Kushtetuta materiale e Albin Kurtit dhe modelet më të mira të autonomisë në Evropë
Shkruan: Enver Hasani
Marrëveshja De Gaspari – Gruber ka qenë dhe është përfundimtare, aneksi Ohrit mbetet i përkohshëm, me synim të qartë mbajtjen pezull e nën vlerësim të vazhdueshëm të natyrës së shtetit të Kosovës që u shpall më 17 shkurt 2008. Kjo është esenca e kushtetutës materiale dhe e Republikës së Tretë të Kosovës që ka krijuar kryeministri Albin Kurti
Mbi kushtetutën materiale
Në teori dhe në praktikë, me kushtetutë formale nënkuptohet situata kur ekziston një ose më shumë tekste juridike, zakonisht një, ku në formë të shkruar gjenden krejt normat që rregullojnë materien kushtetuese. Me materie kushtetuese, ndërkaq, nënkuptohet materia që ka të bëj me definimin e origjinës, funksionimit dhe organizimit të pushtetit dhe marrëdhëniet e tij me individin dhe vetveten (marrëdhëniet e pushtetit). E kundërt me këtë është situata me kushtetutën materiale, që dallon nga kushtetuta në kuptimin material, ku mund të ekzistojë një tekst juridik që kodifikon materien kushtetuese në një kushtetutë të shkruar, ose në disa tekste juridike, por që krahas dhe paralel me to ekzistojnë edhe tema kushtetuese që normohen me akte juridike që nuk kanë karakterin e kushtetutës formale (nuk quhen kushtetutë, por normojnë materie kushtetuese, nuk i miraton organi kushtetues me juridiksion për nxjerrjen dhe ndryshim të kushtetutës, bëhen me një shumicë të zakonshme, dhe kështu me radhë). Këto dallime e diskutime, që mund të duken teorike por të tilla nuk janë, hasen në secilin libër të së drejtës kushtetuese, që është botuar kudo nga autorë seriozë në këto njëqind vitet e fundit, në Evropë e përtej saj.
Deri më sot, ajo që dihet në Kosovë, përveç praktikës së Gjykatës Kushtetuese, e cila përpunon kushtetutën sepse është në mandatin e saj, të vetmet akte juridike që mund të cilësohen si kushtetutë materiale, janë ligjet me të cilat ka nisur procesi i formimit të Ushtrisë së Kosovës. Pjesa tjetër e materies kushtetuese normohet me Kushtetutën e Kosovës në fuqi, që u miratua nga Kuvendi më 15 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të atij viti. Me kushtetutë, Kosova nuk definohet dhe nuk është shtet i dytë i shqiptarëve. Këtë duhet thënë fuqishëm dhe qartë, sepse mbi këtë premisë është krijuar një iluzion që po prodhon aksion politik të deformuar, krejtësisht të kundërt me realitetin që sanksionon Kushtetuta e Kosovës. Kjo kushtetutë flet për një shtet që nuk definohet me terma të nacionalitetit me origjinë etnike, por për një shtet civil në të cilin komunitetet etnike përcaktohen si pikënisje në një mënyrë krejt nominale: substanca e origjinës së pushtetit dhe formimit të vullnetit politik, organizimi dhe funksionim i tij në tërësi i mbështeten në parametrat e demokracisë kushtetuese qytetare, me bazë të qartë konstitucionale, në të cilën bashkësitë etnike dhe elitat diktojnë natyrën dhe karakterin e shtetit dhe të regjimit të tij. Ideja fillestare e secilës dispozitë të Kushtetutës së Kosovës, si një derivat i Planit Ahtisari, ka qenë krijimi një shoqërie të lirë e të barabartë për krejt qytetarët e saj dhe komuniteteve që u përkasin. Mbi bazën e kësaj barazie, nga niset kjo ide, pritja ka qenë se do të ndërtohej, me kalimin e kohës, një kombi i ri kosovar, jo në kuptimin etnik por në atë kushtetues dhe nga aspekti i ligjit ndërkombëtar. Kësi procesi të formimit të shteteve ka pasur Evropa në të kaluarën, por edhe vendet tjera në katër anët e botës. Shembulli Austrisë dhe Turqisë janë si dy rast tipike të afërta me hapësirën ku jetojmë: Austria ishte quajtur “Austria Gjermane” dhe për dekada të tëra ka pasur të ndaluar shprehimisht me ligj ndërkombëtar ndalimin e bashkimit me Gjermaninë, diçka që sot austriakët fare nuk e diskutojnë. Turqia, pas Ataturkut, u shndërrua në shtet-komb, me dhunë e gjak e duke shtypur çdo identitet fetar, etnik, kulturor, nacional, rajonal e tjetër që kishte ekzistuar ndër shekuj në Perandorinë Otomane, duke lënë në fuqi vetëm identitetin me bazë etnike turke. Ka pafund raste si këto dhe kryesisht lidhen me shtet-formim sipas modelit francez. Kjo u pa qartë ditë më parë kur Franca njohu autonominë e Korsikës brenda kombit një dhe të vetëm francez, me kuptimin Francës si shtet-komb.
