe në aspekte të tjera apo të kufizohet vetëm në raport me të drejtat e pakicave?
Bajrami: Gjatë kësaj kohe Kosova ka dhënë gatishmëri të zbatimit të plotë të detyrimeve ndërkombëtare në raport me planin e Ahtisarit sa i përket trajtimit të pakicave. Në të kundërtën, pakicat jo vetëm se nuk kanë qenë mirënjohëse për këtë qasje gjeneroze dhe diskriminim pozitiv, por i kanë keqpërdorur këto të drejta. Përveç kësaj, Kushtetuta duhet të rishikohet edhe në segmente të tjera. Në radhë të parë duhet të rishikohet në raport me institucionin e presidentit të Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt, mendoj se pa vonesë duhet të bëhen amendamentet adekuate që të ndërrohet mënyra e zgjedhjes së presidentit. Pra, të kalohet nga presidenti i zgjedhur nga Kuvendi, në një president të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët. Kjo do ta rriste besimin te presidenti, do ta forconte legjitimitetin e tij dhe do ta shmangte presidentin nga zhvillimet aktuale politike. Deri më tani sa herë është zgjedhur presidenti në Kuvend gjithmonë kemi pasur kriza politike të cilat kanë ndikuar pastaj edhe në zgjedhjen e kryeministrit. Definitivisht, tani nga fjalët duhet kaluar në vepra. Besoj se presidenti duhet të procedojë me amendamentet, sepse ka të drejtë të bëjë amendamente. Nuk duhet të presë që këtë ta bëjë në fund të mandatit, por tani është koha t’i propozojë amendamentet në mënyrë që presidenti i ardhshëm të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli. Së fundi, presidenti i Kosovës edhe ka deklaruar se do të kandidojë për mandatin e dytë vetëm nëse ai zgjedhet drejtpërdrejt nga populli. Këtë deklarim ai duhet ta mbështesë me instrumente kushtetuese dhe duhet të propozojë amendamente adekuate në mënyrë që së paku gjashtë muaj para se të skadojë mandati, të kryhet amendamentimi i Kushtetutës dhe pas përfundimit të mandatit, presidentin e ri qytetarët ta zgjedhin në mënyrë të drejtpërdrejtë me votën e tyre.
“Epoka e re”: Gjatë këtyre 11 vjetëve kemi pasur edhe shumë shkelje të Kushtetutës nga institucionet më të larta të Kosovës. Kanë qenë të natyrshme këto shkelje për një shoqëri të dalë nga konflikti?
Bajrami: Fatkeqësisht, Kosova është vonuar me tranzicionin e saj demokratik dhe në këtë vonesë ka ndikuar ndoshta edhe lidershipi i vendit. Kur flas për lidershipin mendoj për udhëheqësit e partive politike të cilët nuk kanë demonstruar gjithmonë një kulturë dhe një qëndrim institucional e shtetformues. Jo rrallë në garën e tyre për pushtet kanë shkaktuar kriza politike artificiale, kriza kushtetuese dhe kanë bërë shkelje të rënda kushtetuese. Ky është një lloj dëshpërimi para qytetarëve që 11 vjet pas pavarësisë ende nuk kemi një klasë politike të edukuar dhe një lidership kushtetues i cili ndërton një shtet kushtetues dhe ligjor. Kjo mbetet ende një sfidë. Nuk është e vërtetë se nuk kemi pasur përvoja sepse Kosova nga viti 1990 ka filluar rrugëtimin e saj të shtetësisë, duke filluar historinë e saj kushtetuese me nxjerrjen e Kushtetutës së Kaçanikut. Në të ardhmen mendoj se do të jetë detyrim i të gjithëve të kuptojnë se Kushtetuta është një barometër i demokracisë dhe në luftën për pushtet askush nuk mund të abuzojë me Kushtetutën.
“Epoka e re”: Vazhdimisht kemi pasur ankesa të subjekteve politike gjoja se Kushtetuta nuk i qartëson mirë disa gjëra. Për këtë arsye, shpesh partitë i kanë adresuar pyetje të ndryshme Gjykatës Kushtetuese. Si i keni parë këto pretendime të tyre?
Bajrami: Këto adresime dhe pyetje që i janë dërguar në vazhdimësi Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të panevojshme. Sepse Kushtetuta ka qenë e qartë. Liderët politikë kur marrin poste politike duhet ta njohin Kushtetutën dhe jo të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese për çdo rast t’ju tregojë se çka thotë Kushtetuta. Mendoj se Kushtetua jonë është një dokument i cili përcakton rregullat pozitive të qeverisjes së mirë, sepse nëse nisemi nga logjika e mentalitetit tonë, atëherë Kushtetuta do të duhej t’i ketë 1 000 nene, në mënyrë që në këtë dokument të parashihet çdo gjë. Çdo gjë në Kushtetutën tonë është e qartë, por këto kriza artificiale janë krijuar për qëllime kryesisht politike prej partive politike dhe liderëve të caktuar.
Muhamet KOCI