Ky proces i formësimit gradual të identitetit të shtetit të ri të kosovarëve, që e kemi parë të shpaloset qetë dhe gradualisht pas shpalljes së pavarësisë së vendit, ka kuptim vetëm nëse i qasemi nga këndi i kushtetutës në kuptimin material, ku objekt studimi janë proceset shoqërore që zhvillohen në bazën shoqërore dhe efektin që kanë në deformimin e kushtetutës formale dhe materiale njëkohësisht. Doajen i kësaj metode studimi është konstitucionalisti italian me origjinë arbëreshe Costantino Mortati, gati një shekull më herët. Njëjtë si në vendet tjera në të kaluarën, identiteti kosovar me pikë referimi Kosovën e pavarur dhe sovrane, njëjtë si gjetiu, definohet në fërkim me aktorë dhe forca shoqërore përreth vetes dhe më gjerë, përmes kontakteve me botën, ku askush nga ne nuk mund të definohet ndryshe veçse si kosovar. Këtë e thotë pasaporta, ashtu thonë simbolet e shtetit të ri me bazë qytetare, që u krijua më 17 shkurt 2008. Në këtë proces përshtatjeje, simbolet dhe identiteti tradicional nacional, gradualisht i lëshojnë vendin këtij identiteti të ri shtetëror, i cili shtyhet në periferinë e botës shqiptare në Ballkan, në Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Jugut dhe Mal të Zi. Për pasojë, patron real për kultivimin dhe mirëmbajtjen e identitetit tradicional në planin ndërkombëtar, ngelet Shteti shqiptar, jo Kosova. Çdo sforcim dhe insistim në idenë jo ekzistuese të “shtetit të dytë shqiptar në Ballkan” prodhon aksion politik të papranueshëm në planin vendor dhe ndërkombëtar. Në rastin e parë, për të legjitimuar vetveten, të gjitha forcat politike janë të detyruara të prodhojnë votë nëpër grupime dhe struktura institucionale fetare me fytyrë fiktive të nacionalizmit tradicional. Këto struktura janë e kundërta e nacionalizmit tradicional shqiptar, nuk përkojnë jo vetëm me te por më asnjë variant të nacionalizmit që kanë kultivuar shqiptarët në të kaluarën. Lufta për legjitimitet politik që nuk bazohet në promovim të identitetit të ri kushtetues të Kosovës, ka fuqizuar me përmasa shqetësuese versionin selafist të Islamit politik, që njëkohësisht rrënon Islamin tradicional kosovar, i cili kryesisht ka pasur bazë Hanefi dhe lidhet me praktikat fetare të sulltan Hamitit. Këto praktika janë modeluar sipas idesë austro-hungareze mbi perandorin si baba i kombit dhe i fesë shtetërore. Këtë proces modelimi më së miri e ka përshkruar studiuesi Kemal Karpat në veprën “Politizimi i Islamit” (2001).
Ajo që shohim se ka ndodhur, në këtë garë për legjitimitet politik që rrjedh nga kutia e votimit në Kosovë, ka të bëj me shkarjet në stofin politik e kulturor të shoqërisë tradicionale kosovare që ka ekzistuar në Kosovën para 17 shkurtit 2008, duke u zëvendësuar gradualisht me një version më radikal të Islamit – Islamin selafist që mirëmbahet dhe orkestrohet nga organizimet politike të “Vëllazërisë Muslimane”, por edhe të rrymave të tjera të ideologjisë së Islamit politik. Më progresin që është duke shkuar kjo shkarje morbide në kulturën politike, për një gjeneratë, shteti-kombi i Kushtetutës së Kosovës do të jetë komb me bazë të fortë islamike, me veprim politik të modeluar sipas ideologjive anti-perëndimore të Islamit selafist. Këtë kemi pasur rastin ta shohim kohë pas kohë kur gratë dhe djemtë tanë vriteshin në Siri për ISIS-in, duke lënë prapa fëmijë jetimë, nëpër protesta në përkrahje të akteve terroriste që përgjakin evropianët dhe vendet perëndimore nëpër botë, në protestat që udhëhiqen nga terroristë të ISIS në përkrahje mu në mes të Prishtinës të terrorit barbar të Hamasit dhe antisemitizmit të çmendur që artikulohet njëjtë si te militantët në Rripin e Gazës dhe kështu me radhë. Këtë trend e ka pasur parasysh Vasa Çubrilloviq kur ka shkruar elaboratin e tij për shfarosje të shqiptarëve, duke thënë se injektimi sa më shumë i Islamit radikal ndër shqiptarë përbën kushtin e domosdoshëm për fitim të betejës serbe ndaj tyre. Ky amanet, i ripërtërirë nga Dobrica Çosiq në tërë veprat e tij politike, duket se me hapa të sigurt po e realizojnë rrymimet për të cilat askush nuk din si dhe nga financohen, dhe që kanë një shkallë të skajshme indoktrinimi, zelli dhe mostolerance fetare, të paparë ndonjëherë në shoqërinë shqiptare.
Së fundi, dy fjalë sa i përket aspekti ndërkombëtar të identitet kosovar, gjerat janë më të qarta sepse aty është terreni ku definohet ky identitet. Duke dhënë një kontribut substancial në definimin fillestar të këtij identiteti kushtetues të Kosovës, ndërkombëtarët më me shqetësim e marrin veprimin politik kosovar që devijon nga standardi kushtetues që deformon demokracinë kushtetues laike, duke kthyer atë një demokraci jo kushtetuese me bazë Islamin politik selafist në emër të nacionalizmit etnik shqiptar. Nuk duhet lehtë të kalojmë këtë që shohim. Sado që duket paradoksale, nëse duhet zgjedhur në mes të një nacionalizmi populist shqiptar dhe një Kosove me bazë islamiste, perëndimorët mund të zgjedhin këtë të dytën dhe atë për dy arsye. E para, çfarëdo të jetë, ai Islam do të jetë i detyruar të akomodohet brenda strukturave transparente kushtetuese të sistemit kushtetues aktual, u mur vesh të zhveshur nga laiciteti pas ardhjes së tij në pushtet. Kjo është pjesë e kulturës së tolerancës që kultivon perëndimi ndaj diversitetit fetar, kulturor, etnik, gjuhësor dhe tjetër, që me aq shumë sukses ka përbrendësuar kulturat tjera të huaja për te. Së dyti, për të përbërë rrezik, Islami politik në Kosovë duhet të ndërtojë aleancë fizike më një strukturë shtetërore në afërsinë e vet imediate, një kusht ky parësor për suksesin e çdo projekti destabilizues. Në rastin e Kosovës vështirë të arrihet një gjë e tillë, përveç nëse ndryshon në tërësi rendi aktual botëror dhe boshti kinez i vendeve autoritare fiton peshë specifike aq të madhe sa Kosovës t’i akordojë rolin e kolonës së pestë në truallin e Evropës. Atëherë ngelet opsioni se ndryshimi i strukturës kushtetuese dhe shndërrimi i saj në një strukturë selafiste të përthyhet në kurrizin tonë të brendshëm dhe të përbëj një element shtesë në përqafimin më të lehtë të projekteve të Serbisë, duke parë interesin shtetëror të Kosovës përmes thjerrëzave islamiste, si bartës të një kulture politike thellësisht të huaj për Kosovën dhe shqiptarët si popull shumicë. Kjo është arsyeja pse disa njerëz bëjnë përpjekje për islamizim të Adem Jasharit, futjen e Xhafer Devës dhe ideologëve të tjerë nazistë shqiptarë në panteonin e nacionalistëve të kombit, projektimin e aleancës së shenjtë të Kosovës me Sanxhakun dhe vendet myslimane përreth dhe kështu me rradhë.
24 shtatori i 2023 – Sedani i Kosovës
“Merruni me dialog, mos përdorni policinë”, tha i afërmi i heroit më të ri të Kosovës. Kjo thënie kumbon sot me vend sikur ditën që u tha, plot vizion e qartësi. Akoma pa ardhur në shtëpi trupi i heroit të Kosovës, një njëri apolitik e vërejti se problemi ishte politik, jo një çështje e sundimit të ligjit përmes ushtrimit të dhunës dhe imponimit të strukturave drejtuese vendore pa asnjë legjitimitet. Kjo u tha me terma laik, për të demantuar hipokrizinë e pushtetit aktual dhe pasojat që sjell përdorimi i pakontrolluar dhe pa qëllim të qartë politik i dhunës policore në veri. Një situatë të ngjashme, tragjikomike, na kujton Francën në prag të Republikës së Tretë, kur lidershipi i saj me dekada të tëra kishte projektuar forcë duke mbështetur lëvizjet nacionaliste në Evropë, që çuan në unifikimin gjerman dhe italian, por e lanë Francën në pozitë të mjerë dhe të parëndësishme në raportet ndërkombëtare të kohës.
Republika e Tretë u krijua pas betejës së Sedanit, në të cilën Gjermania ia kishte thyer hundët Francës, duke e reduktuar Perandorinë e nipit të Napoleonit në një republikë me president fiktiv. Ajo operonte sipas disa ligjeve kushtetuese kaotike, të cilat ia hiqnin Francës idealet e Revolucionit të vitit 1789 duke kthyer në një shoqëri egalitare në kurriz të shtresës së mesme dhe elitës. Këtë gjendje më së miri në terma artistik e ka përshkuar dramaturgu francez Gustave Le Bon te vepra e tij “Turma” (1896). U mor vesh, Kosova dhe Franca nuk kanë asnjë parametër serioz për krahasim mes veti, përtej këtij aspekti krejtësisht kushtetues me mesazhe të qarta normative.
Sikundër dihet, Franca e Republikës së Tretë përfundoi në tradhtinë e Mareshalit Petain, heroit të dikurshëm në Luftën e Parë Botërore. Mund të veçohet, krahas këtij emëruesi të përbashkët kushtetues me mesazh normativ, edhe një tjetër emërues i përbashkët mes dy republikave – Republikës së Tretë franceze dhe asaj që po krijohet nga Albin Kurti përmes prodhimit jashtë syrit të publikut – publik që e ka legjitimuar mbi bazën e agjendave tërësisht të brendshme, asnjëherë në raport me dialogun me Serbinë. Ai emërues ka të bëj me frustrimin njerëzor që lind kur deformohet vullneti politik në mënyrë arbitrare nga ata që drejtojnë. Pas disfatës së Sedanit dhe kapitullimit poshtërues francez që kishte ndodhur më 1781, Franca e Klemansosë më 1920 në Versajë nxori hakun kundër Gjermanisë. Kjo hakmarrje pat çmim të lartë, sepse kontribuoi shumë për krijimin e klimës së frustrimit poshtërues dhe ardhjen në pushtet të Hitlerit, çmim që e pagoi krejt Evropa dhe bota, jo vetëm Franca. Mbi të gjitha, atë çmim e pagoi më së shtrenjti një popull i tretë, hebrenjtë, të cilët nuk kishin fare të bënin me raportet franko – gjermane.
Sedani i Kosovës, që ndodhi më 24 shtator, pak ka gjasë të prodhojë një moment frustrimi që qartëson objektin dhe qëllimin e veprimit të organeve shtetërore. Atë ditë të kobshme që humbën jetët e njerëzve, Kosova fitoi një hero, Afrim Bunjakun. Atë ditë në mëngjes, nuk mund të jetë ditur nëse ai do të ishte një hero; kishte shkuar në punë si çdo ditë tjetër, për t’u kthyer në hero në fund të ditës; shpejtësia me të cilën u shpall hero ka qenë e çuditshme dhe nuk ka shpjegim tjetër përtej efektit momental propagandistik të politikës ditore që zhduket me ngjarjet që pasojnë. Në këtë kuptim, ishte tejet domethënës, prekës dhe i paharrueshëm rrëfimi i vajzës së të ndjerit që e dha “Euronews Albania”, ku tha se “çdoherë e kam ditur se kam nja baba hero, por tani Kosova e mori vesh”. Në këtë kuptim, hero si Afrimi janë të gjithë ata policë, gra e burra, që me dekada të tëra në veriun e vendit bëjnë përpjekje titanike për të ruajtur rendin e qetësinë. Përtej këtij heroizmi, asnjë frustrim tjetër që mund të gjenerojë mobilizim për veprim të dobishëm shtetëror me qëllim të qartë politik nuk mund të prodhojë akti terrorist i 24 shtatorit.
Mbi dialogun dhe draftin aktual
Vizita e fundit në Prishtinë e emisarëve euro-amerikanë, më 20 tetor 2023, shpërfaqi tërë tragjikomiken e pozitës aktuale ndërkombëtare të Kosovës dhe kryeministrit të saj: pesë emisarët, me këshilltarët e tyre që shihej qartë se janë pushteti real prapa ndërmjetësuesve, ia diktonin kushtet poshtëruese Kosovës dhe kryeministrit të saj, me një kërkesë më një objekt të vetëm – pranimin e vazhdimit të vënies në jetë të agjendës së fundit në Bruksel, e ngelur pezull shkaku ngjarjeve tragjike të terrorit të 24 shtatorit. As edhe një hapësirë manovrimi nuk iu la Kurtit, në shtëpinë e tij, për të orkestruar ndonjë fjalim të fitores retorike të radhës për galerinë e fansave të tij: nga pamja e jashtme qartë shihej raporti poshtërisht nënshtrues i kryeministrit, që nuk lëshonte nga goja fjalën kryesore – Kosova është çështje sigurie. Kishte harruar sundimin e ligjit, rikthimin e sovranitetit në veri dhe broçkullat tjera si këto: Kosova tha tani e tutje përbën për te një çështje sigurie. Mbase kryeministri mendon se populli është aq naiv dhe të besoj se trupat shtesë të vendeve mike të NATO-s po vinë për pushime dimërore në Kopaonik apo se janë në transit nëpër Kosovë (sic!).
Nga burimet rrethanore, koncepti i draft-statuti që duhet përpiluar Kosova, që ka pranuar Kurti dhe ekipi i tij, sanksion një strukturë të re normative që për bazë të saj ka jo Kushtetutën e Kosovës, por Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit të pranverës së këtij viti. Origjina dhe legjitimiteti i pushtetit të serbëve lokal në tërësinë e vet, gjithnjë sipas këtij koncepti, bazohet dhe rrjedh nga vullneti i serbëve lokal, me të drejtën e Serbisë për formësim të tij përfundimtar si pushtet konstituiv politik kundrejt Prishtinës zyrtare. Kjo qasje paraqet kornizën për një kontratë të re të serbëve lokal që nuk morën pjesë në kontratën e Shtetit të Kosovës më datën 17 shkurt 2008. Tani pranohet dhe njihet si legjitim në territorin e Kosovës edhe një pushtet që ka origjinë dhe prodhohet nga vota e lirë e serbëve lokal paralelisht dhe jashtë sistemit zgjedhor aktual, që dirigjohet deri në formësim përfundimtar nga strukturat e shtetit serb sovran dhe të pavarur. Organizimi dhe funksionimi i këtij pushteti të ri konstituiv që mëton të përligjet me statutin e ri për autonominë serbe (politiko territoriale dhe kulturore), në tërësinë e tij bazohet në strukturat normative të Marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit të kësaj pranvere, asnjëherë në dispozitat e Kushtetutës së Kosovës: serbët do të kenë si ombrellë të tyre Bashkësinë, pra jo Asociacionin e komunave, një strukturë institucionale brenda së cilës shprehet dhe organizohet pushteti paralel rival i serbëve lokal në të gjitha sferat e e jetës, me fillim nga përfaqësimi politik, ekonomik, hapësinor, siguria, drejtësia, kultura, arsimi, ekonomia , trashëgimia historike e kulturore serbe që personifikohet me Kishën Ortodokse Serbe, e cila njëkohësisht nxirret në tërësinë e saj jashtë juridiksioni të Kosovës, si dhe çdo gjë tjetër që lidhet me serbët dhe territorin e komunave ku të shënuara si serbe në procesin e decentralizimit, përfshirë këtu ato në veri ku aktualisht janë të pushtuara nga kryetarët shqiptarë. Ky është thelbi i modelit te Tirolit Jugor, që si duket më së shumti është pasur parasysh në konceptimin draftit të statutit për autonominë serbe në Kosovë.
Tentimi për zbutje të pasojave të kësaj “Republika Srspka” , përmes futjes në qarkullim të tezave mbi vetëmenaxhim, njohjen de facto të Kosovës, mosnënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, kërkesën për nënshkrim të saj si një koncesion për njohje de facto të Kosovës, hapja e marrëdhënieve diplomatike dhe kështu me radhë, janë përralla që nuk i beson askush. Fundja, kur të nis vitin në vijim dhe tutje implementimi i dispozitave të kushtetutës së re materiale të Kosovës, do të shihet qartë se bëhet fjalë për themelimin e një “Republika Srpska”, e cila nuk ka asnjë lidhje reale politike, juridike, ekonomike, kulturore, historike dhe tjetër me Kosovën e 17 shkurtit 2008. Nuk mund të ketë sepse zotimet ndërkombëtare që u morën këtë pranverë në Bruksel dhe Ohër janë kontratë e re. Si të tilla i njeh ligji zakonor ndërkombëtar, i cilëson si “novatio” ose përtëritje e zotimit fillestar, ku pala pranon ndërtimin e një zotimi të ri ose modifikimin e atij ekzistues. Në rastin tonë, në Ohër u pranua ndërtimi i një pushteti dhe strukture të re juridiko-politike, ekonomike, sociale, kulturor dhe tjetër në komunat që janë të regjistruara si serbe që nga procesi decentralizmit. Për dallim nga çdo zotim tjetër, zotimi Ohrit, përveç që instalon autonominë e plotë politiko–territoriale dhe kulturore në favor të serbëve lokal dhe shtetit të tyre në Beograd, brenda ka edhe disa cilësi të tjera edhe më të dhimbshme. Në rend të parë, në Ohër është hequr dorë nga e drejta për paragjykim të statusit të Kosovës në raport me Serbinë, duke zyrtarizuar në territorin e Kosovës pikëpamjet e pesë vendeve mosnjohëse të Kosovë. Kjo përbën një rrethanë rënduese sepse përjashton njohjen e tyre në të ardhmen. Së dyti, integriteti territorial dhe sovraniteti i “garantuar” në Ohër, ka kuptim diametralisht të ndryshëm për palët: për Serbinë është konfirmim se Kosova është pjesë e rendit të saj kushtetues, kurse për Kosovën shpreh një kërkese që pala përballë të shohë një realitet tjetër në terren, të ndryshëm nga ai që gjendet në Kushtetutën serbe. Së treti, njohja de facto nuk ekziston, përveç nëse dikush në ndërkohë ka zbuluar në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare një kategori tjetër të njohjes: për të qenë e tillë, njohja duhet të ketë një pohim nga shteti kontestues i shtetësisë, përtej pohimit që duhet të vijë njëkohësisht edhe nga aktorët e ambientit ndërkombëtar në të cilin operon entiteti që kërkon njohje. Ky pohim konsiston në konfirmimin e qartë se marrëdhëniet mes tyre–shtetit që konteston dhe aktorëve të tjerë që pajtohen me shtetin e tillë dhe entitetit të panjohur, zhvillohen dhe operojnë me qëllim të krijimit të efektit të njohjes de facto, shkaku i rrethanave të rastit të konkret. Siç dihet, deri më sot, nga BE dhe nga Serbia në vazhdimësi është bërë e qartë se ky nuk është rasti. Dhe, meqë kjo është kështu, atëherë çdo pohim se Ohri ka brenda njohjen de facto nuk është i vërtetë. Së treti, për pasojë, për themelim të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve duhet të ekzistojë një
6 / 7
marrëveshje dypalëshe që bazohet në njohjen paraprake në mes të palëve : zyra e Kosovës në Beograd ka qenë dhe do të jetë pa imunitet dhe privilegje diplomatike që i akordon Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961). Zyrtarët tanë atje janë qytetarë të huaj dhe i nënshtrohen në tërësi juridiksionit serb, përveç aspekteve të kufizuara funksionale që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Serbisë me BE-në me objekt Kosovën dhe zyrën e saj atje dhe në Prishtinë. Nëse zyrtarët tanë atje nuk besojnë, le të provojnë të fshehin taksat, të bëjnë ndonjë aksident në komunikacion, të kalojë transit dhe të ndërmarrin veprime të tjera që ndryshe imunizohen me standardet e Konventës së Vjenës, dhe do të shohin si përfundojnë. Mirë do të ishte të marrin me vete ndonjërin prej këtyre këtu që trumbetojnë nëpër ekranet televizive se këto zyre janë ambasada, pos emrin nuk e kanë të tillë. Së fundi, dhe më e keqja, Ohri nuk e mbyll dialogun me Serbi, e rihap atë në një dimension tjetër në pafundësi , në një kohë të pacaktuar, duke e rikthyer atë në një çështje të sigurisë rajonale, në një problem evropian, zgjidhja e të cilit do të merr djersën, mundin dhe, ndoshta edhe jetët e atyre që vijnë pas nesh.
Edhe dy fjalë shkurt për “modelet më të mira evropiane”
Kur nisi tërë kjo katrahurë për krijim të autonomisë serbe në Kosovë, u tha se marrëveshja do të jetë kuadër, me njohjen në qendër dhe, si koncesion i Kosovës, do të jetë e modeluar sipas shembullit të dy gjermanive. Nuk doli të jetë as për së afërmi ashtu: dy gjermanitë kanë qenë shtete sovrane dhe të pavarura, me misione diplomatike sipas standardeve të ligjit zakonor ndërkombëtar dhe Konventës së Vjenës, të shteteve që kishin njohur njëri tjetrën në kufijtë e përcaktuar në lumin Oder – Nise (nuk ka rendësi që linja komunikimit e diplomatëve të lindjes gjermane ishte përmes qeverisë në Bon, në nivel më të ulët). Gjermania, megjithatë, në planin ndërkombëtar kurrë nuk hoqi dorë nga e drejta e saj si përfaqësuese legjitime e krejt territorit të ish-Rajhut Gjerman që kapitulloi më 9 maj 1945. Me Kushtetutën e Gjermanisë – apo Ligjin Themelor siç quhet sot e kësaj dite – shtetas gjerman konsideroheshin edhe ata që jetonin në shtetin komunist në lindje. Kur ndryshoj natyra bipolare e sistemit ndërkombëtar dhe Gjermania Lindore humbi patronin e saj, Gjermania absorboi në tërësi shtetin gjerman ish-komunist, mori përsipër borxhet e tij njëanshëm dhe asnjëherë nuk u shtrua çështja e trashëgimit mes tyre: Gjermania u konsiderua si vazhdimësi juridiko-ndërkombëtare e ish-Rajhut gjerman, i vetmi i tillë. Gjermania Lindore u zhduk sikur mos të kishte ekzistuar kurrë, u shkri në rendin kushtetues gjerman gradualisht. Në dispozitat e Aneksit të Ohrit fare nuk bëhet fjalë për trashëgim të Kosovës në raport me Serbinë, as përgjegjësinë e shtetit serb për krimet në Kosovë, as për dëmet e luftës, as sa i takon kufirit, as borxhit të jashtëm, as shtetësisë, as arkivave, as objekteve shtetërore, as për asnjë teme tjetër. Ky aneks, thjeshtë, ka natyrë të ndryshme nga ajo mes dy gjermanive – as për së afërmi nuk i ngjan asaj.
Tani po thuhet se autonomia serbe në Kosovë do të ketë për model praktikat më të avancuara evropiane, me kuptim në rend të parë Tirolin e Jugut, gjykuar nga ajo që po qarkullon zyrave të ekzekutivit kosovar, por edhe për faktin se përfaqësuesit italianë kanë qenë shumë aktiv dhe ndërmjetësues paralel në mes të Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket kësaj pike. As ky model për së afërmi nuk përputhet me atë që kanë arritur italianët dhe austriakët në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Baza e autonomisë së Tirolit të Jugut gjendet në një marrëveshje ndërkombëtare të regjistruar në OKB, e njohur si marrëveshja De Gaspari – Gruber, e cila më pastaj ka marrë status juridik-kushtetues me ndryshimet e më pastajme kushtetuese dhe përmes praktikës së Gjykatës Kushtetuese të Italisë përgjatë dekadave të tëra. Mirëpo, asnjëherë në atë marrëveshje Austrisë nuk iu është dhënë ndonjë status i privilegjuar i garantuesit, aq më pak i bartësit të sovranitetit shtetëror në pjesën që ka të bëj me Tirolin jugor. Kjo autonomi ka lulëzuar duke qenë nga fillimi një çështje e brendshme e Shtetit italian, pa asnjë ndërhyrje nga jashtë. Mbi të gjitha, Marrëveshja De Gaspari
– Gruber ka likuiduar një problem të vjetër mes dy vendeve, njëherë e mirë, gjë që nuk është rasti me Kosovën: Aneksi Ohrit ka çimentuar status-quon e re në pafundësi, ka vënë në pikëpyetje serioze statusin e shtetit të Kosovës kundrejt Serbisë, por edhe vetë natyrën e shtetit që u shpall sovran dhe i pavarur më 17 shkurt 2008, për shkak se e shndërron atë nga një shtet unitar në një shtet rajonal, largon përfundimisht nga rendi ditës kërkesën për njohje reciproke me Serbinë dhe, së fundi, hap dyert për inkursione të vazhdueshme të shtetit serb në planin juridik-kushtetues, politik, të sigurisë dhe ushtarak në kohën që vjen. Marrëveshja De Gaspari – Gruber ka qenë dhe është përfundimtare, Aneksi Ohrit mbetet i përkohshëm, me synim të qartë mbajtjen pezull e nën vlerësim të vazhdueshëm të natyrës së shtetit të Kosovës që u shpall më 17 shkurt 2008. Kjo është esenca e kushtetutës materiale dhe e Republikës së Tretë të Kosovës që ka krijuar kryeministri Albin Kurti.
*Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtar